Lajme

Kosova humbet edhe ndaj Ukrainës

As ndeshja e tretë në eliminatoret për Botërorin 2018 nuk e shkëputi dot Kosovën nga vendi i fundit në grupin I, pasi 90-minutëshi ndaj Ukrainës regjistroi një humbje ndoshta të pamerituar 3-0. 

Përfaqësuesja e drejtuar nga trajneri Albert Bunjaku zhvilloi një ndeshje të mirë në stadiumin e Krakovës, por mungesa e eksperiencës dhe fatit e ndëshkoi me një faturë të kripur. 

Ukraina ishte skuadra e shtëpisë, por sfida u luajt në qytetin polak të Krakovës pasi qeveria ukrainase nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në qytetin e famshëm për huliganë, ekuilibrat u prishën pas gjysmë ore lojë, kur Kravetz, në një goditje të devijuar, i dha avantazhin Ukrainës. Rashica dhe Shala kishin mundësi për të lënë shenjë në transfertën ndaj Ukrainës, por goli i Kravetzit ishte i vetmi deri në pushim. 

Kosova ofroi një vendosje më të mirë në fushë në fraksionin pasardhës, por ishte aspak efikase në kuadratin e rivalëve. Një rast i diskutueshëm në minutën e 75 për penallti shkaktoi protestat e ekipit mik, ndërsa pak çaste më vonë shtylla i mohoi golin Bernard Berishës. Goli i dytë i Ukrainës erdhi në një moment shthurjeje të prapavijës së Kosovës, kur Iarmolenko finalizoi pasimin e Karavaiev në kuadratin rival. 

Porta e Samir Ujkanit vuajti më pas goditjen e nokautit me golin e Rotanit, i cili vulosi humbjen 3-0. Me një tjetër dështim, Kosova ndan vendin e fundit me Finlandën me vetëm 1 pikë. 

Kjo është humbja e dytë me radhë e Kosovës, brenda tre ditësh, pas asaj të 6 tetorit kur në Shkodër humbi ndeshjen nga Kroacia me rezultat të thellë 6:0.

Në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2018, Kosova gjendet në Grupin I, së bashku me Finlandën, Kroacinë, Ukrainën, Islandën dhe Turqinë, një grup aspak i lehtë për ekipin e ri e të papërvojë në garat ndërkombëtare të Kosovës.

Kosova u pranua në FIFA në Maj të këtij viti, përkundër kundërshtimeve të fuqishme të Serbisë dhe një numri vendesh tjera anëtare të federatës botërore dhe iu hap mundësia të niste garat ndërkombëtare në futboll.

a-1a-2a-3a-4a-5a-6

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*