Kosova

Konjufca shpjegon strategjinë e tij për pajtim në Vetëvendosje

Glauk Konjufca, që është caktuar për bisedime mes dy palëve që kanë mosmarrëveshje në Vetëvendosje, ka treguar se u ka propozuar palëve një zgjidhje me tri shtylla.

Sipas tij, ideja ka qenë që grupi kundër kryetarit Albin Kurti të mos e ketë më problem figurën e tij.

“E para, një pako e reformave në Vetëvendosje. Të gjitha pakënaqësitë që kemi t’i fusim në një pako të reformave. E dyta, një marrëveshje e përgjithshme e forumeve se si duhet maksimizuar fuqinë politike të Vetëvendosjes përmes vendosjes së njerëzve më të rëndësishëm në pozita me rëndësi. E treta, këto të dyja t’i propozohen Kurtit dhe Albin Kurti të pranohet me këto domosdo”, ka shpjeguar Konjufca strategjinë e tij për pajtim në Vetëvendosje.

Konjufca tregon pse refuzoi të bëhej kryetar i VV-së

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se nuk ka pranuar të bëhej kryetar i partisë.

Sipas tij, grupi kundër Kurtit kishte bërë plane që të bëjë Konjufcën kryetar.

“Unë mora vesh nga Shqipëria se po duan të më bëjnë kryetar, në tetor ose nëntor të vitit të kaluar. Thash cila është situata e re, çka paska ndodh. Thotë këtu është krijuar një grup që mendon se VV mund të rregullohet nëse Glauk Konjufca bëhet kryetar. Ata e kishin bërë një projekt për mua kryetar pa folur me mua fare. Kjo s’është në rregull. Merreni me mend të bëni dikë kryetar pa folur fare me të. Kjo s’e ka lezetin e befasisë. Ti të marrësh vesh që një grup i krijuar dëshiron të të bëj ty kryetar. Ua kam shpjeguar në mënyrë të qetë pa hidhërim. Ua kam shprehur shumë qetë që s’është interesi im. Boikeni ishte ai me të cilin ka folur Dardani dhe Boikeni më tha këtë. Kjo s’ka qenë fare korrekte nga ta.”, ka thënë Konjufca.

Më tej Konjufca ka treguar arsyet përse ka refuzuar një detyrë të tillë.

“Për kryetar duhet të kesh disa elemente të domosdoshme. Duhet të kesh ambicie për një punë të caktuar, unë s’e kam. Profili im si funksionoj unë në jetën politike nuk është ai pozicion në të cilin ndihem rehat. Nuk kam vullnet, nuk dua”, ka thënë Konjufca në Rubikon të KTV-së.

Konjufca thotë se përplasja në VV nisi kur Kurti i hyri në terren Molliqajt

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se përplasjet në këtë parti mes tash kryetarit Albin Kurti dhe ish-sekretarit organizativ Dardan Molliqaj nisën kur Kurti nisi të merrej me organizim të partisë.

Në Rubikon të KTV-së, Konjufca ka bërë të ditur se kishte dëgjuar nga Molliqaj për herë të parë se ka mospajtime me Kurtin në vitin 2015. Ndërsa për kritikën e Kurtit ndaj Molliqajt, Konjufca thotë se e ka dëgjuar për herë të parë në tetor të vitit 2016.

“Kurti viteve të fundit nisi të merrej me teorinë e organizimit, siç e quan ai. Edhe unë e kam krijuar profilin tim duke u marrë me politika dhe jo me organizata. Kurse Dardani ka qenë gjithmonë dhe e ka krijuar profilin në VV si njeri që merret me struktura. Tash Albini i ka hy në terren. Në një moment Albini e ka shkruar edhe një tekst se si ai mendon që duhej të ishte e organizuar Vetëvendosje. Teksti ka qenë gjatë vitit 2014, por në vitin 2015 mua më ka thënë Molliqaj për herë të parë që ka disa dallime konceptuale”, ka thënë Konjufca.

Komentoni