Bota

Liban: Kryeministri Hariri e tërhoqi dorëheqjen

Kryeministri i Libanit, Saad Hariri, i tha një grupi të zëshëm të mbështetësve në Bejrut, se e ka tërhequr dorëheqjen e mëparshme të papritur, duke theksuar se dëshironte mbrojtjen e “stabilitetit” të vendit, për shkak të krizës politike në të.

“Diskutova për dorëheqjen me presidentin e republikës, i cili kërkoi që të pres para se ta paraqes dorëheqjen dhe të lejojë më tepër konsultime”, u tha sot Hariri gazetarëve, pak kohë pasi ishte kthyer nga Franca në Liban.

Libani është i përfshirë në trazira prej se Hariri më 4 nëntor shpalli nga Arabia Saudite, se po tërhiqet, për shkak se jeta e tij ishte në rrezik dhe i ka fajësuar militantët e Hezbollahut, që mbështeten nga Irani, për destabilizim të Libanit dhe të pjesës tjetër të Lindjes së Mesme.

Ky veprim i tij e ka futur Libanin më thellë në rivalitetin rajonal ndërmjet Iranit, që udhëhiqet nga myslimanët shiitë, dhe Arabisë Saudite, që udhëhiqet nga myslimanët sunitë.

Irani dhe Arabia Saudite janë në anët e kundërta të konflikteve të përgjakshme në Siri dhe Jemen.

Hariri ka thënë se ishte detyruar të largohet nga Libani në fillim të nëntorit, i frikësuar për jetën e tij. Ai përfundimisht u largua nga Arabia Saudite dhe shkoi në Francë, para se të kthehej në Liban, mbrëmë vonë.

Irani dhe aleatët e Hezbollahut shiit i hedhin poshtë akuzat e Arabisë Saudite, Shteteve të Bashkuara, dhe të vendeve të tjera, se po i armatosin grupet kryengritëse dhe po e destabilizojnë Lindjen e Mesme.

Komentoni