Lajme

Kryegjenerali amerikan shkon në Gadishullin Korean

Gjenerali i lartë amerikan ka mbërritur në gadishullin Korean mes kërcënimeve të pashembullta midis Uashingtonit dhe Phenianit, dhe ndërsa manovrat ushtarake vjetore midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut rrezikojnë të rrisin tensionet.

Duke folur për gazetarët rrugës për në Kore, gjenerali Joe Dunford, shef i shtatmadhorisë amerikane, tha se fokusi kryesor i ushtrisë është të mbështesë fushatën diplomatike dhe ekonomike të administratës, për ta bërë gadishullin Korean pa armë bërthamore, ndërkohë që përgatit opsionet ushtarake, nëse kjo fushatë dështon.

Ai tha se vizita e tij në rajon këtë javë synon të sigurojë aleatët si Koreja e Jugut dhe Japonia, ndërkohë që ndërton marrëdhëniet ushtarake me Kinën, në mënyrë që të parandalohen rreziqet.

“Ne të gjithë kërkojmë të dalim nga kjo situatë pa luftë, një botë ku Pheniani zotëron armë bërthamore që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre rajonalë; kjo është e papranueshme. Si udhëheqës ushtarak, mua më duhet të siguroj se presidenti të ketë opsione ushtarake praktike, në rast se fushata e presionit diplomatik dhe ekonomik dështon,” tha gjenerali Dunford.

Megjithatë, disa ekspertë nuk pajtohen me idenë se blerja e armëve bërthamore nga Pheniani është një opsion i papranueshëm. Richard Bush, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën China John L. Thornton të Institutit Brookings, thotë se administrata Trump ka bërë gabim të madh, duke përcaktuar se zotërimi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut, të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara, është diçka për t’u luftuar.

“Rreziku ose fokusi më i madh duhet të jetë sigurimi që Koreja e Veriut nuk i përdor këto aftësi”, – tha Richard Bush për Zërin e Amerikës.

Gjenerali Dunford arriti në bazën ajrore Osan në Korenë e Jugut të dielën vonë. Ai ka në plan të takohet me Presidentin Moon Jae-In dhe homologun e tij ushtarak të Koresë së Jugut të hënën, përpara se të udhëtojë për në Kinë dhe Japoni më vonë gjatë javës.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*