Lajme

Komisioni Shtetëror: Në zona kufitare nuk ka hapësira të paregjistruara

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror ka reaguar lidhur me pretendimet e fundit se nga Demarkacioni me Malin e Zi nuk është humbur territor i komunës, por territor i shtetit. Po ashtu, nga Komisioni kanë hedhur poshtë pretendimet se në zona kufitare ka hapësira të paregjistruara.

Në një njoftim për media nga Komisioni kanë thënë se një pretendim i tillë është i paqëndrueshëm dhe i pakuptimtë, duke u bazuar në dokumente kushtetuese, ligjore e hartografike.

Sipas njoftimit të Komisionit, nuk ka territor të shtetit që nuk është territor brenda një komune të caktuar, nuk ka territor të komunës e që ai territor nuk i takon shtetit dhe se shuma e territoreve të komunave e përcakton territorin e shtetit, përkatësisht sipërfaqen e Kosovës dhe se secila komunë e ka territorin e regjistruar me të gjitha pronat private, shtetërore, publike, shoqërore, fetare.

“Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror garanton që Republika e Kosovës nuk e rrezikon asnjë metër katror të sipërfaqes së saj dhe se ajo është në përputhshmëri të plotë me të gjitha dokumentet zyrtare nga Kushtetuta e vitit 1974 deri në vitin 2016”, thuhet në njoftim.

“Vija administrative ndërmjet katër komunave Junik, Deçan, Pejë dhe Istog të Kosovës dhe tri komunave Plavë, Berane dhe Rozhajë të Malit të Zi është njëkohësisht vija e kufirit ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në periudhën 1974 deri më sot gusht 2016. Siç shkruan edhe në ligjin Kufijtë administrativ të komunave të Kosovës neni 3.1. Kufijtë administrativ të Komunës janë kufijtë administrativ të zonave kadastrale që e përbëjnë territorin e Komunës në pjesën që kufizohet me komunën fqinje ose përputhet me kufijtë administrativ shtetëror të Republikës së Kosovës. Patjetër duhet kuptuar se të gjitha ish Republikat dhe Krahinat në ish Jugosllavi e kishin territorin e përbërë nga komunat. Kjo do të thotë se çdo parcelë së pari është pjesë përbërëse e Komunës e pastaj e Republikës përkatësisht e Krahinës. Edhe sot shtetet e krijuara nga shpërbërja e Jugosllavisë janë të përbëra nga komunat. Kufijtë komunal të ish-republikave dhe krahinave në ish-Jugosllavi, janë vendosur mbi parimin e vendbanimeve, të zonave kadastrale që i përkasin asaj komune, kështu është edhe sot në gusht të vitit 2016. Prandaj, nuk mund të humb territor shteti pa humb territor komuna”, vazhdon njoftimi.  

Sipas tyre, faktet se nuk ka territor të shtetit pa qenë ai territor brenda komunës, nuk ka territor të komunës e që ai territor nuk i takon shtetit, secila komunë e ka territorin e regjistruar me të gjitha pronat private, shtetërore, publike, shoqërore, fetare, nuk mund të injorohen dhe të tjetërsohen nga askush.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*