Lajme

Kush janë urdhërdhënësit e Bajram Hotit?!

Shkruan: Florim ZEQA

Nuk e kisha ndërmend të merrem me veprimin e “izoluar”, monstruoz dhe të shëmtuar të një mërgimtari në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Jo pse nuk është e nevojshme të shkruhet e thuhet shumë, por për faktin se nuk ia vlen me u marrë me njerëz të vegjël, me karakter të ulët, të paedukatë, të paarsimuar dhe injorant të sojit të tillë.

Mërgimtarin Bajram Hoti, disa nga analistët dhe komentuesit e rrjeteve sociale e cilësuan me terma të ndryshëm, si; psikopat (i sëmurë mental), e deri në kriminel ordinerë,…mbase edhe mund të jetë i tillë?!

Megjithatë, unë kam një mendim ndryshe nga të tjerët, veprimi i shëmtuar i Bajram Hotit nuk është që ka ndodhur rastësisht dhe pa planifikim. Ky është një skenarë i përgatitur paraprakisht jo nga një kokë njeriu, por nga një grup caktuar njerëzish. 

Ky grup i vogël njerëzish të pandërgjegjshëm po luajnë me figurat më emblematike kombëtare, këta njerëz po luajnë me ndjenjat e njerëzve më të pastër dhe më të ndërgjegjshëm të këtij vendi,…

Ku janë “trimat e xha Sulos”, që shqyejnë e përdhosin fotografinë e presidentit historik të shtetit të Kosovës,…pse nuk po ju bëhet pengesë flamuri lara-lara, pa identitet dhe pa ndjenja kombëtare,…pse nuk e kundërshtuan multietnicitetin e shtetit, kur deri dje e kishin gojën plotë “bashkim kombëtar”,…pse nuk po ju bëhet pengesë valëvitja e flamujve të shtetit serb gjithandej komunave dhe lokaliteteve (enklavave) serbe, pse nuk po ju bëhet pengesë mbishkrimi në komunat serbe, madje edhe në cirilikë i “Republika Serbia”,…pse nuk po ju bëhet pengesë vendosja e shtatoreve të krajl Millutinit, Car Llazarit në zemër të Kosovës, apo pse nuk po ju bëhen pengesë ministrat serb në Qeverinë e Republikës së Kosovës që nuk e njohin dhe as pranojnë Kosovën si shtet të tyre !

Deri të ky shpërqendrim i vëmendjes ka ardhur edhe si pasojë e mbjelljes së urrejtjes ndaj presidentit Rugova nga eksponent të caktuar politik në Kosovë, disa prej të cilëve aktualisht janë në majat e pushtetit në Kosovë, disa në kampin opozitar, e sa të tjerë kanë mbetur si “Gomarët e Buridanit” mes pushtetit dhe opozitës!

Faji i mërgimtarit injorant është i vogël, në krahasim me mbjellësit e urrejtjes patologjike ndër vite e dekada ndaj arkitektit të shtetit të Kosovës, presidentit historik Ibrahim Rugova

Urrejtjen patologjike ndaj presidentit historik Ibrahim Rugova e kanë shkaktuar në radhë të parë idhujt dhe ideologët e strukturave aktuale në pushtet, duke shpifur e propaganduar kundër presidentit Rugova.

Në fakt, të gjitha ato që i trillonin kundërshtarët e Rugovës ishte tipare të tyre e jo të presidentit. Kur ju erdhi radha të ngritën në majat e pushtetit u pa puna e tyre. Jo vetëm që s’munden të arrijnë nivelin unifikues të Rugovës dhe as të qendrojnë vertikalisht në rrugën e shtetndërtimit,…rrëshqitën si është më së keqi në “konsolidimin dhe mbrojtjen” e sovranitetit të shtetit.

Andaj, Bajram Hoti, nuk është gjë tjetër veçse një produkt dhe dorë e zgjatur e nëntokës politike në Kosovë. Veprimi i tij i ultë dhe qyqarë vetëm sa dëshmojë fytyrën e të njërit nga të manipuluarit e shumtë nga propaganda antirugoviane, të cilët herë do kurdo, do e zbulojnë vetën, dhe dëshmojnë urrejtjen patologjike të padronëve të tyre kundër njeriut më meritor për lirinë dhe pavarësinë që e gëzon sot Kosova dhe populli i saj.

