Lajme

Krasniqi: Kisha në oborrin e UP-së nuk duhet të rrënohet

Debatit për çështjen e kishës ortodokse që ndodhet në territorin e universitetit të Prishtinës i është bashkuar edhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA, Jakup Krasniqi, i cili në një shkrim ka mbështetur idenë që kjo kishë nuk duhet të rrënohet, por të kujtohet si një simbol i dështimit së projektit të Millosheviçit në Kosovë.

Ai thekson se duhet të merret seriozisht propozimi që kisha të bëhet muze i krimeve serbe.

“Propozimi i Avokatit Pallaska se Kisha e papërfunduar e regjimit gjenocidal të Millosheviçit të ruhet ashtu siç është dhe për të qenë objekt i një muzeu ku do të prezantohen krimet e gjenocidit serb në Kosovë, duhet të merret më shumë se seriozisht.” shkruan Krasniqi.

Ai më tej thekson “ Nuk besoj se do të mund të ketë ndonjë objekt tjetër, ku do të ruhej kujtesa më e freskët për gjenocidin e regjimit te Millosheviqit të ushtruar ndaj qytetarëve (shqiptarëve) të Kosovës, sesa në ketë objekt kishtar të papërfunduar. Një mesazh i tillë duhet t’ju jepet, diktatorëve te të gjitha ngjyrave. Duhet kuptuar drejtë se çdo përpjekje për te rinovuar e ruajtur destinimin fillestar i këtij objekti, pa dyshim se do të ishte vazhdim i krimit dhe i gjenocidit te atij regjimi dhe kjo nuk duhet lejuar. Krimi dhe gjenocidi duhet ta merr dënimin e merituar. Pra, mbijetesa e atij objekti që kishte qëllim përjetësimin e shkatërrimit të çdo gjeje shqiptare, ka kuptim vetëm nëse ai destinohet për Muze te kujtesës shqiptare, që do të dëshmonte Gjenocidin e Regjimit te Millosheviqit në Kosovë.

Krasniqi në shkrimin e tij thotë se shqiptarët kanë nevojë imediate për ta pasur përherë në kujtesë atë politikë shkatërruese të gjenocidit serb në Kosovë.

“Kujtesa jonë nuk guxon të jetë, kujtesë e “mendimeve të shkurtra”. Të bëhemi komb i mendimeve të gjata! Kosovës dhe Prishtinës si kryeqytet i mungon dhe i mungon shumë një objekt i tillë! Me ketë duhet të dakordohen të gjithë” përfundon shkrimin Jakup Krasniqi.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*