Ekonomi

KMDLNj: Projekti Envidity – Hiroshimë për mjedisin në Kosovë

Kompania Envidity, para tre vjetësh ka konkuruar me një projekt për shfrytëzimin e linjitit të Kosovës për qëllime ekskluzivisht përfituese mirëpo, për shkaqe të bllokadës institucionale nuk u realizua kërkesa e saj në ndërkohë që u aktualizua duke e marrë thuaja formën e së realizueshmës shkaku se tash ka përkrahje politike për këtë investim shumë përfitues për investuesin dhe shumë të dëmshëm për sistemin mjedisor të Kosovës. Për të qenë më bindës, kjo kompani e shfrytëzon ish gjeneralin Klark i cili, gjithashtu përfiton nga kjo katasrofë mjedisore me të cilën do të përballet Kosova nëse deputetët e Kosovës e votojnë këtë Hiroshimë mjedisore. Është bërë thuaja rregull që personalitetet e politike që u kanë shërbyer shteteve të tyre gjatë dhe pas bombardimeve i keq- përdorin lidhjet dhe ndikimin politik mbi politikanë të korruptuar të Kosovës për të përfituar materialisht, edhe ata sikur edhe kompanitë, në bordet e të cilëve janë. Edhe gjenerali më i ri i “Kosovës”, gjenerali Xhekson që ua mundësoi rusëve ta marrin aeroportin e Prishtinës e që u dekorua pameritueshëm nga një president kontravers, ishte pjesë e një përpjekjeje për të përfituar personalisht si dhe kompania që e përfaqësonte. Sigurisht se në këtë funksion ishte vizita e fundit që e bëri në Kosovë. Të gjithëve u kujtohet një mashtrues dhe dhunues ordiner i veshur dhe mbrojtur me petkun e ambasadorit siç ishte Behtel Enka end Dell i cili, së bashku ma mafian e vendit e dëmtoi shumë buxhetin e Kosovës. Edhe ish sekretarja e shtetit, tash e pensionuar, deshi ta privatizojë Telekomin e Kosovës. Korrupsionin dhe konfliktin e interesit në Kosovë e përligji kryeadministratori Kushner duke ia dhënë prefiksin e telefonisë mobile si dhe ekskluzuvitetin, shtetin të vet, Monakos dhe Bankës Prokredit. Mos të flasim për nivele më të ulëta. Realisht e kemi një keqpërdorim të skajshëm të personaliteteve ndërkombëtare që hynë me biznese në Kosovë, jo në saje të cilësisë por në saje të ndikimit politik. Sikur që e kemi edhe nënshtrimin e pakusht të politikanëve të vendit.

Para se deputetët e Kuvendit të japin pëlqimin për projektin Envidity e të cilin KMDLNj e konsideron “ Hiroshimë mjedisore “ duhet ta kenë parasysh “ gjigantin “ e Ferronikelit që u shitë për para të imëta nga ministra të papërgjegjshëm dhe shpërdorues dhe pasi privatizuesi i nxori fitimet e shumëfishta, Ferronikelin e shndërroi në varrezë masive kurse më shumë se 800 familje i shndërroi në kategori sociale. Dikush do të duhej t’i nënshtrohet përgjegjësisë për Ferronikelin dhe fatin e këtyre 800 familjeve që, pa fajin e tyre kanë mbetur në rrugë.

Ruajtja e mjedisit është e drejtë elementare e njeriut dhe si e tillë është e mbrojtur me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut mirëpo në Kosovë kjo e drejtë po shkelet në mënyrën më flagrante. Eksploatimi i thëngjillit, si resurs energjetik është masë e skajshme e cila në Evropë as që diskutohet përdorimi i saj. Pse Kosova do të bënte përjashtim kur Greqia ka konfiguracion më të përshtatshëm për këtë dhe nuk e lejon shfrytëzimin e linjitit ndonëse është në një krizë të thellë ekonomike? Projekti Envidity paraqet rrezik strategjik mjedisor për nëntokën ( ujërat ) dhe mbitokën ( ajrin ) prandaj nuk do të duhej të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Nga ky projekt fitimi kryesor do t’i takojë investuesit kurse Kosovës do t’i takojnë pasojat prandaj duhet të ketë një reagim shoqëror, në kundërshtim të këtij projekti apokaliptik për mjedisin e Kosovës. /KI/

Komentoni