 

E vërteta vonon por nuk harron

Në secilin shtet të ndodhte një veprim i tillë, autori do të merrte dënimin e merituar,…kjo të shtynë me dyshua se çdo gjë ka qenë e orkestruar nga strukturat në krye të kuvendit, ekzekutivit apo presidencës,…mbase kryerësi i veprës makabre edhe mund të jetë shpërblyer për këtë veprim kaq monstruoz…!!!

E them nga përvoja e së kaluarës, ku tri vite më parë gjatë një aktiviteti kulturor multietnik (Itali), me urdhrin e “nëntokës” u tentua heqja e flamurit dardan të presidentit Rugova të vendosur nga ana ime. Për zbulimin e urdhërdhënësit mu deshën hiq më pak se tre vite,…deri sa i erdhi momenti që kryerësi i veprës të më rrëfejë për urdhërdhënësin e heqjes së flamurit dardan, i cili në njërën anë hiqej si mbështetës i rugovizmit dhe në tjetrën për një kohë të gjatë më paraqitej si “mik” dhe “mbështetës” i punës dhe aktiviteteve të mia në mërgatë,…i cili në të vërtetë kishte qenë vet djalli.

Kështu, edhe urdhërdhënësit e Bajram Hotit nuk qëndrojnë shumë larg kryeministrit aktual të vendit, janë ndër lëpirësit më të shpeshtë të mermerit mbi varrin e presidentit dhe vizitorët e familjes Rugova.

Vargut të gjatë të “Bajramëve” të mjerë ju shtua edhe një nga familja e madhe Hoti, të cilët padrejtësisht u pajisen me targën e turpit. Thellësisht jam i bindur, se nuk do të jetë e largët dita, kur Bajrami i Hotëve do të rrëfehet, se nga kush u motivua dhe urdhërua të ndërmarrë një veprim kaq të turpshëm dhe qyqarë. Mbase sikur të kishim shtet, një gjë e tillë do të zbardhej shpejtë, pa kaluar shumë ditë, muaj apo vite.

 

Lëreni të qetë engjëllin në parajsën e tij

Vallë, ç’na duhet urrejtja dhe mallkimi ndaj njëri-tjetrit në këto rrethana të krizës së thellë ekonomike dhe sociale në të cilën është katandisur vendi ynë?!

Sikurse heronjtë dhe dëshmorët e lirisë që janë të popullit e jo të partive politike, ashtu edhe arkitekti i shtetit tonë ishte shpëtimtar i të gjithëve, unifikues dhe paqësor, mbrojtës dinjitoz i luftës çlirimtare në Gjykatën e Hagës në përballje me kryesatrapin e Ballkanit,…ku falë deklaratave të tij pranë asaj gjykate, UÇK-ja mbeti krijesë e lindur nga populli liridashës që luftoi për mbrojtjen e pragut të shtëpisë,…si e tillë doli fitimtare dhe e pandëshkuar nga Gjykata e Hagës.

Për figurat e lavdishme të historisë sonë më të re, mirënjohja dhe nderimi është më e pakta që mund të bëjmë për ta.

Për shenjtorët e kombit si; Ibrahim Rugova, Adem Jashari,….mirënjohjet dhe dekorimi janë një nderim për të gjallët që i kujtojnë me devotshmëri, përndryshe ata, me veprat e tyre madhore, zemërgjerësinë dhe dashurin ndaj atdheut dhe bashkëkombësve të vet e kanë fituar pavdekësinë,…do të jetojnë përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e popullit, të cilët paqësisht dhe me dashuri njerëzore janë skalitur në kujtesën historike të shqiptarëve.

Të vërtetat historike janë ato të shkruara në shpirtin e popullit e jo ato të shkruara nga pendët e errëta të ideologjive të dështuara politike.

Ibrahim Rugovën e bekoi vet Zoti, që nuk e la të jetojë në kohën e maskarenjve dhe horrave të kësaj kohe të keqe.

Ju që po reagoni kundër vlerave sublime të kombit tonë, e bëni vetëm një mëkat të vogël,…mëkatin më të madh po e bëni ndaj pasardhësve tuaj, fëmijëve, nipave dhe mbesave që mund t’ju leni një njollë të zezë në ardhmërinë e tyre, mos harroni se pendesa e tyre do të jetë mallkimi më i madh për ju nesër !

Prandaj, lëreni të qetë engjëllin Rugovë në parajsën e tij.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*