Pin It

Home » Kosova, Lajme » Tri raste të reja me HIV-AIDS, Kosova me më së paku të prekur

Prishtinë, 30 nëntor 2013 – U mbajt konferenca përmbyllëse e javës evropiane të testimit për HIV-AIDS në Ministrinë e Shëndetësisë, ku u tha se Kosova vazhdon të jetë ndër vendet me më së paku të prekur nga ky infeksion në rajon dhe më gjerë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se Kosova, për fat të mirë, edhe pse e ka rrezikun më të lartë të infeksionit me këtë virus, vazhdon të jetë me gjendjen më të mirë në këtë aspekt.

“Republika e Kosovës, për fat të mirë, duke iu falënderuar edhe angazhimit të gjithë shoqërisë dhe profesionistëve është në prevalencë tepër të ulët të kësaj sëmundjeje dhe këtij infeksioni. Megjithatë, ne jemi shumë koshientë për rrezikun që i kanoset vendit tonë duke e pas parasysh strukturën demografike të popullatës dhe veçanërisht duke e pas parasysh shkallën e lartë të migracionit tonë dhe mobilitetin me të gjitha anët e botës, prandaj edhe mundësia për marrjen e këtij infeksioni, për përhapjen e këtij infeksioni është e madhe”, u shpreh ai.

Sipas ministri Agani, Kosova e ka edhe strategjinë për ballafaqimin me këtë problem, derisa shtoi se, këto ditë, është themeluar edhe Grupi i ri i punës për revidimin e kësaj strategjie, në krye me Izet Sadikun dhe i cili ka për qëllim që ta përmirësoj strategjinë aktuale dhe të jetë në nivel me sfidat e kohës.

Izet Sadiku, drejtor i Klinikës Infektive, ka thënë se që nga 22 nëntori deri më 29 të këtij muaji sa ka zgjatur kampanja, janë paraqitur të testohen 19 pacientë, derisa mesatarja mujore e testimit të pacientëve në periudha tjera është 25.

“E përmendi ministri në fjalën e tij që ne fatbardhësisht bëjmë pjesë në grupin e vendeve me prevalencë të ulët, konsideroj që kjo është edhe pjesë, sukses i punës së përbashkët të të gjitha institucioneve që merren me këtë në krye me Ministrinë e Shëndetësisë për arsye se ministri e përmendi që nga viti 2003 Kosova është e para që e ka pas strategjinë për HIV-AIDS dhe në këtë vit, prej sot është bërë Grupi revidues i cili do të bëjë strategjinë e re 2014/2019”, u shpreh ai.

Sipas Sadikut, numri i të testuarve meshkuj në statistikat e viteve të fundit është 60 për qind meshkuj dhe 40 për qind femra.

Ndërsa, Ilir Begolli nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka thënë se këtë sëmundje është më mirë ta parandalojmë se sa ta mjekojmë.

“Ne shpresojmë se edhe në të ardhmen, të gjithë së bashku me mediet natyrisht mund të kontribuojmë në zvogëlimin dhe mbajtjen e nivelit të ulët të infeksionit. Mos të harrojmë se shpenzimet që janë për një person e që janë gati 10 mijë euro dhe këto shpenzime duhet të sigurohen nga buxheti i Kosovës, sa më lehtë që ta kemi këtë problem, ne buxhetit të Kosovës do t’i sjellim benefite të shfrytëzohen për arsye tjera, e kemi shumë arsye tjera të cilat mund t’i mbulojmë me këto të holla që kishim me i kursye nga trajtimi i tyre sepse do të kursejmë jeta dhe të holla nga trajtimi i saj në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Begolli është shprehur se nuk janë vetëm aktivitetet seksuale të cilat e shkaktojnë infeksionin e HIV-AIDS-it, por, sipas tij, ky virus mund të bartet edhe përmes përdorimit të mjeteve narkotike si dhe tatuazheve.

Që nga viti 1986 kur është paraqitur rasti i parë në Kosovë me HIV-AIDS, deri më tani janë lajmëruar 90 raste, prej të cilave 46 me sëmundje të AIDS-it dhe 44 me sëmundjen e HIV-it.

Në këto 27 vite kanë vdekur 40 pacientë gjithsej, kurse aktualisht në mjekim janë 15 raste të cilave Ministria e Shëndetësisë po ua siguron terapinë. Vetëm këtë vit, në Kosovë janë shënuar 3 raste të reja të prekura me virusin HIV.

Shko Lart.