Kosova

Krasniqi: Mos e ndjellni Sirinë!

Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi iu ka kundërpërgjigjur kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, duke i thënë se Kosova nuk është Siri dhe se për këtë është i bindur që Veseli nuk ka asnjë argument që do ta vërtetonte.

Ja opinioni i plotë i Krasniqit:

     Të qenurit në krye të institucioneve të larta të shtetit përveç që është një lloj privilegji, konsideroj që është shumë më shumë – përgjegjësi. Përgjegjësi jo vetëm për familjen tënde, grupin tënd a partinë që e drejton. Është përgjegjësi për afër dy milion qytetarët e Kosovës dhe për gjithë diasporën që është e lidhur ngushtë me atdheun e të gjithë atyre që kanë origjinë nga Kosova. Ata dëshirojnë që shteti i Kosovës te prosperoj!

     Nuk ka fije dyshime, Kosova ka shumë probleme, probleme të trashëguara e të krijuara nga padija, nga pa përgjegjësia dhe nga makutëria e njerëzve të veshur me pushtet. Nga Kosova kane ikur shumë njerëz, ata ikin përditë për shkak se këtu nuk e shohin perspektiven e tyre për punë e siguri, por Kosova sot nuk është Siri. Në vitet e Luftës Çlirimtare ishte Siri, por atë e bëri Serbia, politika e saj e gjenocidit, politikë që e donte Kosovën pa shqiptarë. Prandaj ia vuri zjarrin çdo gjëje. Ashtu siç ia vunë zjarrin Sirisë, Asadi e ISIS-i.

Institucionet e shtetit, drejtuesit e shtetit, për shkak te informacioneve që i kanë, janë të parët që duhet të ndalojnë çdo aktivitet, te kujtdo qoftë, që ta pengojnë e parandalojnë çdo përpjekje për ta bërë Kosovën Siri. Nëse Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri dhe çdo institucion tjetër i sigurisë kombëtare, janë të obliguar që t’i marrin masat parandaluese kundër secilit që i “pëlqejnë skenat e Sirisë”. Nëse është thënë sa për të thënë, është gabim i madh.

Vërtetë, kujt po i “pëlqejnë skenat e Sirisë”?! Nuk e di kujt i drejtohet kjo, por pse nuk është vendi të thuhet e nuk ka asnjë argument, jam më se i bindur. Veç amani ju koftë, ligji le të veproj për të gjithë uzurpuesit njësoj! Mos e ndjellni Sirinë, për të cilën gjendje atje, fajin e ka Asadi!

Qytetarëve që kanë vendimet e gjyqit për t’i liruar banesat nuk besoj që ju “pëlqejnë skenat e Sirisë”?!

Mjaftë nga vuçiqët po na vijnë akuza të tilla. Se paku ne mos t’ua vërtetojmë?! 

Komentoni