OpinionToplajm

Kush ia huqi demarkacionit të kufirit?

Shkruan: Ramush TAHIRI

Shënimi i vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi si dy shtete fqinje është i një rëndësie të veçantë për të dyja shtetet si dhe për marrëdhëniet rajonale dhe evropiane. Shteti i Kosovës ashtu siç e përcaktoi vijën kufitare me Maqedoninë duhet ta bëjë me të gjitha shtete e tjera fqinjë në mënyrë që të forcojë sovranitetin dhe integritetin e tij territorial.

Kufijtë e shtetit të Kosovës janë të përcaktuar më herët dhe si të tillë konsiderohen kufij të garantuar ndërkombëtarisht dhe nuk mund të ndryshohen me dhunë dhe njëanshëm. Republika e Kosovës nuk i përcakton me fqinjët kufijtë e rinj por vetëm i shënon kufijtë ekzistues dhe ketë e bënë me markimin dhe shënimin në terren me protokoll dhe me marrëveshje dypalëshe.

Çështja e shënimit të vijës kufitare ndërmjet dy shteteve fqinje Kosovës dhe Malit të Zi nga një çështje normale e teknike është kthyer në çështjen më të rëndësishme politike tash e disa muaj që po rrezikon të bllokojë punët e Kuvendit të Kosovës dhe të prish tërësisht raportin pozitë -opozitë në Kosovë dhe nëse gjërat shkojnë drejtë përkeqësimit mund të shkaktoj edhe rrëzimin e Qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kosova ashtu si edhe shtetet e tjera e ka Komisionin shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit. Ky komision më herët kishte bërë shënimin e vijës së kufirit shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë që gjithashtu nuk kishte kaluar pa telashe për arsye se më herët por pas çlirimit të Kosovës derisa ishte nën administrim ndërkombëtar ishte bërë një marrëveshje ndërmjet Serbisë përkatësisht Jugosllavisë së mbetur dhe Maqedonisë me të cilën ishte përcaktuar apo thënë ndryshe ishte delimituar kufiri të cilën marrëveshje me gjithë kundërshtimin e Kosovës e kishte miratuar UNMIK-u si dhe ishte futur në raportin e Sekretarit të OKB për Kosovën të prezantuar në Këshillin e Sigurimit dhe gjithashtu ishte pranuar në aktin e shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, kur thuhej se pavarësia shpallej në territorin e Kosovës ne gjendjen në 31 dhjetor 1988 përveç pjesës së kufirit të përcaktuar me marrëveshjen ndërmjet Jugosllavisë e Maqedonisë.

Ekspertët si dhe partitë politike opozitare që e kritikojnë marrëveshjen ndërmjet Kosovës e Malit të Zi për shënimin e vijës kufitare theksojnë një varg mangësish të pretenduara që kanë bërë që Kosova me këtë marrëveshje humbë rreth 8.200 hektarë tokë. Këta çështjen e kufirit përkufizojnë si një çështje të përcaktimit fillestar sikur ky kufi të mos kishte ekzistuar më herët. Pra sillen sikur kemi të bëjmë me kufi të ri dhe flasin për shembuj shkollor të kritereve se si dhe në çmënyrë caktohet kufiri. Me këtë qasje ata kanë plotësisht të drejtë përveç në faktin se këtu kemi të bëjmë me kufirin e vjetër i cili më parë është i delimituar dhe tash vetëm duhet të markohet në terren dhe kjo bëhet ekskluzivisht sipas hartave kadastare. Kështu së voni në vitin 2014 është bërë me nënshkrimin e marrëveshjes ndërshtetërore ndërmjet Malit të Zi dhe të Bosnje e Hercegovinës. Këto bisedime kishin nisur në tetor të vitit 2008 dhe kishin përfunduar në maj të vitit 2014’ Marrëveshja për kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës ishte bërë me hartën topografike të përmasave 1:25,000 me përshkrimin tekstual të shtrirjes së vijës kufitare me të cilën gjë kufiri I mëhershëm administrative kadastar u bë kufi shtetëror që ishte në harmoni të plotë me qëndrimin e komisionit të Badinderit. E gjithë vija kufitare ishte shënuar në 19 harta topografike sipas të dhënave relevante kadastare të dyja vendeve me shënimin e koordinatave të gjitha pikave.

