Lajme

Koha për t’u ndalur e reflektuar

Shkruan: Bahri BIVOLAKU

Dëshirat, interesat, egot, prepotenca na e përbëjnë ritmin e jetës së politikës në Kosovë, qoftë ajo në rrafshin individual apo edhe të organizuar. Ritmi i tillë shpeshherë ta shkatërron mendjen dhe shpirtin madje edhe të prek emocionalisht, gjë që të pengon të veprosh racionalisht dhe me arsye politike. Mendoj të jetë koha për ta ndalur dhe pushuar pak nga ky ritëm për të gjithë ata të cilët janë të mbuluar me dëshira e interesa të tilla, pasi që nëse nuk reflektojmë kështu, do të shpenzohen e mbase pas një kohe të hidhen si një leckë. Të tillët duhet të aftësohen për të pirë ujë nga burimet e paqes të ndershmërisë, ligjshmërisë për të arritur qetësinë e duhur politike. Po harrojmë që Kosova tani nuk është e vitit 2000 dhe se po e kalon me sukses fazën kur ajo u takonte atyre me mendje të shkatërruar e të mbuluar nga interesat. Është koha për t’u ndalur, pushuar e menduar në qetësi e paqe. Është koha e të menduarit pozitivisht për të arritur tek qëllimi politik si vlerë e përbashkët. Është koha për ta qetësuar shpirtin nga emocionet e krijuara se dikush të pengon ta realizosh dëshirën për përfitime, interesa e prepotenca nga ambiciet e sëmura.

Rrugëtimi i daljes nga adoleshenca politike

Një anekdotë popullore tregon se si një djalë kishte dal rrugës për të lozur, por si i lazdruar që ishte porsa sheh një të moshuar e gjuan dhe e godet me gurë në kurriz. Plaku u kthye e thirri fëmijën dhe i jep ca para. Një ditë tjetër prapë djali i lazdruar del në rrugë dhe takon një të moshuar tjetër dhe si të parin e godet me gurë duke menduar se do t’i jep para. Plaku u kthye, e zuri dhe e rrahu mirë me krryle, djali si u largua pak tha: “Aii agjë a nuk jep edhe t’i para si ai tjetri a?”. “Jo Vallah”-ja priti plaku, unë ata që më godasin vetëm i godas.
Po e lidhi këtë anekdotë shumë domethënëse për realitetin e sotëm shoqëror por që në një formë tjetër lidhet edhe me vet pozicionin politik në të cilin gjendet Kosova. Skena politike kosovare mendoj që ka nevojë që në rrugëtimin e saj të takohet me plakun e dytë për të nxjerrë racionalen politike dhe larguar nga demonizimet dhe kërkesat joracionale për kohën.
Orvatja në shoqëri por dhe në politikë për të bindur të tjerët se gjithçka mund të ngritët nga e para nuk tregon asgjë veç adoleshencës politike.
Dikush në shoqërinë kosovare por edhe vet politikën me veprimet tekanjoze po i paguajnë shpenzimet e të nesërmes duke qenë të vetëdijshëm se e kanë humbur të tashmen, pra po i bëjnë dëm edhe të nesërmes.
Ata duhet të hynë në fuqinë e të tashmes, realen, e cila të jep argumentin e kërkesës së faljes e që pastaj kjo ta bëjë të pafuqishme të kaluarën, e cila tregohet si pengesë e pajtimit dhe progresit.
Sot në Kosovë nuk është koha të krijojmë dhimbje për të tashmen, por të punojmë për të ardhmen me vizion të qartësuar. Mendjet dhe kapriçot egoiste, individuale apo edhe grupore e partiake kur udhëheqin në jetët tona nuk do të na lënë të qetë veç intervaleve të shkurtra kohore nga përvetësimet dhe sukseset afatshkurtra. Kosova nuk guxon ta humbë të tashmen e krijuar pasi humbja e të sotmes të kthen gjithnjë në të djeshmen e koha është për të punuar për të nesërmen.
Shoqëria, por dhe politika tani duhet të jetë më e përgjegjshme dhe racionale që të mos takohet me plakun e dytë, i cili godet për të na disiplinuar dhe nxjerrë veprimet e arsyeshme. Duhet respektuar miqtë, duhet qenë mirënjohës ndaj atyre që na nxorën nga bataku ku ishim, por edhe se ku kemi mundur të ishim. Duhet të jemi të sinqertë nga fjalët, porositë që japim për të qenë në koherencë me veprimet që bëjmë.
Shpirtmadhësia kërkohet nga kjo shoqëri për ta tejkaluar këtë gjendje, e cila padyshim që vije në përfundim racional të faljes se nuk dimë se ç’bëjmë, pasi ende janë në fazën e adoleshencës politike.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*