Kosova

Kurthet e fshehta të Kosovës

“Danas” Zagreb, 25 gusht 1987, nr. 289
Dimensioni i nënçmuar ndërkombëtar i Kosovës ka kontekst më të gjerë
Anketat dhe debatet e fundit që janë zhvilluar në opinionin publik kanë zbuluar keqkuptime serioze dhe mosnjohje të peshës së mirëfilltë të problemit sikurse edhe të implikimeve më të gjera

Pas mbledhjes së Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe vendimeve të tij, ende vazhdojnë debatet në opinionin publik. Edhe përkundër pikëpamjeve dhe qëndrimeve interesante, të cilat një dialog i lirë mund të japë për problemet më delikate, me anë të kombinimit dhe bashkimit të vlerësimeve dhe intonimeve të ndryshme, sugjerohen përfundime befasisht të njëanshme e ndonjëherë edhe qëndrime jo të parrezikshme.

Duket se Kosova përmban dy aspekte qartësisht të rëndësishme e të pandashme: aspektin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Në mbledhjen e përmendur të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë janë bërë përpjekje serioze që Kosova gati nga çështje lokale të shndërrohet në çështje gjithë jugosllave. Kësi përfundimi duket se mbizotëroi në opinionin serioz politik, por jo edhe në çdo mjedis, të cilat kanë gjithashtu ndikim të rëndësishëm mbi opinionin publik.

Dimensioni ndërkombëtar i Kosovës është nënçmuar në disa qarqe, ndërsa për implikimet më të gjera të mundshme nuk mendohet mjaftueshëm. Kjo ka ardhur gjoja nga “ngopja” e caktuar e shqyrtimit të këtij problemi.

Është e qartë se situata në Kosovë dhe orientimet themelore të aksionit po mbahen nën kontroll, por disa presione emocionale (të cilat janë të nënkuptueshme) sikur po iu shmangen kontrollit dhe imponojnë ndjenjat e paperspektivës, me të cilat shtohen elementet e krizës dhe aspekti ndërkombëtar i gjithë problemit. Anketat dhe debatet e fundit që janë zhvilluar në opinionin publik kanë zbuluar keqkuptime serioze dhe mosnjohje (nëse është vetëm kjo) të peshës së mirëfilltë të problemit sikurse edhe të implikimeve më të gjera.

Sikur harrohet në problemet nëpër të cilat ka kaluar Jugosllavia dhe se si i ka zgjidhur ato. Është nënkuptuar gjithmonë që cenimi i një pjese të Jugosllavisë eshte cenim i gjithë vendit (nga Gjevgjelia në Trigllav). Nuk është e tepërt të kujtojmë krizat e rënda në marrëdhëniet me disa fqinj dhe gatishmëritë e shprehura nga gjithë vendi që të mbrohet integriteti territorial. Porosi dhe vërejtje të ngjashme, pa marrë parasysh në shkaqet dhe karakteret e ndryshme të krizës, ofron edhe Kosova sot.

Sipas të gjitha gjasave duket se Kosova nuk mund të vështrohet jashtë kontekstit të gjerë ballkanik, të mesdheut lindor e bile edhe të Lindjes së Afërt. Është e qartë se gjendemi në zonën e krizave dhe konflikteve të vazhdueshme, të cilat fatkeqësisht nuk po zgjidhen.

Gjendja e tanishme është më shumë se sa brengosëse. Okupimi ushtarak dhe ndarja e Qipros po vazhdon akoma, luftës në Liban nuk i shihet fundi, ashtu edhe konfliktit në Lindjen e Afërt, edhepse duken disa lëvizje pozitive. Më tutje nga ky rajon, gjendja është edhe më e rëndë. Lufta irako-iraniane i ka kaluar të gjithë kufijtë e arsyes e tani duket se shfrytëzohet si shkas që vendet perëndimore të përzihen më shumë ndërsa kriza në Gji kërcënon me eskalim të konflikteve të reja.