Kufijtë historik

Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në fakt është kufi ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë i përcaktuar që në Kongresin e Berlinit në vitit 1878 Në Protokollin numër 8 mbledhja e mbajtur më 28 qershor 1878 në Aneksin 2 thuhet se në bazë të paqes së Adrianopojës, Malit të Zi i njihet zgjerimi i territoreve të cilat i ka pushtuar me armë.., “3.Qarkun e Kuçit i cili banohet nga sllavë ortodoks dhe shtrihet mes rajoneve të fisit shqiptar të Kelmendit dhe Malit të Zi. Më herët kuqjotët kanë bashkëvepruar me shqiptarët, por nga fillimi I luftës së kaluar ata I kanë bërë malazeztë vëllezër të tyre të gjakut” 4.Qyteti I Tivarit dhe një pjesë e qarkut me të njëjtën emër (…) si dhe qarqet shqiptare Rozhajë dhe Guci me malet e banuara nga fiset shqiptare Hoti dhe Kelmendi. Qarqet kufitare në Kollashin në anën e Novi Pazarit si dhe Shpuza dhe Podgorica në anën shqiptare i janë bashkuar gjithashtu këtij territori i cili duhet ti takojë Malit të Zi (…) “Të udhëhequr nga dëshira që vija e cila ndanë perandorinë nga Mali i Zi të tërhiqet në at mënyrë që të formojë mundësisht pengesa natyrore në të dy anët, për të parandaluar kështu cenimin e kufijve dhe fushatat plaçkitëse, ata qitën për miratim para Kongresit këtë shtrirje të kufirit:

  1. b) Në lindje kufiri fillimisht ngjitet sërish deri në bregun e majtë të Tarës e më pas deri në përrua, I cili derdhet nga mali Starac deri në Prosçeb dhe nga Kollashini ndjek rrugën e vjetër deri te pika e cila në hartë është shënuar me emrin Shishkojezero. Nga kjo pikë deri te fshati Gjoricë dhe shënon ngritje nga Limi deri në Shekullare. Fortesa e vogël e Beranes e cila nga kjo anë është portë për në Shqipëri, lartësirat të cilat gjenden përballë bregut të majtë të Limit mbesin tek ne dhe janë pjesë e rajonit të kësaj fortese.
  2. c) Pasi rajonet e Gucisë dhe Plavës janë të banuara vetëm me shqiptarë të cilët pikërisht sikurse edhe qytetet myslimane Spornj dhe podgoricë, nuk kanë qenë të pushtuara nga malazeztë- në jug kufiri fillon nga malet Zhiva nga shtrirja e re do të ndjekë rrjedhën e përroit Ribnicë deri në fshatin Fundina dhe shtrihet përreth Podgoricës.

Pasi qarku i Tivarit është i banuar kryesisht me shqiptarë ai mbetet ( …) (citatet janë marrë nga libri I Jusuf Buxhovit “Kongresi i Berlinit 1878” shtëpia botuese “Faik Konica” 2008 Documents et protocols.)

Në vendimet e Kongresit të Berlinit në marrëveshjen e arritur ndërmjet Gjermanisë, Austrohungarisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë, Rusisë dhe Turqisë më 13 korrik 1878 në paragrafin 28 thuhet “kufijtë e Malit të Zi janë të fiksuar dhe shtrihen në këtë mënyrë: (…) “ Nga kjo pikë ajo kthehet lartë në Tarë deri në Mojkovac, nga pastaj ndjek kreshtën e kodrinës deri në Shishko Jezero. Nga ky lokalitet ndërthuret me kufirin e vjetër deri në fshatin Sekullare. Nga aty kufiri I ri drejtohet përmes kreshtës së Mokra Pllaninës, fshati Mokra I mbetet Malit të Zi, pastaj fiton pikën 2166 të hartës së shtatëmadhorisë austriake duke ndjekur vargmalin kryesor dhe vijën e ndarjes së ujërave ndërmjet Limit në njërën anë dhe Drinit, sikur dhe Cievnës në anën tjetër.

