Lajme

Kosovë-Shqipëri, në korrik më shumë se 1 milion e 164 mijë hyrje-dalje

Në vendkalimet kufitare Shqipëri-Kosovë korriku i vitit 2016 shënoi më shumë se 1 milion e 164 mijë (gjithsej 1164105) hyrje-dalje të personave, 12 për qind më shumë krahasuar me korrikun 2015, kur kishte 1033148 hyrje-dalje.

Në korrik 2016 kishte 292784 hyrje-dalje të automjeteve, 6 për qind më shumë se në vitin 2015, kur kishte 275570, bëri të ditur sot pasdite Policia e Kosovës.

Po sipas këtij burimi zyrtar, në korrikun 2016, të kësaj vere me vapë e sezoni pushimesh me fluks të rritur drejt bregdetit shqiptar, vetëm në dalje nga Kosova në Shqipëri kishte 530623 persona, 113543 vetura, 4192 autobusë, 6103 kamionë. Ndërsa, vetëm në hyrje nga Shqipëria në Kosovë kishte 633482 persona, 156723 vetura, 4898 autobusë, 7325 kamionë.

Policia kosovare ka bërë të ditur se në tre vendkalimet kufitare Shqipëri-Kosovë, në Vërmicë-Morin, Qafë Morinë dhe Qafë Prush, qershori 2016 me më shumë se gjysmë milioni – gjithsej 507886 hyrje-dalje të personave kishte rritje fluksi për 1.52 për qind krahasuar me qershorin 2015, kur kishte 500288 hyrje-dalje.

Fluks edhe më i madh se në qershor e korr ik pritet në muajin gusht, i cili që në orët e ditët e para ka nisur me kolona në vendkalimin kryesor nëpër autostradën e kombit – në Vërmicë-Morin e në vendkalimet tjera, e me mot me shumë diell e vapë.

Gjithnjë sipas njoftimeve të Policisë kosovare, gjatë tre muajve të verës 2015 – qershor, korrik e gusht, mes Shqipërisë e Kosovës kishte më shumë se 2.7 milionë (2732089) hyrje dalje të personave.
Viti 2015 në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri ka shënuar rritje të fluksit të njerëzve në hyrje-dalje gjithsej 26.75% – në hyrje 30.2% e në dalje 23.3%, si dhe të automjeteve 14.1% gjithsej në hyrje-dalje – 22.1% në hyrje e 6.2% në dalje, krahasuar me 2014-tën. Ishin gjithësej 5412238 hyrje-dalje të personave dhe 1849987 hyrje-dalje të automjeteve.

Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri, viti 2014 kishte shënuar rritje të fluksit të njerëzve për 19,312 % dhe të automjeteve për 21,883 %, krahasua r me 2013-ën.

Në këtë verë të 2016-tës, në 7 korrik në kufirin Shqipëri-Kosovë u nënshkruan procedurat e përbashkëta të kontrollit kufitar në pikëkalimin kryesor nëpër autostradë Morinë-Vërmicë, në territoret respektive. Nënshkrimi u bë në anën kosovare, Vërmicë, nga dy drejtorët e përgjithshëm të policive, i Shqipërisë Haki Çako dhe i Kosovës, Shpend Maxhuni.

Në 29 qershor, qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për pikë të përbashkët të kontrollit kufitar me Republikën e Shqipërisë, në sezonin veror.

Në 1 korrik ka nisur organizimi i shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor në Republikën e Shqipërisë gjatë sezonit veror, deri në 31 gusht, sipas memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në 30 qershor në Prizren nga drejtorët e përgjithshëm të policive të Shqipërisë e Kosovës, Çako e Maxhuni.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*