Rajoni

Liderët e Serbisë dhe Bosnjës duan zgjidhjen e problemeve

Pas takimit në Beograd, udhëheqësit e Serbisë dhe të Bosnjës thanë se duan t’i zgjidhin çështjet e pazgjidhura që nga shpërbërja e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990 dhe lufta në Bosnje që e ka pasuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bisedimet e tij me anëtarët boshnjak, kroat dhe serb të Presidencës trepalëshe të Bosnjës “nuk kanë qenë të thjeshta ose të lehta”.

“Nuk jemi këtu për të dashur ose përqafuar njëri-tjetrin; jemi këtu për t’i zgjidhur problemet”, tha Vuçiq.

Anëtari i Presidencës së Bosnjës, Dragan Çoviq, tha se takimi “është përqendruar në mënyrat për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe zgjidhjen graduale të problemeve”.

Dy anëtarët e tjerë të Presidencës së Bosnjës janë Bakir Izetbegoviq dhe Mlladen Ivaniq.

Lideri i Serbisë dhe ata të Bosnjës thanë se përcaktimi i kufirit midis dy vendeve, tregtia dhe infrastruktura kanë qenë po ashtu në mesin e çështjeve që janë diskutuar.

Vuçiq tha se Bosnja është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Serbisë.

Presidenti serb ka bërë vizitën e parë në Sarajevë në shtator.

Tensionet në rajon janë rritur për shkak të dënimit me burg të përjetshëm të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi e ka shpallur fajtor Mlladiqin më 22 nëntor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-95.

Posterë në mbështetje të Mlladiqit janë shfaqur në disa vende në Beograd, përpara vizitës së liderëve të Bosnjës.

Posterë me fotografinë e Mlladiqit në Beograd.

Komentoni