Vija kufitare puqet pastaj me limitet aktuale ndërmjet fiseve Kuçi-Drekalloviqi në njërën anë dhe Kuçka Krajina , sikur edhe mes fiseve Kelmendi dhe Gruda në anën tjetër deri në fushën e Podgoricës, nga pastaj drejtohet për në Pllavnica, për ti lënë Shqipërisë fiset Kelmendi, Gruda dhe Hoti (…) Citati është nga libri I Jusuf Buxhovit “ Kongresi I Berlinit” fq 279 -280.

Pra në vija të përgjithshme dhe konkrete kufiri ndërmjet Malit të Zi e Kosovës është kufiri i caktuar në Kongresin e Berlinit që ka miratuar disa zgjidhje të paqes së Shënë Stefanit dhe studiuesit mund ta shohin në hartat e përdorura zakonisht austriake si dhe në protokollin e demarkacionit ndërmjet Mali i Zi dhe Turqisë dhe që dokumentet gjenden në arkivat e të dyja vendeve . Arsyet pse është zgjeruar Mali i Zi tre herë e gjysmë dhe pse ka marrë territor shqiptar janë dhënë madje në paragrafin 30 thuhet: “Myslimanët ose të tjerët, që posedojnë prona në territoret e aneksuara nga Mali i Zi dhe të cilët do të donin të jetonin jashtë tij, mund ta bëjnë një gjë të tillë dhe të mbajnë pronat e tyre, ose atom und ti mbyllin, nëse janë dyqane a t’ia japin për administrim një pale tjetër. Askujt nuk mund ti eksproprijohet prona, as për arsye të interesit publik, as për shkaqe të tjera. Një komision turko-malazez do të ngarkohet për të rregulluar, në një afat prej tre vjetësh, të gjitha punët që ndërlidhen me çështjen e përkufizimit, eksploatimit.. ( )”.

Komisioni i Batinderit ka vulosur kufijtë

Tash duke i ditur pjesërisht ose pak më shumë këto fakte disa kundërshtues të shënimit të vijës kufitare që e bënë të dy komisionet shtetërore të Kosovës dhe të Malit të Zi thonë se duhet bërë një kufi I ri sepse” Mali i Zi është shtet i ri dhe ne si Kosovë duhet të paraqesim kritere të tjera të caktimit të vijës kufitare . Kurrsesi me të dhëna kadastare sepse atëherë kufiri del aty ku është”.

Nëse miratohet kjo kërkesë nga Qeveria e Kosovës atëherë duhet të kihen parasysh se për këtë a ka miratim nga faktori ndërkombëtar sepse Komisioni i Batinderit e tha qartë se kufijtë administrativ të njësive federale bëhen kufij të pranuar dhe të garantuar ndërkombëtar. Pra këtë e bëri fakt të kryer ani që për Kosovën e Vojvodinën si krahina autonome nuk e njohu këtë të drejtë edhe pse ishin njësi të barabarta të Federatës së Jugosllavisë dhe me Kushtetutat e tyre e kishin të sanksionuar që “kufirjt nuk mund të ndryshohen pa pëlqimin e Kuvendeve” Regjimi i Millosheviqit e suprimoi autonominë e Kosovës më 23 përkatësisht 28 mars 1989 duke suprimuar edhe të drejtën e deklarimit Sovran për çështjen e kufirit. Prandaj edhe në aktin e pavarësisë por edhe në dokumentet ndërkombëtare është marrë data 31 dhjetor 1988 e gjendjes së kufirit të Kosovës si dhe është marrë vendim që nuk janë të ligjshme vendimet pas 23 marsit 1989 e që bien ndeshë me ligjet dhe konventat ndërkombëtare…

Në Kosovë edhe në institucione e sidomos në qarqet intelektuale mungon ndjenja e vazhdimësisë së idesë shtetërore sipas të drejtës ndërkombëtare prandaj jepen deklarata kuturu të rikthimit të gjendjes ose të mospranimit të këtij apo asaj marrëveshje apo akti nga e kaluara. Shtrohet pyetja a mund të jetë Kosova suksesor i Turqisë nga obligimet nga Kongresi I Berlinit…?

Edhe me Kushtetutën aktuale të Republikës së Kosovës neni një pika 3 thuhet: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti, dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” që u bënë se pa u ndrrua ky nen me dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës nuk mund të hapet asnjë debat…

Si e dimë nga historia Mali i Zi në Luftën e Parë Ballkanike 1912-13 kishte pushtuar Shkodrën dhe disa pjesë të Shqipërisë dhe të Kosovës së sotshme duke okupuar Pejën dhe Gjakovën me rrethinë në tetor të vitit 1912 dhe duke u takuar me ushtrinë serbe.

