Intervista

Kodheli: Politika pengon FSK-në të bëhet pjesë e paqeruajtësve

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, thotë se Shqipëria si një prej monitoruesve të shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vlerëson se FSK-ja ka plotësuar gjithçka dhe ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë.

Sipas saj, hapi tjetër që duhet të hidhet është politik dhe lidhet me veprimtarinë e Kuvendit të Kosovës. Ministrja thekson se Shqipëria ka interesa përtej kufijve të saj, për aq kohë sa shteti tashmë i pavarur i Republikës së Kosovës është një shtet shqiptar si dhe për shqiptarët në shtetin maqedonas dhe në Mal të Zi. Zonja Kodheli vëren se politika pengon që trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës të bëhen pjesë e paqeruajtësve të ushtrisë së Shqipërisë nëpër botë. Intervista me ministren Kodheli u bë kur trupat e FSK-së marrin pjesë në stërvitjen më të madhe të ushtrisë shqiptare dhe NATO-s në 10 vjetët e fundit, që po zhvillohet në Shqipëri.

Zonja ministre, tungjatjeta dhe faleminderit për kohën që gjetët për radiot “Kosova” të Radio Televizionit të Kosovës. Është kënaqësi që bisedojmë përsëri.

Mimi Kodheli: “Kënaqësia është e imja, sepse nëpërmjet jush mund të lidhem me shqiptarët kudo që janë dhe kjo është një gjë shumë e këndshme sa herë që ndodh”.

Zonjë, e shihni rrezikun e Rusisë në Ballkan? Jo thjesht për shkak të aleancave të saj të vjetra, por padyshim që Shqipëria duke mbështetur politikën e dyerve të hapura, e mbështet Malin e Zi, e mbështet shtetin maqedonas. Por, ka një element thelbësor që i mungon fqinjësisë së mirë: Shqiptarët në Malin e Zi dhe në shtetin maqedonas nuk kanë nivelin e kërkuar të të drejtave të tyre. Përse Shqipëria i mbështet këto vende? Mos vallë për shkak të rrezikut nga Rusia?

Mimi Kodheli: “Shqipëria është më shumë se sa e interesuar, më shumë se kushdo i interesuar të ketë mbarëvajtje të punëve ballkanike. Këtë interes politika e jashtme shqiptare e ka demonstruar në vite dhe absolutisht Shqipëria është ndoshta faktori më stabilizues në rajon. Flas për faktorin shqiptar.
Sigurisht që Shqipëria ka interesa përtej kufijve të saj, për aq kohë sa shteti tashmë i pavarur i Republikës së Kosovës është një shtet shqiptar. Ka pjesë të qenësishme dhe të rëndësishme të ekzistencës së shqiptarëve, ashtu siç edhe ju e përmendët në Maqedoni dhe në Mal të Zi.

Por, stabiliteti i këtyre dy vendeve të fundit është absolutisht shumë i rëndësishëm dhe rruga e tranzicionit për të njohur më shumë të drejta minoriteteve të këtyre dy vendeve do të ndihmohet pa as më të voglin dyshim nga fakti që Mali i Zi, tashmë ka marrë ftesën përfundimtare për të qenë vend anëtar i NATO-s dhe pritet vetëm ratifikimi në të gjitha parlamentet e vendeve NATO, të anëtarësimit të tij.
Dhe, Maqedonia është në rrugën që duhet. Kjo gjë do t’i ndihmojë këto vende të demokratizohen më tepër dhe për pasojë do t’i ndihmojë këto vende të rrisin mundësinë e të qenit stabël edhe nëpërmjet rritjes së të drejtave të shqiptarëve në këto vende.
Ndaj përveç fqinjësisë së mirë, fakti që këto vende një ditë të afërt shpresoj do të jenë anëtare me të drejta të plota të NATO-s, veçse favorizon shqiptarët kudo që janë”.

Pra, po kuptoj që me hyrjen e këtyre dy vendeve në NATO, shqiptarët do të kenë të drejta më të mëdha. Mirëpo kjo logjikë nuk shkon njëjtës me atë që shteti maqedonas pasi firmosi marrëveshjen për Stabilizim-Asociimit, nuk i ndryshoi të drejtat e shqiptarëve, madje i kufizoi ato. Natyrisht që kjo është një çështje politike, pra do të thotë që kryeministri Edi Rama kishte parasysh pikërisht këto zhvillime kur la të hapur një mundësi ose së paku dyshime si një mundësi për të mos mbështetur shtetin maqedonas në rast se nuk i plotësonte të gjitha detyrimet e tij ndaj shqiptarëve?

