Lajme

KQZ anëtarësohet në Asociacionin e Zyrtarëve Zgjedhorë Evropianë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës është anëtarësuar në Asociacionin e Zyrtarëve Zgjedhorë Evropianë me të drejta të plota, duke u bërë anëtari i 25 i këtij Asociacioni. Ky vendim është marrë para pak çastesh në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të ACEEEO-s.

“Për anëtarësimin e KQZ-së në ACEEEO votuan shumica e përfaqësuesve të pranishëm në këtë mbledhje.  Kryetarja e KQZ-së së Kosovës, Valdete Daka, ka falënderuar pas votimit të gjithë ata që mbështeten anëtarësimin e KQZ-së. Ajo gjithashtu theksoi edhe ndihmën e madhe që KQZ-ja e Shqipërisë ka dhënë në këtë drejtim”, thuhet në një njoftim të KQZ-së. 

Në Tiranë që nga sot po mbahet Konferenca e 25 Vjetore e ACEEEO-s, e cila organizohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Shqipërisë dhe ku po marrin pjesë zyrtarë zgjedhorë nga rreth 40 vende të botës. 

Në këtë konferencë po merr pjesë edhe një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i kryesuar nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe në përbërje të anëtarëve: Ilir Gashi, Adnan Rrustemi, Binak Vishaj, Eshref Vishi, Ercan Spat dhe kryeshefit ekzekutiv të SKQZ-së, Enis Halimi.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*