Lajme

LDK përgëzon qytetarët për miratimin e Ligjit për Trepçën

Lidhja Demokratike e Kosovës përgëzon qytetarët për miratimin e Ligjit për Trepçën, i përgatitur nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Komisionin për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit, pas konsultave me spektrin e gjerë të ekspertëve, përfaqësuesit e Trepçës dhe të institucioneve të tjera.

LDK konsideron se ky Ligj mundëson zhvillim të qëndrueshëm të Trepçës, garanton interesat e minatorëve, të shtetit dhe është atraktiv për investime, mundëson avancim të kapaciteteve, rritje të vlerës së aseteve të Trepçës, duke krijuar mundësi për zhvillim të gjithanshëm të vendit dhe përmirësim të kushteve të punës dhe mirëqenien e punëtorëve të saj. 

Duke pas parasysh rëndësinë ekonomike dhe vlerën e gjithanshëm nacionale të Trepçës, LDK e vlerëson në veçanti faktin se Ligji përcakton qartë që resurset minerare janë pronë e Republikës së Kosovës dhe se prona e Trepçës është dhe mbetet pronë e Kosovës.

LDK shpreh përkrahjen e saj për hapat e mëtejmë të institucioneve kompetente për zbatimin në praktikë të këtij Ligji dhe akteve tjera që do të derviojnë nga ai.

Duke vlerësuar kontributin e subjekteve politike që përkrahën miratimin e këtij Ligji në Kuvend, LDK konsideron se miratimi i tij dhe hapja e perspektivës zhvillimore të Trepçës është edhe një premtim i mbajtur nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa.

Ligji për Trepçën, është suksesi i radhës në listën e gjatë të të arriturave në mandatin e Qeverisë aktuale, duke përfshirë nënshkrimin dhe fillimin e zbatimit të MSA-së, arritjet në fushën e zhvillimit ekonomik, reformat në shumë fusha, përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, krijimin e kushteve të favorshme dhe sjelljen e investime të huaja, rritjen e ndjeshme të pensioneve dhe përkrahjes sociale dhe sukseset e shumta në të gjitha fushat tjera. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*