Kosova

Konkurs shtesë nga MSh-ja për vendet e lira në specializim

Bordi Qendror për Shkollim Specialistik i Ministrisë së Shëndetësisë, në mbledhjen e mbajtur më 28. 09. 2016, ka marrë vendim për shpalljen e rezultateve për ndarjen e specializimeve sipas konkursit të shpallur në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë të datës 05. 08. 2016. 

Rangimi i kandidatëve është bërë sipas kritereve të shpallura në konkurs në kuotat përkatëse konkurruese dhe rezultatet janë publikuar gjithashtu në faqen zyrtare të MSh-së.

Në konkurs kanë aplikuar 527 mjekë për specializim për 250 vende të shpallura për specializime në fushë të ndryshme mjekësore.

Nga 527 aplikues, në intervistim nuk janë paraqitur 47 mjekë kandidatë. 

Prej gjithsej 250 vendeve për specializime përkatëse, janë plotësuar 185 vende, që do të thotë se kanë ngelur të pa plotësuara edhe 65 vende, nga të cilat 59 vende të lira në Kujdesin Parësor Shëndetësor sipas komunave. 

Ndërsa, në spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës mbetur i pa plotësuar 1 pozicion për toksikolog.

Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit ka mbetur i lirë 1 pozicion në Mjekësi Emergjente dhe 1 pozicion në Psikiatri, ndërsa te kuota e vullnetarëve është i pa plotësuar 1 pozicion në Transfuziologji. Në këtë konkurs, janë paraqitur 6 veteranë të luftës. 

MSh informon mjekët se së shpejti do të shpallet konkursi për plotësimin e vendeve të lira të mbetura nga ky konkurs, për FSK-në, për trojet (Lugina e Preshevës, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia) si dhe për disa kërkesa nga Institucionet Private Shëndetësore, për të cilat (IPSh) specializimi do të lejohet vetëm me kushte të veçanta. /KI/

Komentoni