Lajme

KMDLNj viziton Burgun e Hapur në Smrekonicë

Monitorues të KMDLNj-së , në kuadër të mandatit dhe me përkrahje të KFOS- it, vizituan Qendrën Korrektuese në Smrekonicë që llogaritet si Burg i Hapur dhe Burgun për Siguri të Lartë në Gërdoc që konsiderohet si burg për të paraburgosur apo të dënuar me rrezikshmëri të lartë apo shumë të lartë.

Arsyeja e vizitës ishte kërkesa e disa të dënuarve që konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat e njeriut sikur edhe disa raste të identifikuara nga KMDLNj e që trajtohen si të ndjeshme.

Gjendja e përgjithshme në këto dy burgje , sipas KMDLNj-së është e mirë ndonëse ka vërejtje në punën e Panelit për Lirim me Kusht dhe moszbatim të faljes nga Presidenti dhe Ligjit për Amnisti.

Në Burgun e Hapur të Smrekonicës , përfitues të benificioneve është në shkallën 53% e që për KMDLNj- në është shifër e ulët për shkakun se Smrekonica llogaritet stacioni i fundit drejt lirisë për të dënuarit.

Klasifikimi i atyre që dërgohen në Smrekonicë është temë që duhet të diskutohet dhe trajtohet më seriozisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë. Nga Smrekonica ishte një arratisje – largim i një të dënuari e kjo ndodhi si pasojë e klasifikimit por edhe mungesës së stafit. E fundit , për KMDLNj-në është e palogjikshme që dikush të arratiset apo të largohet nga Burgu i Hapur në Smrekonicë kur aty janë të gjitha mundësitë të përfitohen beneficionet.

Në Burgun për Siguri të Lartë ka rregull dhe disiplinë si edhe kushte të mira fizike për të dënuarit ndonëse në aspektin e risocializimit dhe atë psikologjik e sidomos për shkak të mosfunksionalizimit të njësisë ekonomike të dënuarit përballën me vështirësi, pa fajin e tyre. KMDLNj e kundërshton faktin se aty mbahen të dënuar në kushte izolimi për një kohë të gjatë sikur edhe të paraburgosur.

Pikërisht për këtë arsye e vizitoi të dënuarin XX , dëshmitar i mbrojtur , i dënuar që mbahet në izolim më tepër se katër vite andaj, për këtë arsye XX ka filluar grevën e urisë duke kërkuar të trajtohet si të dënuarit e tjerë dhe në përputhje me LESP. Pas kësaj vizite dhe pas takimit me përgjegjësit e BSL në Gërdovc, KMDLNj konstaton se përfillen Protokollet e Grevës si nga përgjegjësit e Burgut për Siguri të Lartë në Gërdoc , ashtu edhe nga i dënuari XX. I dënuari XX nuk kishte vërejtje fare në sjelljet e stafit dhe përgjegjësve te BSL por kërkonte të hiqej nga izolimi dhe disa kërkesa të tjera që nuk hyjnë në mandatin e KMDLNj-së. Gjendja shëndetësore e të dënuarit XX ishte e mirë dhe ai kishte përkujdesje shëndetësore gjatë 24 orëve. KMDLNj gjithmonë ka kërkuar që veçimi – izolimi i të dënuarve të arsyetohet me një bazë ligjore sikur edhe të afatizohet në kohë gjë që nuk ka ndodhur me të dënuarin XX prandaj e konsideron si rast që i shkelen të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria prandaj edhe kërkon pezullimin e këtij vendimi.

KMDLNj inkurajon Shërbimin Korrektues të Kosovës të bëjë reforma brenda këtij Shërbimi sikur edhe të funksionalizojë njësinë ekonomike si mundësi për risocializim të të dënuarve sikur edhe si mundësi për regjenerim të të hyrave për Shërbimin Korrektues të Kosovës. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*