Kosova

Komisioni shtetëror: Kemi fakte se kundërshtuesit konfirmojnë atë që e kemi thënë ne

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror sërish ka dërguar një komunikatë për media duke ia bashkëngjitur edhe disa dokumente në mënyrë që të argumentojë saktësinë e demarkacionit me Malin e Zi.

“Me fakte të pakundërshtueshme, bëhet e qartë se Kosova nga ky proces nuk ka humbur as një metër të territorit, se procesi është kryer në përputhje të plotë me të gjitha standardet, dokumentet dhe procedurat bashkëkohore ndërkombëtare, të cilat mund të konfirmohen në çdo kohë dhe në të gjitha aspektet”, thuhet në një komunikatë për media e Komisionit Shtetëror për Demarkacionin.

 Sipas Komisionit në  këtë material, konfirmohen edhe kundërthëniet e kundërshtuesve të këtij procesi, të cilët në vitin 2007, me dokumente zyrtare konfirmojnë se procesi aktual është plotësisht në rregull, ndërsa sot bëjnë manipulime të të dhënave që vet i kanë krijuar.

 “Fjala është për  ish kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Përparim Ameti, i cili së bashku me disa prej kundërshtuesve të sotëm, zyrtarisht e vërteton sipërfaqen dhe kufirin e Kosovës.

Ameti dhe kolegët e tij, në vitin 2007 kanë prezantuar hartat me kufijtë identik të viteve 1974-1988-1999-2016, kufi i vërtetuar edhe nga komisioni shtetëror”, thuhet në një komunikatë për media.

 Komisioni shtetëror i mbështetur në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës e marrëveshjet ndërkombëtare ka ofruar dhe me profesionalizëm ofron fakte të qëndrueshme, të pamohueshme dhe të vërtetuara në nivelin kombëtar e ndërkombëtar.

Të dhënat për territorin e Kosovës janë  të rëndësishme dhe shumë qëllimore ashtu si ceket edhe në ligjet e kadastrit të tokave.

Organet Krahinore të Kosovës, edhe tani Shteti i Kosovës, kërkon nga institucioni më i lartë për Kadastër, gjeodezi dhe hartografi të bëhen matjet e tokave për të gjetur shënimet horizontale dhe vertikale të terrenit të territorit të Kosovës.

Fushëveprimi i kadastrit është që t’u shërbej institucioneve publike, duke ofruar të dhëna kadastrale të nivelit qendror dhe lokal, sektorit privat dhe qytetarit në Kosovë të cilët merren me administrimin e tokës. Ky shërbim me të dhëna bëhet për njësitë kadastrale dhe administrative nëpërmjet të Sistemit të Informimit Kadastral dhe Tokësor të Kosovës (SIKTK).

Kadastri mbështet veprimet e personave fizik dhe juridik për qëllimet administrative, juridike, ekonomike dhe shkencore.

Diskutime të shumta janë zhvilluar për të dhënat e paraqitura në EuroGeographics, të cilat kanë mund të shkojnë në disa forma. Këtu vjen një sqarim i shkurtër, por një gjë është e sigurt që EuroGeographic nuk lejon paraqitjen e të dhënave të mbivendosura apo hapësira ndërmjet të kufijve shtetërorë.

 Në EuroGeographic janë të anëtarësuara Autoritetet kombëtare për hartografi, kadastër dhe regjistrim të tokave. Këto autoritete janë të obliguara t’i paraqesin të gjitha njësitë administrative të shtetit. Për këtë arsye gjeometria e kufijve është mjaft e rëndësishme për shtetet fqinje. Këto të dhëna gjithashtu prezantohen edhe në partnerët strategjik të EuroGeographic siç është Eurostat.

 

 

Komentoni