Lajme

Kosova dhe Samoa lidhin marrëdhënie diplomatike

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari, është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në shtetin e pavarur të Samoas.

Në ditën e parë të vizitës së tij ambasadori Kiçmari ka takuar kryeministrin e Samoas, Tuilaepa Lupesoliai Sailele Malielegaoi, të cilin, pasi e ka falënderuar për votimin pro pranimit të Kosovës në UNESCO vitin e kaluar dhe për takimin miqësor me kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj në Nju Jork, e ka informuar mbi zhvillimet në Kosovë dhe rrugën e saj në procesin e integrimit në strukturat ndërkombëtare.

Me këtë rast ambasadori Kiçmari ka shtruar kërkesën për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve, duke shprehur gatishmërinë e popullit dhe institucioneve shtetërore të Kosovës për miqësi dhe bashkëpunim në mes të dy vendeve tona, raporton “Epoka e re”.

Kryeministri Malielegaoi, i cili është njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm, e ka falënderuar ambasadorin Kiçmari për vizitën dhe gatishmërinë për thellimin e miqësisë në mes të dy vendeve tona. Ai ka konfirmuar se shteti i pavarur i Samoas është i gatshëm për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve. Në ndërkohë nga Ministria e Jashtme e Samoas ambasadorit Kiçmari i është dorëzuar nota përmes të cilës zyrtarisht konfirmohet gatishmëria për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve.

Ambasadori Kiçmari do ta takojë gjatë ditës edhe ministrin e Arsimit, Sportit dhe Kulturës, Loau Solamalemalo Keneti Sio, shefen ekzekutive të MPJ-së të Samoas, Peseta Noumea Simin, rektorin e Universitetit Kombëtar të Samoas, Fui Leapai Tuua Asofou Soo, kurse nesër do të takojë disa nga shefat e misioneve diplomatike, të akredituar në Apia, kryeqytetin e Samoas.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*