Ekonomi

Lëshohet në qarkullim emisionin special i pullës postare “500 vjet Reformacion”

Në mjediset e kishës protestante “Bashkësia e Popullit të Zotit” në Prishtinë u bë promovimi i emisionit special të pullës postare “500 vjet Reformacion”. Të pranishëm ishin menaxhmenti i Postës së Kosovës dhe pastorë e besimtarë të komunitetit protestant.

Ky është një bashkëpunim ndërmjet Postës së Kosovës dhe Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës dhe është pjesë e programit të JAVËS SË REFORMACIONIT PROTESTANT që po mbahet në Prishtinë.

Kryetari i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës pastor Driton Krasniqi në fjalën e tij para të pranishmëve theksoi: “ Sot, posta e Kosovës po e lëshon në qarkullim emisionin special të pullës postare “500 vjet Reformacion”. Posta e Kosovës e ka nderuar kulturën perëndimore dhe i ka bërë nder shtetit të Kosovës dhe popullit tonë. Projekti i shënimit të 500 vjetorit të reformacionit protestant, dhe emisioni i pullës postare, e ka vendosur Kosovën në hartën e shteteve që gjatë këtij muaji po e bëjnë pikërisht të njëjtën gjë”. Këtë muaj në shumë vende të botës njerëzit janë duke e kthyer kokën mbrapa në histori duke u orvatur për të mësuar nga historia në mënyrë që luftërat fetare të mos përsëriten më. Ndërsa e kujtojmë reformacionin, ai është bërë edhe një herë një temë relevante në botën bashkëkohore dhe thirrjet për reforma fetare janë bërë gjithnjë e më të shpeshta. Lëvizja reformatore protestante kishte filluar para më shumë se 500 vjetësh si thirrje ndaj establishmentit fetar për reforma rrënjësore në jetën shoqërore të vendit. Kundërshtimet kishin të bëjnë me rishikimin të praktikave fetare dhe kthim tek burimi i informacionit. Sot, ndërsa përkujtojmë gjitha të arriturat e 500 vjetëve të fundit në formësimin e kulturës perëndimore, shoqëria kosovare e ka dëshmuar edhe një herë orientimin e vet kulturor, theksoi pastori Krasniqi.

Pulla që u promovua sot, është dëshmi e kulturës, bukurisë dhe krijimtarisë njerëzore. Kjo pjesë e çmuar arti, arrin tek të gjithë njerëzit si një dhuratë nga larg. Reformatori Luther, artin e shihte si pjesë përbërëse të besimit.

Ajo është një çmallje me apostujt e besimit tonë dhe frymëzim për ta çuar përpara amanetin e tyre për emancipimin e popullit tonë, u tha nga të pranishmit.

Piktori, respektivisht dizajneri i pullës, z. Fidan Bejtullahu, ka krijuar një vepër të mirë. Imazhet e prezantuara në të, pasqyrojnë një rrjedhë historike pesë shekullore nga Reformacioni Evropian tek ai shqiptar. Kombinimi i ngjyrave na e sjell lashtësinë në kohën tonë moderne.

Në qendër të pullës qëndron Martin Luter Reformatori i rrethuar nga pesë solat. E tërë platforma e tij u ndërtua mbi pesë sola: Vetën Shkrimi, Vetën besimi, vetëm hiri, vetëm përmes Krishtit dhe vetëm Perëndisë lavdia.

Por edhe historia jonë i ka Luterët e vet me në krye vëllezërit Gjerasim e Gjergj dhe motrat Sevasti e Parashqevi Qiriazi. Ndikimi reformacionit në kulturën shqiptare pasqyrohet bukur në këtë pullë postare me dy objekte: Kongresi i Manastirit dhe Shkolla e Vashave përballë njëra-tjetrës.

Përkthimi i Biblës nga Kristoforidhi është një pikë referimi e historisë sonë kombëtare gjithashtu. Popujt e ndryshëm historinë e tyre e përkufizojnë me anë të kulturës. Prandaj, vlera e kësaj pulle që po promovohet sot, është e rëndësisë së shumëfishtë. Posta e Kosovës, respektivisht Filatelia e Postës, shumë shpejt është ngjitur në shkallët e vlerësimit të pullave të saj duke marrë dy çmime ndërkombëtare për pullën postare më të mirë.

Në përmbyllje kryetari Krasniqi nënvizoi: “Pulla postare, edhe pse në format të vogël, është një objekt i rëndësishëm që përçon një mesazh të madh. Ato janë matja dhe ambasadori kulturor i një populli. Ajo e transmeton një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e ikonografisë së popullit tonë”.

Pullat postare janë në qarkullim në të gjitha pikat e shitjes së Postës së Kosovës! /KI/

Komentoni