Nuk duhet harruar se në situatat e krizës ekziston ndërvarshmëria ashtu që pasojat e krizës në një skaj mund të reflektojnë negativisht në skajin tjetër e të shërbejnë si shkas për ndërmarrjen e aksioneve të ngjashme. Përdorimi i dhunës në mënyrën e vet e “legalizon” dhunën!

Nga marrëdhëniet ndërkombëtare është e dijtur se fuqitë e mëdha gjejnë shkase të ndryshme për intervenime të cilat zakonisht i arsyetojnë me rrezikimin e interesave të tyre jetike pa marrrë parasysh në largësinë gjeografike nga rajonet e krizave. Politika e kuptuar në këtë mënyrë se ia lehtëson aksionin palës kundërshtare, të cilës iu janë të afërta rajonet e krizës. Sipas kësaj logjike ajo sheh në to rrezikim të sferave të saj të interesit, respektivisht të hapësirave kufitare.

Edhe matja e forcave dhe rrënimi i të ashtuquajturit paritet ushtarak ndërmjet dy fuqive më të mëdha fsheh rreziqe të ngjashme. Te fuqitë e mëdha duket sikur ekziston rregulli sipas të cilit vendet e vogla ua rrezikojnë vazhdimisht interesat e tyre, por jo edhe e kundërta!

Siç dëshmon edhe praktika dhe si rregull krizat shpërthejnë në rajonet nënkontinentale ashtu siç është në njëfarë mënyre edhe Ballkani vetë. Në të kaluarën fuqitë evropiane kanë gjetur shkase për konflikte në Ballkan, rezultat i të cilit ka qenë ndarja dhe “rindarja” e sferave të interesit, por edhe në rajonet e tjera (për shembull ndarja e Polonisë). Edhe sot janë shumë të pranishëm recidivët e politikës së vjetër. Edhepse Ballkani është “modernizuar” goxha (e me njërën këmbë ka hyrë në të ashtuqajturën “shoqërinë civile”, siç do ta thoshte ndonjë nga tanët) dhe ka pushuar së qeni “bucelë baroti” në kuptimin e vjetër të fjalës (mbi 40 vjet mbretëron paqja në këtë hapësirë, gjë që në të kaluarën nuk ka ngjarë) ai është një rajon edhe më tutje i cenueshëm.

Interesat e ndryshëm të blloqeve, e edhe të vendeve ballkanike, krahas përkatësisë së tyre ndaj aleancave ushtarake, paraqet një rrethanë vazhdimisht të rënduar për rregullimin e Ballkanit. Në vendet e kësaj hapësire janë të pranishme të gjitha orientimet dhe opcionet politike si pak kund në botë.

Një pjesë e vendeve janë anëtare të aleancës së NATO-s, ndërsa të tjerat të Traktatit të Varshavës, ndërsa ekzistojnë edhe vendet e painkuadruara dhe të jashtë blloqeve. Ballkani është specifik meqë përmban çështje kontestuese ndërmjet vendeve dhe të sistemeve të njëjta dhe të ndryshme, por kjo nuk iu pengon ndonjërit syresh që nga “taborri” tjetër të përpiqen të zgjedhin partner dhe të krijojnë miqësi me qëllim të realizimit të qëllimeve të ndryshme të njohura për ata vetë.

Pothuajse të gjitha vendet ballkanike (pa marrë parasysh nga orientimi politik) i lidh qëndrimi i përbashkët negativ për pakicat kombëtare, edhepse edhe vetë ato janë të ballafaquara me problemin e njëjtë. Deklaratat e faktorëve të tyre më të përgjegjshëm se në “vendet e tyre nuk ekziston problem i pakicave kombëtare” vetëm e përkeqëson klimën për zgjidhjen e mirëfilltë të pozitës së pakicave, ndërsa mund të rëndojnë përmirësimin e dukshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Pra, shkaset për kontestimin në vendet ballkanike duket sikur janë “shtuar” në krahasim me kontekstin klasik. Natyrisht që në vlerësimin e rrezikut ka dallime për nga pesha e kontesteve duke pasur parasysh vendet që qëndrojnë prapa tyre.

