Lajme

Letër e hapur President Bujar Nishani: Ndaj Serbisë duhet qëndrim ndryshe i Shqipërisë!

I nderuar dhe respektuar Shkëlqesia Juaj, zoti President,

Duke shprehur konsideratën më të lartë për Ju, më lejoni të ndaj shqetësimin tim intelektual dhe qytetar për një akt të paprecedentë sa i përket menaxhimit të sektorëve strategjikë të Shqipërisë.

Kaskada e Drinit në veri të vendit prodhon mbi 80 përqind të nevojave energjetike të Shqipërisë. Por prodhimi i energjisë elektrike të këtyre hidrocentraleve i është dhënë për menaxhim një kompanie të Republikës së Serbisë, përkatësisht asaj ETF. Qeveria shqiptare, ministri i Energjetikës, Damjan Gjiknuri si dhe kryeministri i vendit, Edi Rama, me këtë vendim kanë shkelur dokumentin strategjik për sigurinë kombëtare, për disa arsye:

1. Serbia historikisht ka dëshmuar një sjellje antishqiptare, armiqësore dhe madje në shekullin e kaluar ka ndërmarrë disa herë aksione ushtarake kundër territorit të Shqipërisë. Gjatë fushatave ushtarake dhe në kohë të vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë, ajo ka asgjësuar, sipas studimeve serioze, më shumë se 120 mijë shqiptarë dhe ka shpërngulur nga trojet e veta më shumë se 1 milion e 500 mijë të tjerë. Konflikti i fundit të shekullit të kaluar midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë shkaktoi afërsisht të njëjtin numër të viktimave si edhe konflikti I vjeshtës 1912, mbi 20 mijë.

Në ditët e sotme politika e Serbisë nuk ka ndryshuar. Këto ditë mediat serioze gjermane njoftuan se Serbia ende nuk ka heq dorë nga projekti i saj i “Serbisë së Madhe”. Përkrahja e referendumit në Republikën Srpska në Bosnjë të ditës së nesërme, më 25 shtator, referendum i cili na sjell në vëmendje fillimin e luftës në Bosnjë më 1992 është njëra nga dëshmitë e qëndrimit destruktiv të Serbisë. Por nuk ka nevojë të shkojmë në Bosnjë. Veriu i Kosovës është ende i pushtuar nga paramilitarët e ministrisë së Brendshme të Serbisë. Serbët e Kosovës janë ende të manipuluar nga Beogradi. Pavarësia e Kosovës ende nuk po njihet nga Serbia dhe qeveria e saj. Parlamenti dhe institucionet e Kosovës ende nuk funksionojnë me efektshmëri, sepse disa vendime të rëndësishme i bllokon politika e Beogradit.

2. Serbia dhe serbët janë po aq nacionalistë sa edhe ç’kanë qenë më parë. Ata po thirren gjithnjë e më shumë në nacionalizmin e tyre për “Serbinë e Madhe” me mbështetjen totale të Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin. Ky fakt e bën shumë serioz pozicionin e Serbisë në rajon dhe shton shanset për riaktivizimin e saj jo vetëm kundër pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, por edhe kundër Shqipërisë dhe interesave të saj strategjike. Serbia është ende në dilemën “midis Perëndimit dhe Lindjes” dhe ka dalë kundër politikave të BE-së dhe ShBA-ve sa i përket sanksioneve kundër Rusisë. Serbia e ndihmon politikën e Kremlinit të tipit të Ukrainës në Ballkan.

3. Është e vërtetë se Serbia është përcaktuar për integrim në Bashkimin Europian. Por zyrtarisht është kundër integrimit në NATO. Sa kohë që kundërshton idenë e përfshirjes në NATO nuk mund të ketë asnjë garanci se Serbia ka heq dorë nga ambiciet e saj nacionaliste antishqiptare. Ndërkohë ju bëj me dije se shumica e udhëheqësve politikë dhe deputetëve serbë janë gjithashtu kundër integrimit në BE, nëse kjo kushtëzohet me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës nga ana e Beogradit. Ne i shohim çdo ditë përpjekjet e Beogradit për ta penguar integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në ato euro-atlantike.

4. Qeveria shqiptare dhe institucionet e vendit tonë duhet të saktësojnë në qëndrimet e tyre se sjellja armiqësore e Serbisë ndaj Kosovës është qëndrim armiqësor edhe me Shqipërinë. Nuk mundet që Shqipëria ta trajtojë Beogradin dhe Serbinë si mike të saj, ndërkohë që në Kosovë ajo ndjek një politikë bllokimi, mosnjohjeje dhe destruktive në politikat e brendshme. Kryeministri serb, Vuçiç, rikonfirmoi në fjalën e tij të para dy ditëve në OKB, se Serbia i përmbahet të njëjtave qëndrimeve si të paraardhësve të tij, filluar me Vladan Gjorgjeviç e Pashiç e deri te Milosheviç, sa i përket sjelljet me shqiptarët, kur u mor me akuzën e përfshirjes së tyre në organizatën terroriste ISIS, në vend që të merrej me çështjet e brendshme të vendit të tij.

Për këto si dhe arsye të tjera, ju kërkoj zoti President që të shqyrtoni nga pikëpamja e sigurisë kombëtare vendimin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë kompanisë serbe ETF menaxhimin e energjisë elektrike të kaskadës së lumit Drin. Kërkoj që me autoritetin që Ju jep ligji dhe kushtetuta të merrni një vendim të prerë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare – anulimin e këtij vendimi dhe tërheqjen e vëmendjes për ekzekutivin shqiptar, që të mos përsërisë historinë tragjike të viteve 1945-1948.
Mos harrojmë se ambiciet e Beogradit për daljen në Adriatik dhe shënuar kufirin e Serbisë përgjatë lumit Drin janë pjesa më e dukshme e platformës nacionaliste të punuar dhe ripunuar gjatë gjithë historisë së re të saj prej mesit të shekullit të XIX e deri në fund të shekullit XX. Më i fundmi ishte memorandum i vitit 1986 i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë si dhe deklarata e Sinodit të Kishës së Shenjtë Serbe e vitit 2003.

Edhe nëse Serbia do të përcaktohet për integrim në BE e NATO, sa kohë që ajo nuk është bërë pjesë e këtyre organizatave, nuk mund të fitojë statusin e vendit joarmiqësor me Shqipërinë. Sa kohë që Serbia nuk do t’i njohë dhe nuk do të kërkojë ndjesë për krimet makabre kundër shqiptarëve gjatë më shumë se një shekulli e sidomos më 1998-1999, aq kohë ajo nuk mund të përfitojë statusin e vendit mik për Shqipërinë. Sa kohë që Serbia nuk do ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës, aq kohë ajo duhet parë jo vetëm me skepticizëm, por duhet ndaluar në trajtimin e saj si vend konkurrues në administrimin e sektorëve strategjikë të Shqipërisë.

Nuk po ju drejtohem për mënyrën jo transparente dhe shkeljet e ligjit të konkurrimit sa i përket përzgjedhjes së kompanisë serbe për administrimin e sektorit energjetik të kaskadës së Drinit, sepse këto janë çështje të gjyqësorit, opinionit, për pasojë edhe tuajat si President, por jo në kompetencën tuaj për zgjidhje!

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin Zoti President,

Dr. Enver Bytyçi

Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore,

Pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Tirane, 24.09.2016

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*