Kosova

LDK-ja fyen keq partinë e Ramush Haradinajt

Pas kryeministrit Isa Mustafa, LDK-ja ka reaguar ndaj akuzave të deputetit të AAK-së, Pal Lekaj. Sipas LDK-së, Pal Lekaj njihet si person që e hedh gurin dhe e fsheh dorën dhe se anëtarët e AAK-së i quan mediokër.

“Pal Lekaj, i njohur si njeri që hedh gurin e fsheh dorën, e paska marr bajrakun e bërjes së politikës së AAK-së, këto ditë. Njeriu që e shkatërroi Gjakovën në dy mandate si kryetar, të cilat i fitoi me manipulim votash, që e shiti trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, që s’la keqpërdorim pa bërë në qeverisjen lokale, sot na mban ligjërata për tema madhore për vendin”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK-ja shkon edhe me tutje, kur deputetët dhe anëtarët e AAK-së i quan mediokër.

“E si gjithmonë, ky anëtar i denjë i klubit të mediokërve të AAK-së, nuk mundet pa u shërbyer me terminologji patriotësh e tradhtarësh, pasi që siç dihet, “patriotizmi është streha e fundit e horrave”. Njeriut që rruga për në ShBA iu ndërpre në Aeroportin e Prishtinës, sot është një prej atyre që po përpiqen ta izolojnë Kosovën, t’i lënë qytetarët pa lëvizje të lirë në BE, siç e lanë pa u bërë anëtar i UNESCO-s, ta shndërrojnë atë në vend ku dominon mediokriteti e keqpërdorimi pasi që vetëm në një ambient të tillë qifti i Pal Lekajt mund të jetë dikushi. Andaj, Pal Lekaj, nuk ka autoritet moral, intelektual, e aq më pak politik që të tregoj se çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës për tema nacionale”, thuhet në fund të reagimit. 

Komentoni