Mimi Kodheli: “Shqipëria, qeveria shqiptare ka qenë shumë e kujdesshme në të gjitha qëndrimet që ka mbajtur në raport me fqinjët. Vendet fqinje ashtu si edhe Shqipëria, janë vende me demokraci të reja dhe janë vende në procese zhvillimore të rëndësishme.

Kjo do të thotë që nga ana tjetër në Ballkan kanë ndodhur ngjarje, sidomos në këto 3 vitet e fundit, që më parë, por edhe në 20 vitet e fundit nuk janë menduar që do të ndodhnin.
Shikoni Ballkanin e para 25 viteve. Ka qenë në shumicë në luftë. Sot Ballkani është shumë më i qetë, transmeton shumë më tepër siguri. Dhe kjo falë politikës së ndjekur nga të gjitha vendet, duke vënë Shqipërinë në krye të tabelës.
Ne nuk kemi menduar vite më përpara që një Kryeministër shqiptar mund të vizitonte Beogradin, gjë që ndodhi mbas 60 e kusur viteve. Ne nuk kemi menduar deri dje, e kemi shpresuar shumë por jo domosdoshmërisht e kemi parë këtë kaq të afërt, që Kosova do të gëzonte jo vetëm këtë pavarësi dhe këto të drejta dhe këto anëtarësime që Kosova po merr njëra pas tjetrës.
Por, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është sot një forcë, e cila po avancon drejt transformimit të saj drejt një forcë mbrojtëse.
Zhvillimet në Maqedoni kanë qenë zhvillime le të themi shqetësuese për vetë Maqedoninë, për vetë pjesën shqiptare, për vetë rajonin. Por, kjo është pjesë e zhvillimit dhe ne duhet të jemi këtu për ta mbështetur demokracinë dhe zhvillimin duke pasur parasysh që një pjesë e mirë e rëndësishme e jetës maqedonase, e shoqërisë maqedonase, e demokracisë së Maqedonisë ndikohet dhe ka zënë kapitull për shkak të ekzistencës së shqiptarëve.

Të gjitha këto janë zhvillime, të cilat Shqipëria dhe qeveria shqiptare i ndjek me vëmendje.
E rëndësishme është që ajo çka ne transmetojmë dhe transportojmë tek të tjerët, është siguria dhe stabiliteti.

Dhe, kjo është një gjë që vlerësohet jo vetëm nga kancelaritë evropiane, vlerësohet nga partnerët tanë strategjikë ShBA, por duhet të vlerësohet më shumë nga vetë ne brenda Shqipërisë!
Sepse, shpesh herë ne e marrim si një gjë krejt normale (“for granted” thuhet në anglisht) që po, kështu duhet të jetë. Siguria, qetësia që ne gëzojmë është sepse kështu duhet të jetë.
Në fakt kështu është, por ka disa njerëz, ka disa institucione mbas kësaj sigurie që ne transportojmë, që e bën këtë të mundur.

Dhe sigurisht kjo është qeveria shqiptare, ky është Edi Rama, kjo është Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, kjo është Ministria e Mbrojtjes Shqiptare, kjo është Ministria e Punëve të Brendshme, kjo është Ministria e Drejtësisë, kjo është e gjithë qeveria, e kulturës, e cila transmeton në rajon këtë siguri, për të cilën folëm. Që, është sociale, që është ushtarake, që është territoriale e kështu me radhë”.

E përmendet Kosovën si një faktor tashmë shtet. Më thoni zonja ministre, sa studentë nga Kosova kemi në akademitë tona? A janë ata aq të aftë për t’u bërë pjesë pse jo e misioneve paqeruajtëse të Shqipërisë dhe pse nuk ndodh kjo?

Mimi Kodheli: “Ne kemi folur në fakt në një mënyrë ose në një tjetër jemi monitoruesit, një prej monitoruesve  të transformimeve që ndodhin në Forcës së Sigurisë së Kosovës.
FSK ka plotësuar gjithçka, ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë. Tani hapi tjetër që duhet të hedhë është një hap politik, që ka të bëjë me veprimtarinë e Parlamentit kosovar.

Problemi nuk është tek Akademitë. Ne, madje kemi çuar studentë në akademitë dhe shkollën ushtarake të Kosovës dhe për këtë më duhet të falënderoj nga zemra homologun Haki Demolli.
Por, e rëndësishme për ne është që megjithëse ne kemi kërkuar që Forca Speciale apo Forca të caktuara të bëhen pjesë, mendoj që është akoma herët, por është një gjë që do të ndodhë shumë shpejt.

