Lajme

KMDLNj: Mosdhënia e ndihmës mjekësore, shkelje e të drejtave të njeriut!

Pas incidentit në mbrëmjen e Festivalit “Beer Fest” me ç’rast u lënduan, për shkak të panikut të krijuar, dhjetëra persona të cilët edhe kërkuan ndihmë mjekësore në QKUK, gazetares së “Koha Ditore”, znj. Saranda Ramaj i është mohuar ofrimi i shërbimit shëndetësor pasi është identifikuar se është gazetare ndonëse, sipas znj. Ramaj, ajo nuk ka shkuar atje në cilësinë e gazetares por në cilësinë e qytetares së lënduar. KMDLNj përkujton QKUK – në, përkatësisht ekipin mjekësor që ka kujdestaruar se mosdhënia e ndihmës mjekësore paraqet vepër që ndëshkohet sipas ligjit dhe njëkohësisht është shkelje e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe shkelje e të drejtave të pacientit në veçanti. Ekipi mjekësor i mbështetur në etikën profesionale që për bazë e ka betimin e Hipokratit nuk mund të ofrojë shërbime shëndetësore selektive apo në bazë të profesionit që ka pacienti. Nuk është detyrim i punëtorit shëndetësor që t’i bindet opinionit politik por të ofrojë shërbimin dhe ndihmën e duhur shëndetësore.

Në këtë kontekst, KMDLNj kërkon nga organet drejtuese të QKUK – së që të nisin hetimet e brendshme për “rastin Saranda Ramaj” dhe pas përfundimit të hetimeve të ndërmirren masa ndaj atyre që kanë përgjegjësi, nëse për këtë sigurohen prova.

Gjithashtu, në kuadër të QKUK është edhe një Komision për Etikë i cili urgjentisht do të duhej ta trajtojë këtë rast.

KMDLNj pret nga Drejtori i përgjithashëm i QKUK – së, z. Curr Gjocaj të përshpejtojë hetimet e këtij rasti që ka ndodhur brenda institucionit shëndetësor që ai e drejton dhe ku ka autoritet të plotë për ndërmarrjen e masave ndaj shkelësve eventual.

Mbrojtja shëndetësore dhe ofrimi i kësaj mbrojtjeje është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe të gjitha dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat në rastin konkret janë shkelur në mënyrë flagrante! /KI/

Leave a comment

Your email address will not be published.


*