Kosova

Kur Joe Biden i kërkonte Hashim Thaçit ta themelojë Specialen

Për themelimin e Gjykatës Speciale ishte angazhuar direkt Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden. Atëkohë, Biden i kishte shkruar Hashim Thaçit duke i thënë se edhe Obama e çmon udhëheqjen e Kryeministrit për të themeluar Gjykatën për zbardhjen e pretendimeve të Dick Martyt. Prej asaj kohe amerikanët s’janë tërhequr asnjë pikë prej kësaj kërkesa. Thaçi bashkë me Kadri Veselin e Ramush Haradinajt dështuan që në fund të vitit të kaluar të rrëzonin Specialen.

Gati një vit para se të themelohej Gjykata Speciale, në prill të vitit 2014, një letër kishte shkuar në adresë të Hashim Thaçit, atëkohë Kryeministër i Republikës.

Letrën e kishte shkruar Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, ku i thoshte Kryeministrit të atëhershëm se edhe Presidenti Barack Obama mbështet themelimin e Gjykatës Speciale. I kishin dhënë mbështetje edhe Shefit të Qeverisë për ta bërë një gjë të tillë, shkruan Gazeta Express.

“Ne fuqimisht inkurajojmë Kosovën që të bashkëpunojë plotësisht me BE-në për themelimin dhe vënien në veprim të kësaj gjykate. Presidenti Obama dhe unë e çmojmë udhëheqjen tuaj në këtë çështje. Ne jemi thellësisht të përkushtuar për suksesin e Kosovës. Ju duhet të jeni të sigurt për përkrahjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe aspiratat euro-atlantike”, shkruan më tej Biden në letrën dërguar Thaçit.

“Ne besojmë se është e rëndësishme që atyre t’iu përgjigjeni në mënyrë adekuate me qëllim që të siguroheni që drejtësia të vihet në vend dhe Kosova të vazhdojë të ecë drejt integrimeve evropiane”, shkruante ai.

Biden nënvizon se me përkrahjen e Kosovës, hetimet e BE-së dhe gjykata e propozuar mund të ndihmojë për hapjen e një faqe te re, duke i mbajt përgjegjës keqbërësit dhe duke i shfajësuar në sytë e botes ata qe janë të pafajshëm.

“Në frymën e kësaj miqësie të qëndrueshme, unë po të shkruaj për të theksuar rëndësinë e punës së BE-së, të ekipit të udhëhequr nga Ambasadori Clint Williamson, për të hetuar pretendimet e Raportit të Martit të Këshillit të Evropës të vitit 2010. Jam i vetëdijshëm se hetimet kanë të bëjnë me çështje të ndjeshme që për disa është vështirë për tu ballafaquar. Me përkrahjen e Kosovës, hetimet e BE-së dhe gjykata e propozuar mund të ndihmojë për hapjen e një faqe te re, duke i mbajt përgjegjës keqbërësit dhe duke i shfajësuar në sytë e botes ata qe janë të pafajshëm”.

Por, më 22 dhjetor të vitit të kaluar, Thaçi duket se kishte harruar porositë amerikane dhe premtimet që kishte dhënë kur ishte themeluar Specialja.

U tentua që përmes nismës së deputetëve të shfuqizohej Gjykata Speciale, e cila është themeluar më 2015 me votat e PDK’së, LDK dhe pakicave. AAK, NISMA, VV ishin kundër atëkohë.

Ndaj nismës së PDK’së dhe AAK’së kishte reaguar edhe Departamenti i Shtetit, i cili kërkonte nga Thaçi, Haradinajt e Veselit që t’i përmbaheshin zotimeve të tyre ndaj punës së Gjykatës.

“Ne u bëjmë thirrje liderëve politikë në Republikën e Kosovës dhe Deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ta ruajnë zotimin për punën e Dhomave të Specializuara dhe ta lënë të pandryshuar autoritetin dhe juridiksionin e gjykatës”, thuhet në mes tjerash në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Komentoni