Kosova

Krasniqi i reagon Veselit për lokacionin e themelimit të UÇK-së

Ish- zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili sot gjatë ditës tha se celulat e para të UÇK-së janë formuar në Fakultetin Juridik të UP-së.

Sipas Krasniqit, UÇK-ja është formuar në mënyrë të natyrshme, ndërsa përmend Kullën e Jasharëve si një prej vendeve ku u themelua de facto UÇK-ja, ndonëse thotë se de juro ajo u emërua jashtë atdheut.

“Kulla e Jasharëve ka një rëndësi të veçantë për historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për historinë më të re të Kosovës. Në kullën ku u themelua de facto UÇK-ja ndonëse de jure ajo u emërua jashtë atdheut, mysafirë të shpeshtë ka pasur përfaqësues nga Llapi, Drenica, Dukagjini, Llapusha e Drinia etj”, thotë Krasniqi në një reagim dërguar mediave.

“Lindja e këtij organizmi politik e ushtarak u bë krejt në mënyrë të natyrshme, pa bujë, pa konferenca shtypi, pa storie filmike e incizime në celoluidë. Ndodhte kështu, se themeluesit e UÇK-së, qëllim paqësor e të vetëm kishin çlirimin e bashkimin e kombit e jo rrahagjoksin për përfitime familjare e klanore si ndodhi pas luftës çlirimtare”, shprehet më tej ai.

Krasniqi thotë se është në nderin e secilit qytetar të Kosovës që mos ta mohoj dhe as të dezinformojë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Historinë e re të Kosovës asnjë individ me “peshë” a po peshë politike, nuk mund ta rishkruaj sipas interesave personale të askujt! E aq më pak ta rishkruaj nëpër katedra të fakulteteve të ndryshme. Kryetari i Kuvendit, nëse ka informata se UÇK-ja është formuar në Fakultetin Juridik, do të duhej t’i tregojë opinionit themeluesit e saj. Kjo do të ishte me interes për opinionin publik e shkencor”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2016/2017, sot studentët i ka uruar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Veseli me këtë rast tha se “nga ky amfiteatër në vitin 1990 janë nisur edhe celulat e para të UÇK-së”. 

Komentoni