Kosova

Kuvendi i Kosovës duhet të merret me reformën zgjedhore

Një prej çështjeve të para me të cilat duhet të merret Kuvendi i Kosovës është reforma zgjedhore.

Kështu mendojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe proceseve zgjedhore, sipas të cilëve, mungesa e kësaj reforme, po shkakton probleme në krijimin e institucioneve, sikur që ishte bllokada e fundit. Sipas tyre, sistemi zgjedhor mazhoritar do të sillte një qeverisje më të përgjegjshme

Për aq kohë sa nuk do të ketë reformë të thellë zgjedhore, bllokadat për krijimin e institucioneve, sikur që ishte kjo e fundit, do të jenë e pranishme. Andaj, njohësit e zhvillimeve politike dhe proceseve zgjedhore thonë se Kuvendi i Kosovës duhet ta ketë një ndër punët e para reformën zgjedhore. Kjo reformë ka nisë qysh në vitin 2011, por në fakt, sipas Albert Krasniqit nga Instituti Demokratik Kosovës, partitë politike asnjëherë nuk janë treguar të përkushtuara për ta përfunduar këtë proces të nevojshëm. Krasniqi thotë se reforma zgjedhore duhet t’i përfshijë të gjitha palët si pozitën, opozitën, e grupet tjera, në mënyrë që të ketë një sistem zgjedhor i cili është më përfaqësues dhe mos të shkaktojë bllokada politike.

“Tek sistemi zgjedhor duhet të shikohet mundësia e ndarjes së zonave zgjedhore, ulja e pragut zgjedhor dhe shumë ndryshime tjera që mund të jenë teknike, por që ndikojnë që të ketë zgjedhje më të mira dhe rezultatet mos të manipulohen”, tha Krasniqi për Radio Kosovën”, tha ai.

Ndërsa analisti Blerim Burjani, që ka punuar më herët edhe si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se duhet të ndryshohet sistemi proporcional që është aktualisht në Kosovë në sistem mazhoritar zgjedhor. Pa një ndryshim të tillë, sipas tij, asnjëherë nuk do të ketë një qeverisje të përgjegjshme dhe transparente, për faktin që me sistemin aktual prodhohen koalicione të shumta, të cilat brenda qeverisë marrin ministri që më shumë u shërbejnë interesave partiake, sesa interesit të qytetarëve. Bllokadën sikur që ishte kjo e fundit, Burjani thotë se do ta zgjidhte sistemi zgjedhor mazhoritar.

“Do ta zgjidhte plotësisht situatën e krijuar në Kosovë me vite të tëra, sepse ato do të fitonte partia që ka 50 plus 1. Një deputetë më shumë përgjegjësia do të ishte e krejt atij subjekti ta formojë dhe ta udhëheq qeverinë dhe përgjegjësia do të ishte e qartë kush është përgjegjës për zhvillim, ose kush është përgjegjës për probleme që mund t’i sjellë ajo qeveri. Kështu në këtë situatë humbë komplet përgjegjësia”, tha Burjani për Radio Kosovën.

Ndonëse është vlerësuar në vazhdimësi se ligji aktual i zgjedhjeve është i mirë për organizimin e zgjedhjeve, edhe vetë KQZ-ja e ka përmendur nevojën e reformës zgjedhore. Anëtari i PDK-së në këtë komision, Betim Gjoshi, këtë nevojë e shtrojë ditën kur u bë decertifikimi i disa kandidatëve për zgjedhjet lokale të 22 tetorit me Aktgjykim të formës së prerë nga Gjykatat e Republikës së Kosovës.

“Edhe kjo që po e diskutojmë këtu dëshmon që Kosova duhet të ketë një reformë ligjore në fushën e zgjedhjeve. Ligji që kemi para vetes është jashtëzakonisht arbitrar”, tha Gjoshi.

Sidoqoftë, njohësit e këtyre proceseve thonë se para reformës zgjedhore, duhet të ketë fillimisht një reformë kushtetuese. Albert Krasniqi nga KDI-ja thotë se madje kjo reformë kushtetuese do duhej të adresonte edhe çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që mos të ketë bllokada tjera sikur kjo e këtij viti. Ai thotë se duhet të ketë më shumë se një kandidat për kryetar të Kuvendit, e jo kjo e drejtë ekskluzive t’i lihet një subjekti të vetëm. Po ashtu, sipas tij, ndryshimet kushtetuese, duhet ta qartësojnë edhe çështjen e mandatarit për formimin e Qeverisë.

Komentoni