Kosova

Liberalizmi përmes Shqipërisë apo BE-së?

Kosova nuk mund të anashkalojë kriteret e Bashkimit Evropian për liberalizim vizash, por duhet të angazhohet në përmbushjen e tyre, thonë analistë të çështjeve të integrimeve evropiane.

Aktualisht, për liberalizmin e vizave për Kosovën kanë mbetur dy kriteret e fundit, përkatësisht kriteri për luftimin e korrupsionit dhe ai për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Por, te kriteri i fundit, ai për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, institucionet e Kosovës kanë ngelur që dy vite, duke mos arritur të ratifikojnë marrëveshjen e nënshkruar me Podgoricën që nga vitit 2015.

Nisur nga ky fakt dhe izolimi me të cilin po ballafaqohen qytetarët, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së fundi i ka kërkuar homologut të tij nga Shqipëria, Ilir Meta, që shteti shqiptar t’u lëshojë nënshtetësi qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që të shmanget nga izolimi, që sipas tij, i ka vënë Bashkimi Evropian Kosovës.

“Bashkimi Evropian e ka sjell në një pozicion të izolimit klasik Kosovën, në veçanti me çështjen e liberalizimit të vizave. E vetmja shpresë në këtë moment për qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm, ka mbetur dhe i kërkova presidentit Meta dhe autoritete e tjera të Shqipërisë, që në përputhshmëri me Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet dhe në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, t’u jepet nënshtetësia qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kjo kërkesë e presidentit Thaçi nga profesori i së Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani, po vlerësohet e paarsyeshme dhe e padrejtë për shtetin e Kosovës, përkatësisht që qytetarët e këtij vendi të marrin pasaporta të një shteti tjetër.

“Kosova është shtet dhe si i tillë i ka aspiratat e veta për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Me veprime të tilla nuk i bëjmë favor agjendës evropiane. Kërkesa që një shtet tjetër, si Shqipëria, tu jap shtetësi qytetarëve tanë, tash a do të merret në konsideratë nga shteti shqiptarë apo jo, kjo është çështje tjetër dhe nuk do të spekulojë. Por, ajo çka mund të them është se Kosova i ka dy kërkesa që duhet të punon dhe t’i adresojë”, thotë Ujkani.

Në një përgjigje nga Ambasada e Shqipërisë rreth mundësive për të marrë nënshtetësinë shqiptare, sqarohet se kërkesa duhet t’i drejtohet Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo kërkesë duhet të përmbajë identitetin e plotë të kërkuesit, adresën e saktë të vendbanimit të tij të përhershëm, si dhe dokumentet e domosdoshme si certifikata e lindjes, e legalizuar me vulën e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, vulën e Ministrisë së Jashtme dhe me vulën e Ambasadës, si dhe leja e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, sipas kritereve të Ligjit për shtetësinë.

Po ashtu, ndër tjera kërkohet edhe akti i pronësisë së banesës ose kontratës për zënien me qira të banesës. Aplikuesi duhet të dëshmojë edhe për vendin e punës dhe mjetet financiare të cilat duhet të jenë të mjaftueshme për jetesë në këtë vend.

Çështja e liberalizmit të vizave për Kosovën, sipas profesorit të integrimeve evropiane Avni Mazreku, është çështje më komplekse sesa që shtrohet në debatet ditore.

Ai thekson se problemi kryesor midis raporteve të Kosovës dhe BE-së është çështja e mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së, që sipas tij, kjo çështje nga politika e jashtme e Kosovës nuk është marrë seriozisht.

Mazreku shton se derisa mungojnë këto njohje nuk mund të pretendohet se Kosova ka raporte normale me Bashkimin Evropian.

“Dimensioni tjetër që është shtruar, çështjen e kërkesës së Presidentit të Kosovës drejtuar Presidentit të Shqipërisë që të pajisen qytetarët e Kosovës me pasaporta shqiptare, mendoj që kjo kërkesë është anakronike për vetë faktin se ne e dimë që kemi pasur një histori jo të këndshme sa i përket Kosovës dhe pasaportave që janë pajisur qytetarët e Kosovës. Këtu jo vetëm popullsia pakicë serbe, por edhe ka pasur një numër të konsiderueshëm të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë aplikuar për pasaporta serbe”, thekson Mazreku.

Ndërkohë për analistin Emrush Ujkani me logjikën që Kosova t’ju shmanget kritereve të mbetura për liberalizim të vizave dhe të bëhet zgjidhja e kësaj çështjeje përmes marrjes së pasaportave të Shqipërisë, ka efekte të mëdha negative në integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Mosdefinimi i vijës kufitare me Malin e Zi do të jetë problem për çdo lëvizje të Kosovës drejt mekanizmave të karakterit ndërkombëtare, qoftë në BE, NATO apo në Këshilli të Evropës. Në këtë mënyrë nuk po bëjmë zgjidhje. Nuk është e drejtë dhe as adekuate për shtetin e Kosovës që qytetarët e këtij vendi të synojnë të marrin pasaportat e një vendi tjetër. E arsyeshme është që të krijohet një konsensus nacional dhe t’i jepet zgjidhje përfundimtare (kritereve të BE-së)”, thotë Ujkani.

Ndërkohë qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehin mendime të ndryshme rreth marrjes së pasaportës shqiptare.

Bleart Hoxha, qytetar nga Prishtina do të pranonte të pajisej me pasaportë të Shqipërisë.

“Po nëse do të kisha mundësi do ta merrja pasaportën e Shqipërisë, pasi që jemi lodhur nga pamundësia për të lëvizur lirë”, thotë ai.

Ndryshe shprehet Adnan Berisha.

“Vetëm për shkak të liberalizmit nuk do të merrja pasaportë të Shqipërisë. Ne vet si Kosovë duhet të kemi liberalizmin. Nuk mendoj se është zgjidhje pasaporta e Shqipërisë”, thotë ajo.

Pasaportë të Shqipërisë tani kanë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës, kryesisht politikanët, si kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kryetari i Lëvizjes vetëvendosje Visari Ymeri, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe disa nga deputetët e tjerë të këtij subjekti. Po ashtu, me këtë pasaportë janë të pajisur edhe afaristë e qytetarë të profileve të ndryshme.

Ndërkaq, duke u thirrur në të drejtën e dyshtetësisë, pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë e kanë shfrytëzuar të drejtën që të pajisen me dokumente të Serbisë.

Njësoj, kanë vepruar edhe qytetarët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët jetojnë në Kosovë, por posedojnë dokumente të Serbisë.

Komentoni