Lajme

Koci: Nuk besoj se Thaçi e Veseli do të akuzohen nga Specialja

Tashmë është bërë e ditur se Gjykata Speciale do të nis punën e saj në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

Dhomat e specializuara të kësaj gjykate do të trajtojnë çështjet që dalin nga raporti i Dick Martit, i cili u shndërrua në raport të Këshillit të Evropës dhe fajëson ish-pjesëtarë të UÇK-së, për krime lufte përfshirë edhe trafikim të organeve njerëzore.

Ky raport përfshinë emra të njohur të skenës politike në Kosovë, ndër ta Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Azem Syla etj.

Mirëpo avokati i njohur, Arianit Koci nuk beson se emrat e lartpërmendur do të akuzohen.

Në një prononcim për Indeksonline, Koci ka thënë se pohimet e raportit të Martit janë hetuar më shumë se një herë dhe në përfundim kanë dal të jenë të pabaza.

“Raporti i Dick Martyt i cili pastaj u aprovua në Këshillin e Evropës, e inicioi krijimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte. Pohimet në këtë raport, janë hetuar më shumë se një herë nga institucione ligjvënëse lokale dhe ndërkombëtare, dhe çdo herë u arrit në përfundimin se ato janë tërësisht të pabaza. Absolutisht, nuk besoj qe z. Thaci, z. Veseli, etj., do të akuzohen”, ka thënë Koci.

Tutje Koci ka theksuar, se nëse dikush ka kryer ndonjë vepër penale ka përgjegjësi individuale.

“Prokuroria po i vazhdon hetimet, mund edhe të ketë gjetur prova për kryerjen e veprave penale nga individ të caktuar.  Por, nëse ka kryer dikush ndonjë vepër penale, ka përgjegjësi individuale. Lufta e UÇK-së, ka qenë luftë e pastër, kjo do të dëshmohet edhe në këtë gjykatë, siç është dëshmuar në Tribunalin e Hagës”, ka thënë ai.

Sipas tij, krimet e të gjitha llojeve që kanë ndodhur në Kosovë, duhet të hetohen dhe gjykohen nga institucionet vendore.

“Bërllogun tonë, nëse ka, duhet ta pastrojmë vet”, ka thënë Koci.

Kujtojmë që kryeprokurori i Gjykatës Speciale, David Schwendiman, kishte thënë se askush nuk ka imunitet për të mos u ndjekur penalisht për shkelje të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*