Kosova

Kosova përfiton 25 milionë euro nga Kontrata e Reformës Sektoriale

Ministria e Administratës Publike sot ka filluar trajnimin katërditor për zbatimin e Kontratës së Reformës Sektoriale e cila është nënshkruar vitin e kaluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian.

Kontrata e Reformës Sektoriale e Administratës Publike të Kosovës, e cila për herë të parë po realizohet në Kosovë, përqendrohet në strategjitë relevante ekzistuese si Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike (SMAP), Strategjia për Rregullim më të Mirë dhe Strategjia për Përmirësimin e Planifikimit dhe Koordinimit të Politikave si dhe Agjenda Evropiane e Reformave (ERA).

Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar, deklaroi se hyrja në fuqi e Kontratës së Reformës Sektoriale avancon marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe është tregues se Komisioni Evropian konsideron se ka pjekuri institucionale dhe kapacitete profesionale për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore Kosovës nëse Qeveria arrin të zbatojë synimet e akorduara me kontratë.

“Kosova do të përfitojë 25 milionë euro nga Komisioni Evropian nëse kemi zbatim të suksesshëm të Kontratës së Reformës Sektoriale. Zbatimi i suksesshëm i Kontratës nënkupton modernizim të administratës publike dhe përmirësim të shërbimeve publike për qytetarët, përftime financiare për Kosovën dhe përafrim të vendit me Bashkimin Evropian, prandaj zbatimi i Kontratës së Reformës Sektoriale është prioritet kryesor për MAP dhe Qeverinë e Kosovës”, deklaroi Yagcilar.

Ministri Yagcilar tha se Kontrata e Reformës Sektoriale ka tetë indikatorë kryesor të cilët adresojnë sfidat kyçe në sektorin e administratës publike, siç është miratimi i Ligjit për Organizimin e Administratës Publike, Ligjit për Shërbimin Civil dhe Ligjit për Pagat.

“Kontrata e Reformës Sektoriale, dallon nga mbështetja e kaluar nga Komisioni Evropian për dy arsye kryesore: fillimisht, kontrata fokusohet në politikat kombëtare dhe financon reforma të cilat janë identifikuar dhe hartuar nga vetë Qeveria e Kosovës dhe rrjedhimisht kemi pronësi të plotë të procesit që reflekton nevojat e identifikuara nga vetë ne, dhe e dyta përkrahje buxhetore që kushtëzohet me zbatimin e objektivave të sektorit. Prandaj, ky trajnim sot është shumë i rëndësishëm që institucionet të jenë të përgatitura për mënyrën se si të koordinohet zbatimi dhe të raportohet tek Bashkimi Evropian për realizimin e kontratës”, tha ai.

Në kuadër të Kontratës së Reformës Sektoriale, janë tetë indikatorë kryesorë për vitin 2019 që Qeveria duhet t’i plotësojë.

Komentoni