Në Jugosllavinë mbretërore nga viti 1929 -41 ishte Banovina e Zetës që përfshinte një pjesë të territorit të Kosovës duke përfshirë Pejën Istogun deri në Mitrovicë..

Duket se kufijtë e Provincës së Kosovës më 1945 që janë caktuar nga udhëheqësit komunistë të kohës si është Gjillasi në pjesën më të madhe kanë marrë kufijtë e shtrirjes së Këshillit Nacional Çlirimtare të Kosovës e Dukagjinit ( në serbisht Ishte Odbor e jo Vijeçe dhe edhe pse nuk ishte nën AVNO-ë e Serbisë nga pak Para shpalljes së Administrimit ushtarak e degraduan dhe e futën nënë Serbi).

Disa ekspert juridik të Kosovës po thonë në shkrime dhe në debate televizive se Kosova në shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk e ka marrë parasysh parimin e ndarjes uti possidetis. Mirëpo pikërisht Komisioni i Badinterit i themeluar nga Këshilli i ministrave të Bashkimit evropian në vitin 1991 si Komision arbitrazhi për të zgjidhur shpërbërjen apo dezintegrimin e Jugosllavisë. Ky i nxori 15 mendime Në mendimin nr. 3 thotë se “kufijtë ndërmjet ish njësive federale konsiderohen kufij të shteteve pasuese dhe nuk mund të ndryshohen me dhunë, por vetëm me marrëveshje – parimi uti possidetis.” Në Mendimin nr. 11 i cakton apo i pranon datat e suksesionit vetëm për gjashtë ish republikat por jo për të dy krahinat edhe pse në çështjen e kufijve e suksesionit sipas Kushtetutës së vitit 1974 këto ishin të barabarta me ish republikat sepse as në kushtetutat e krahinave e as në kushtetutën e Serbisë nuk ishte përcaktuar se ajo pyetet apo vendos për kufijtë e krahinave. Sipas mendimit tim juristët tanë që kritikojnë shënimin e kufirit nga komisioni shtetëror gabimisht fokusohen në pjesën e dytë që thuhet se kufijtë mund të ndryshohen vetëm me marrëveshje duke humbur kështu thelbin e parimit uti posseditis në gjithë segmentin historik dhe praktik të tij që është një garanci ndërkombëtare se kufijtë ekzistues bëhen automatikisht kufijtë të garantuar ndërkombëtar që për Kosovën është shumë e drejtë dhe e favorshme edhe si masë parandaluese për përdorim të dhunës e imponim e mospranim të kufijve në të cilat u shpallë pavarësia.

Analiza e munguar dhe kontestimet

“Përfundimisht procesi të vihet mbi bazë të parimeve shkencore e profesionale të demarkacionit dhe të mbështetet në argument gjeografike-hartografike, natyrore-morfo-hidrologjike, etnike dhe historike” (…) “gjeografia dhe gjeologjia na japin arsye thelbësore për të kuptuar rëndësinë historike dhe vazhdimësinë e Kosovës veçanërisht për gjysmën lindore të saj…” Prof.dr. Muhamet Sadiku. Nga kjo shihet qartë se profesori mendon në përcaktimin e ri të vijës kufitare Kosovë Mali i Zi dhe këtu sigurisht do të mbivendoseshin njëri kriter mbi tjetrin bie fjala kriteri historik mbi atë etnik. Bie fjala udhëpërshkruesi dhe zyrtari i Sulltanit në vitin 1664 shënon se qyteti i Herceg Novit me shumicë popullsie është shqiptare . Mirëpo të dy profesorët Prof.dr. Florim Isufi dhe Prof.dr. Shpejtim Bulliqi në hartën nr. 28 të punuar nga ata, në të cilën nxjerrin territorin e humbur dhe të fituar nëse miratohet vija e kufirit të Komisionit shtetëror, duke përcaktuar sipas krahasimit me hartat e disa gjeoportaleve hartën e vërtetë sipas tyre të kufirit si konkluzion thonë : “ Edhe pse ky kufi i dëmshëm në aspektin etnik, sepse popullatën shqiptare e ndanë në dy njësi administrative, ai është i përshtatshëm në aspektin morfologjik dhe i plotëson të gjitha kushtet shkencore dhe praktike që të pranohet për propozim final të demarkacionit kufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi” ( “Demarkacioni Kosovë-Mali i Zi aspekte ndërkombëtare gjeografike politike dhe historike . viti 2015. botimi i dyte fq. 90 dhe 97.

