EkonomiToplajm

Miratohet Ligji për Trepçën

Kuvendi i Kosovës miratoi, pas mesnatës së të premtes, Ligjin për Trepçën me të cilin, siç thanë deputetët, gjigandi ekonomik do të rimëkëmbet dhe do të rikthehet në treg.

Me 79 vota për. asnjë kundër dhe 14 abstenime, deputetët e kaluan Ligjin e plotësuar, i cili ngjalli kundërshtimet e deputetëve të Listës Serbe, që nuk qëndruan deri në fund të seancës së dytë brenda ditës.

Kuvendi u mblodh, të premten pasdite, në një seancë për të shqyrtuar projektligjin për Trepçën, të cilin Qeveria e Kosovës ia paraqiti Kuvendit nga mesi i javës.

Me procedurë të përshpejtuar, Kuvendi vendosi që të kryej të dyja leximet brenda ditës, për ta kaluar Ligjin për Kombinatin Trepça, që ndodhej ndërmjet rimëkëmbjes dhe likuidimit.

Qeveria e Kosovës dhe administratori i Trepçës, Agjencia Kosovare e Privatizimit, thanë se kombinati “është pasuri e Kosovës”, duke vlerësuar se Beogradi “është i vetëdijshëm se nuk ka asnjë hise në të”.

Por, të njëjtin pohim për pasurinë e shprehu edhe Beogradi zyrtar, që kërkoi “përfshirje të kësaj çështjeje, dhe siç thotë, të pasurisë së një numri ndërmarrjesh që i takojnë”, në bisedimet e Brukselit.

Opozita në Kosovë, ndërkaq, e cilësoi projektligjin si “të mangët”, sepse e përjashton “Kuvendin nga çdo rol në rastin e Trepçës”.

Ligji në Kuvend u miratua përmes kundërshtimeve të deputetëve serbë dhe protestave të punëtorëve serbë të Trepçës në veri të Kosovës që për tri ditë rresht bllokuan për pak kohë magjistralen Prishtinë-Leposaviq.

Miratohet në parim Ligji për Trepçën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 82 vota për dhe 12 abstenime, kanë miratuar në parim Ligjin për Trepçën.

94 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë marrë pjesë në votim. Komisioni funksional për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në pajtim me vendimet, do t’i shqyrtojë propozimet për plotësim ndryshim të ligjit dhe do t’ia paraqes Kuvendit për leximin e dytë, që është paraparë të bëhet sonte.

Kuvendi përshpejton zgjidhjen e statusit për Trepçën

Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë dy seanca gjatë ditës së premte, me qëllim të përmbylljes së çështjes së projektligjit për kompaninë Trepça, ka vendosur shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Seanca e parë nisi me votimin për shmangie nga rregullorja e punës, duke mbajtur në rendin e ditës vetëm pikën për shqyrtimin e projektligjit për Trepçën, përmes kundërshtimeve të deputetëve të Listës Serbe.

Kërkesën për shmangie nga rregullorja e punës e bëri Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike, duke propozuar që në seancë të diskutohet vetëm projektligji për Trepçën, një propozim që mori përkrahjen, përveç të deputetëve të koalicionit qeverisës, edhe të dy partive tjera opozitare AAK dhe Nisma për Kosovën.

Deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës propozuan që projekt-ligji për Trepçën të mos diskutohet në seancën e të premtes dhe që ai të shtyhet për një periudhë tjetër kohore. Propozimi i Listës Serbe ndërkaq nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave, meqë mbi 80 deputetë të pozitës e opozitës e kundërshtuan.

Slavko Simiq, nga Lista Serbe, tha se ligji për Trepçën, që është futur për “debat me procedurë të përshpejtuar”, është i papranueshëm dhe se zgjidhja të gjendet përmes “debatit”. Ai tha se “ligji rrezikon edhe ekzistencën e punëtorëve të Trepçës, por edhe të qytetarëve serbë” që jetojnë në veriun e Kosovës.

Simiq tha se “zgjidhja për Trepçën duhet të gjendet në bashkëbisedim me udhëheqjet komunale në pjesët ku janë të shtrira kapacitetet e saj dhe me menaxhmentin e Trepçës në veri”.

Simiq kërkoi votim për heqjen e pikës “së shqyrtimit të pikës për Trepçën” nga rendi i ditës dhe të kërkohet zgjidhja përmes dialogut.

Por, kërkesës së deputetëve serbë, për heqjen nga rendi i ditës i projekt ligjit të Trepçës, nuk iu përgjigjën deputetët e tjerë të Kuvendit.

Ndërkohë, në një fjalë të prezantuar përpara deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deri sa ka prezantuar projekt – ligjin ka thënë se ligji për Trepçën është në të mirën e vendit dhe në veçanti të punëtoreve.

“Transformimi i Trepçës – sipas këtij ligji – është në interes të të gjithëve. Është në interes së zhvillimit ekonomik të vendit, është në interes të komuniteteve dhe të komunitetit në përgjithësi, në vendet ku do të operojë Trepça. Prandaj, edhe ky ligj meriton përkrahjen e të gjithë neve”, tha kryeministri Mustafa.

Mustafa tha se “ligji ka valorizuar të gjitha kriteret ekonomike dhe kriteret ambientale”.

Sipas tij, projektligji ka edhe karakter inkluziv dhe hap perspektiv për ndërlidhje të fuqishme ekonomike, si faktor i rëndësishëm i jetës së përbashkët në Kosovës.

“Unë shoh arsye se të gjithë deputetët ta përkrahin këtë ligj, ta përkrahin të gjitha grupet parlamentare dhe unë u rekomandoj që ta votoni”, tha Mustafa.

Por, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar, siç thotë, “mënyrën e procedimit të ligjit në Kuvendit të Kosovës”, duke e cilësuar se “shndërrimi i Trepçës në shoqëri aksionare po bëhet pa kryer analizat e plota për pasurinë e kombinatit”.

Visar Ymeri, kryetar i LVV-së, tha se Trepça duhet të shndërrohet në ndërmarrje publike dhe “të ketë edhe status të ndërmarrjes së veçantë publike”, sepse kështu “ndihmohet edhe ekonomia e Kosovës”.

Ai tha se “Qeveria e Kosovës po e përshpejton procesin e miratimit të projektligjit për Trepçën”, me qëllim të, siç tha, “shitjes së pasurisë së saj”.

Debati në Kuvendin e Kosovës po vazhdon, ndërkohë që pas përfundimit të seancës së filluar në orët e pasdites, do të vazhdojë me një tjetër seancë, ku do të kryhet leximi i dytë me të cilin synohet të përfundojë, siç vlerëson shumica e deputetëve të Kuvendit, i gjithë procesi për statusin e kombinatit Trepça. 

Komentoni