Dhe ndaj le të themi që Forcat e Sigurisë së Kosovës sot po përgatiten gjithmonë e më tepër që hapi i parë, pasi FSK të transformohet në një Forcë Mbrojtëse, të mund të jetë pjesë e forcave tona në misionet tona të përbashkëta të NATO-s”.

Është herët për shkak të kapaciteteve që kanë studentët e të dy vendeve apo për shkak të ndonjë linje kundërshtuese politike brenda NATO-s?

Mimi Kodheli: “Shiko, janë të gjitha bashkë nga pak. Ka një proces dhe unë nuk besoj që djegja e etapave e favorizon, suksesin e një procesi. Sa më respekt të kesh për etapat aq më i suksesshëm dhe më i qëndrueshëm është suksesi në fund të ditës.

Kështu që besoj që ata janë në rrugën e drejtë, ashtu siç edhe e ritheksova i kanë bërë tashmë detyrat e shtëpisë, thjesht dhe vetëm një proces ka nevojë të piqet qoftë edhe politikisht, për të shkuar drejt suksesit përfundimtar”.

Të dy qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë në mbledhjet e përbashkëta apo në takimet e ndryshme kanë arritur edhe marrëveshje. A përfshihen në këto marrëveshje mundësia, sa armatim apo municion, bazë materiale i keni dhënë Kosovës? A vazhdon Shqipëria të jetë një mundësi e mirë që ata të pajisen me armë të saj?

Mimi Kodheli: “Jo, kjo nuk është. Ajo çka është e rëndësishme të ndaj me ju është që Kosova duhet të fillojë të jetë pjesë aktive e iniciativave rajonale të NATO-s, duke filluar “A5” apo iniciativave të tjera rajonale.

Dhe ky është hapi i parë për të kapërcyer pastaj në procedura mirëfilli, të mirë përcaktuara drejt rrugëtimit në NATO. Kështu që kjo nuk ka të bëjë fare, ky është një zhvillim politik që ndodh. Kjo nuk ka të bëjë fare me armatimin.

Kosova është një vend i pavarur sot, ka buxhetin e vet të Forcës së Sigurisë. Bën prokurimet e veta, bën blerjet e veta dhe jo domosdoshmërisht ka një shkëmbim me Shqipërinë. Përkundrazi”.

Pra Shqipëria nuk do të jetë e përjashtuar nëse ata do të kenë një politikë të tillë në blerje?

Mimi Kodheli: “Shqipëria sot nuk prodhon, ndaj edhe nuk eksporton armatim. Shqipëria blen armatim të standardeve të NATO-s nga vendet e tjera. Kështu që nuk mund të jetë Shqipëria një vend që jep, që shet apo qoftë edhe fal armatim.

Sepse Shqipëria vazhdon të ketë nevojë vetë, FA për armatim dhe municion të standardeve NATO. Ne sa e kemi filluar para një viti e gjysmë këtë proces”.

Shërben stërvitja e përbashkët “Luani Shqiptar” me Britaninë e Madhe për të provuar kapacitetet e Shqipërisë?

Mimi Kodheli: “Sigurisht, pa këto stërvitje të përbashkëta është e pamundur që të mund të jesh i sigurt për suksesin nëse një gjë konkrete ndodh. Në vitin e kaluar kemi marrë pjesë në stërvitjet më të mëdha që NATO kishte realizuar në këto dekadat e fundit dhe kemi marrë suksesshëm pjesë atje.
Kemi marrë vlerësime të drejtpërdrejta për të gjithë ushtarakët që kanë qenë pjesë e këtyre stërvitjeve. E ndihmon vetë Shqipërinë një stërvitje e tillë e këtyre përmasave. Imagjinoni 1500 ushtarë të huaj britanikë, amerikanë, por edhe nga rajone të tjera, edhe nga Kosova janë prezentë në territorin shqiptar.

Dhe, kjo thjesht dhe vetëm bën të mundur që një ngjarje e jashtëzakonshme të mund të jetë, nëpërmjet stërvitjes të mund të bëhet diçka e zakonshme, në mënyrë që lufta që mësohet të bëhet, e uroj shumë që mos të ndodhë asnjëherë, të mos ketë një luftë në kompjuterë, por të jetë diçka pranë realitetit dhe këtë më shumë se sa stërvitja nuk e bën askush të prekshme.
Ka zhvillime dhe kjo sjell nevojën e bërjes së sa më shumë stërvitje dhe kjo i bën vetëm mirë Forcave të Armatosura, ashtu siç i bën mirë çdo force tjetër. Por më së pari i bën mirë sigurisë së vendit”.

Komentoni