Prof dr. Riza Smaka thekson se ; “tematika e delimitacioneve dhe e demarkacioneve kufitare në përgjithësi e veçanërisht në dimensione ndërshtetërore reflekton ndjenja të vetekzistencës, të vetëmbrojtjes dhe të vetëvërtetimit” duke përkufiziar kufirin si “vija që i ndanë territoret e shteteve fqinje përbrenda të cilave shtrihet sovraniteti i tyre” dhe duke theksuar se në “rrethana normale gjatë delimitacioneve dhe demarkacioneve kufitare përfillen këto parime: i kufijve natyror të determinuar nga konfiguracioni territorial, ujëndarjet dhe ujërëniet, vargmalet ; i kufijve strategjikë të determinuar nga faktorët në favorin e mbrojtjes të shtetit të caktuar,; i kufijve historik; i kufijve etnikë; i kufijve etnik të balancuar..”

Profesori megjithatë në rastin konkret ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës nuk e ka bërë hulumtimin se si do të dukeshin kufijtë në përdorimin e të gjitha këtyre kritereve. Bie fjala i mbrojtjet të shtetit të caktuar sepse pikërisht këtë e kërkoi dhe e fitoi Mali I Zi në Kongresin e Berlinit kinse për tu mbrojt nga shqiptarët pra një lojë hinterland. Dhe së fundi në rastin tonë kemi të bëjmë me kufirin ekzistues I cili është delimituar apo shënuar në hartë para disa dhjetëvjetëshave e tash vetëm rakohet apo shënohet në teren.

“Vërehet qartazi se vija e përcaktimit të demarkacionit është shndërruar në një çështje kadastare. Harrohet se çështjet kadastare ndërlidhen me qartësinë e pronave në mes të njësive administrative dhe se demarkacioni në mes të shteteve duhet vënë korniza të parimeve të përgjithshme ndërkombëtare”. Profesori nuk e sqaron se a janë korniza ndërkombëtare edhe mendimet e Badinterit dhe dokumentet në të cilat thirret Komisioni shtetëror e që u përmendën disa në këtë shkrim? Gjithashtu duhet të sqarohet se përse kriteri gjeografik qenka më i mirë se kriteri etnik kur shtetet u krijuan dhe synojnë përkufizimin etnik së paku ato të Ballkanit?

Profesorët Bulliqi dhe Isufi në punimit e përbashkët theksojnë se : “Pas analizës së bërë për mospërputhshmërinë e vijës kufitare të digjitalizuar nga hartat topografike dhe asaj të botuar në gjeoportale, mund të konstatohet se 18 herë ka ndërhyrje të territorit mes dy palëve nga 9 herë për secilën palë. Me ndihmën e softuerit kemi kalkuluar të gjitha sipërfaqet e secilit poligon për të pasur një analizë më të saktë statistikore të kësaj ndërhyrjeje… Duke analizuar vijat kufitare me Malin e Zi (vijën nga hartat topografike dhe ajo e gjeoportaleve) mund të konstatohet se Kosova humbë sipërfaqe prej 8.990.52 hektarësh.” Këtë humbje profesorët e shpjegojnë vetëm sipas kritereve të veta që kanë simuluar në kompjuter por jo që ka të bëjë më humbjen apo me fitimin real të territorit ame me ndonjë shkëmbim te territorit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Edhe ata e pranojnë se me shënimin e vijës kufitare nga ana e komisionit shtetëror të Kosovës, shteti i Kosovës nuk humb territor dhe as komuna e Pejës, Deçanit e Istogut as nuk zvogëlohen as nuk shtohen por me hartën e pretenduar prej tyre të bërë sipas kritereve natyrore gjeografike relievore dhe të ujëmbledhësve e ujëndarësve atëherë edhe Kosova edhe Mali I Zi ndryshojnë territor gjë qe nuk e kanë matë. Për saktësi këtë kufi ata e nxjerrin edhe sipas disa hartave topografike ushtarake dhe të botuara në Enciklopedinë e Jugosllavisë.