Mund të thuhet se kontestet e pazgjidhura afatgjata janë më të rrezikshmit, por edhe ata që në zgjidhjet e ndryshme të çështjeve të brendshme gjejnë shkas për përzierje në punët e vendit tjetër.

Mozaiku i këtillë politik i Ballkanit ngërthen edhe një element të llojit të vet për stabilitetin. Por edhe kërkon përgjegjësinë më të madhe politike, mençurinë e të gjithë faktorëve politikë në mbajtjen e status quo-së dhe në ruajtjen e paqes.

(…)

Politika e jashtme dhe ajo e brendshme e Shqipërisë mund të pranohet si çështje e brendshme e saj sikur ajo të ndërpresë përzierjen dhe nxitjen e trazirave në Kosovë.

Është e qartë se Shqipëria nuk heq dorë nga një internacionalizim i llojit të vet të gjithë problemit, por harron se politika e saj luftënxitëse ndaj Kosovës para së gjithash mund të kthehet kundër saj. Tashmë shumë njerëz e kanë njohur karakterin dhe qenësinë e regjimit politik të Shqipërisë. Nuk është e rastësishme që Shqipëria e ka njohur regjimin e Kampuçias, i cili është imponuar me anë të ndërhyrjes ushtarake, gjë që vetëm sa e vërteton që Shqipëria lidhet me ato forca të cilave u shkon për shtati politika intervencioniste.

Edhe disa oferta të ardhura anash për armë duket se janë të kësaj vije. Natyrisht që të dy blloqet ndjekin me vëmendje se çka po ngjan në Shqipëri dhe nga po shkon politika e saj. Ndryshimet dhe reformat e sotme në vendet socialiste padyshim se për Shqipërinë paraqesin vështirësi shtesë. Është e qartë se do të jetë gjithnjë më e vështirë ruajtja e bastionit të fundit të stalinizmit, me anë të së cilës vetëm sa do të rritet rreziku i kthesave të paparashikuara dhe pasojave të pamatshme.

Në kontekst të opcioneve të mundshme, mbajtja e regjimit të deritanishëm edhe tani paraqet kualifikim të mirë për t’iu kthyer aleancës së vjetër ushtarake. Vendeve të Traktatit të Varshavës më së paku iu pengon sistemi i brendshëm i Shqipërisë në raport me përparësitë në të cilat do të mund të arriheshin në pikëpamje strategjike ushtarake. Edhe pala tjetër, NATO, synon ndryshime të cilat Shqipërinë do t’ia afronin nevojave të saj strategjike. Përkundër këtyre vështirësive dhe kësaj gjendjeje Ballkanit nuk iu zvoglohet rëndësia. Ballkani mbetet udhëkryq i madh i rrugëve dhe i interesave më të mëdha, i pretendimeve dhe apetiteve (veçanërisht strategjike-politike).

Fatmirësisht të gjithë këta interesa i ndjekin edhe kundërthëniet e thella të vështira për t’u pajtuar. Drejtpeshimi i marrëdhënieve i cili vjen në pah në kontestet dhe gjendjet konfliktuale (dhe jo vetëm këtu), siç janë konflikti turko-greko-qipriot (likuidimet e shumta të pakicës turke), kontesti jugosllavo-bullgar (likuidimi i pakicës jugosllave dhe mohimi i kombit maqedon), kontesti jugosllavo-shqiptar (likuidimi i pjesës së madhe të pakicës jugosllave dhe përzierja në Kosovë), dhe kontestet tjera të rëndësisë më të vogël, e bëjnë drejtpeshimin shumë të cenueshëm.

Duket se politika jugosllave ofron bazë të mirë për zhvillimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet ballkanike mbi parimet e njohura të barazisë, mospërzierjes, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial. Por, disa vende e kanë vështirë ta digjestojnë pikërisht këtë politikë.

Autor: Rajko Knezheviq

Komentoni