Kush është tradhtar e kush atdhetar?

Sa i për ketë validitetit të hartave për përcaktimin e vijës kufitare njohësit e dinë se në teren markimi, pra vënjja e piramidave dhe e shenjave apo shënjimi I vijës kufitare ndarëse ndërmjet shteteve që shënohet në dy faqet e kundërta të piramidës apo gurit kufitar bëhet në harta të përmasave 1;2,000 dhe sipas tyre bëhet edhe përshkrimi tekstual ndërsa marrëveshjet zakonisht nëse shtetet nuk merren vesh ndryshe bëhen në harta me përmasa 1:25.000. Tekstet e marrëveshjeve dhe dokumentacioni është identik pavarësisht gjuhës dhe dokumenti përpilohet edhe në një gjuhë të huaj zakonisht në anglisht. Dokumentacioni është i nënshkruar nga të dyja palët e ndonjëherë edhe nga pala e tretë si garant ndërkombëtar por kjo ndodhë vetëm në raste të veçanta dhe pas situatave të jashtëzakonshme luftërave konflikteve etj. Në këtë bazë nuk është e vërtetë në asnjë rast se pala malazeze ka tjetër dokumentacion ose tjetër përshkrim si është thënë në publik. Pra hartë e vlefshme e kufirit është vetëm ajo e protokolluar me të gjithë dokumentacionin përcjellës dhe me përshkrim tekstual dhe të kuotave dhe që është pjesë e marrëveshjes, hartat e atlaseve hartat ushtarake hartat e enciklopedive hartat shkollore mund të jenë por nuk janë detyrimisht të sakta në paraqitjen e vijës kufitare, e sidomos jo nëse kanë përmasa të tjera përpjesëtimi krahasuar me hartën e marrëveshjes ndërshtetërore. Ato harta të tjera topografike pa edhe kadastare nuk mund të jenë dokument i besueshëm në kontestin ndërshtetëror as në Gjykatën e Arbirtazhit.

Prof dr. Zejnullah Gruda I paraqet disa kritere edhe të qëndrueshme në përcaktimin e kufirit duke nxjerrë edhe një pasqyrë historike dhe duke u thirr edhe në kujtime të Gjillasit dhe në fund kërkon “Nëse Kosova nuk fiton njohje për qëndrimet e shpalosura më lartë duhet ti drejtohet arbitrazhit”.

Krejtë në rregull nëse më par konstatohet se Kosova është subjekt i barabartë ndërkombëtar i pranuar që mund të ngritë çështje përpara institucioneve dhe organeve ndërkombëtare…. Ku është e anëtarësuar dhe ku është e pranuar. Pra në çmasë sot ka Kosova sovranitet dhe subjektivitet të pranuar ndërkombëtar. Ana tjetër teknike dhe praktike si do të arsyetohet kërkesa për arbitrazh nëse nuk ka kontest dhe nëse nuk dëshmohet kundërshtim nëpërmjet fakteve. Të dy komisionet shtetërore janë pajtuar plotësisht në të gjitha pikat dhe e kanë bërë protokollin .Marrëveshja është ratifikuar nga kuvendi i Malit të Zi . Si mund të shkohet në Arbitrazh kur këtë duhet ta bëjë Qeveria e Kosovës dhe kjo nuk bëhet pa u shkarkua komisioni dhe pa u vërtetuar mangësitë e punës. A mund të shkohet në Arbitrazh me simulim programor të hartave sipas kritereve dhe të dhënave të caktuara krahasuar me gjeoportale, A është kjo një praktikë e njohur në kontestet ndërshtetërore….

Çështja është politizuar në Kosovë dhe është bërë edhe çështje nderi e përcaktimi për tradhtar e atdhetarët për shitës dhe për mbrojtës të territorit për ata që dinë dhe për ata që nuk dinë të aplikojnë kriteret e duhura në përcaktimin e kufirit. Tash janë dalë edhe interesat krahinore dhe partiake dhe duket se është prishur edhe balansi i votave për ratifikim në Kuvend të Kosovës.

Komentoni