Lajme

KMDLNj: Dëbimi masiv është shkelje e të drejtave të njeriut

Policia e Kosovës, në zbatim të një vendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë me 19 shtator 2016 i nxorri në mënyrë të dhunshme 6 familje nga 131 sa ishin të vendosur në një ndërtesë në Lagjen Dardania dhe të cilët nga Ndërmarrja Banesore konsideroheshin si uzurpues andaj kishin kërkuar nga Gjykata Themelore t’ua lirojë banesat e uzurpuara, ndryshe pronë e Ndërmarrjes së Banesave. Në kohën kur në Kosovë dhuna e Serbisë së Millosheviqit kishte gjithëpërfshirje, në mënyrë intenzive punohej për kolonizimin e Kosovës, serbizimin e saj dhe ndryshimin e strukturës etnike. U ndërtuan fshatra të tëra për refugjatë serbë nga Kroacia, Bosnja, profesorët universitarë, policë, ushtarakë, biznismenë, etj që stimuloheshin të vinin në Kosovë për të filluar një jetë të re dhe njëkohësisht për t’u bërë pjesë e aparatit represiv të Serbisë. U ndërtua me shantazh dhe kërcënime Kisha Politike ortodokse serbe në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, para Rektoratit u vendos shtatorja e Dositej Obradoviqit kurse te Filologjiku busti i Vuk Karagjiqit. Atëherë u fuqizua i ashtuquajturi YU Program për ndërtimin e banesave për oficerë dhe policë serbë dhe të tjerë e që nënkupton se këto ndërtesa nuk janë ndërtuar nga Ndërmarrja Banesore, nuk mund të jenë pronë e tyre por pronësia është e YU programit diskriminues përkatësisht e atyre që u janë ndarë ato banesa.

Pas përfundimit të luftës në  shumicën e këtyre banesave janë vendosur shqiptarë që u janë shkatërruar shtëpitë, nuk u janë ndërtuar ato shtëpi apo ka edhe të tillë që nuk kanë dashur të kthehen në vendet e origjinës. Disa serbë, përfitues  të YU programit ua kanë shitur banesat e tyre shqiptarëve ndonëse këto banesa i kanë fituar në bazë të ligjeve diskriminuese të regjimit serb.

KMDLNj e ka përcjellë intervenimin e Policisë së Kosovës me datë 19 shtator 2016 dhe konstaton se kjo gjendje ka mundur të evitohet dhe se përdorimi i forcës së tepruar nga ana e Policisë sikur edhe nga ana e banorëve ka qenë e panevojshme. Të marrësh vendim që brenda një dite t’i dëbosh në mënyrë të dhunshme 131 familje me së paku 1000 banorë mund të ketë mbështetje ligjore por mund dhe është shkelje e të drejtave të njeriut dhe në disa raste të drejtat e njeriut janë më të rëndësishme se një vendim gjykate sepse lehtë çojnë deri te pasojat e paparashikueshme duke e paguar këtë edhe me jetën e njërëzve. Për këtë arsye e pësoi edhe në fëmijë 12 vjeçar i kësaj ndërtese që u hodhë nga kati i tretë.

Ka shumë banesa të uzurpuara të cilat nuk janë liruar sepse është bërë një marrëveshje me shfrytëzuesit.

Të gjitha banesat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës janë uzurpuar dhe deri më sot nuk është marrë asnjë vendim për lirimin e tyre dhe kthimin e pronarëve të ligjshëm e që është rast flagrant i zbatimit të standardeve të dyfishta.

Për rastin e ndërtesës së Lagjes Dardania, KMDLNj propozon të arrihet një “armëpushim” 6 mujor, midis pronarëve të banesave dhe të shfrytëzuesve të banesave të cilët nuk mund të konsiderohen dhe nuk janë pronarë të ligjshëm. Kjo do të ishte kohë e mjaftueshme për të bërë zgjidhje e cila do t’u krijonte mundësi banorëve, ose t’i blejnë këto banesa nëse për këtë ekziston mundësi ose të gjejnë tjetër vend për banim,  nëse nuk do të ketë marrëveshje.

Nëse këto banesa janë pronë e Ndërmarrjes Banesore e KMDLNj mendon se do të kontestohet gjatë bisedimeve në Bruksel atëherë Ndërmarrja Banesore mund t’ua ofrojë shfrytëzuesve të banesave t’i blejnë ato me çmime të tregut që do të ishte kretësisht normale.

KMDLNj i bënë me dije shfrytëzuesit e këtyre banesave se ata nuk janë pronarë të banesave ndonëse i kanë paguar detyrimet (rrymë, ujë, nxemje, tatim) dhe se nuk kanë asnjë vendim që atyre ua njeh këtë të drejtë. Nëse arrijnë një marrëveshje me pronarët e ligjshëm të këtyre banesave atëhere kjo marrëveshje është e plotfuqishme në aspektin ligjor në të kundërtën duhet të bëjnë një zgjidhje banimi.

Për KMDLNj – në është e papranueshme nxjerrja me dhunë e 131 familjeve me së paku 1000 anëtarë, përdorimi i forcës, zbatimi i standardeve të dyfishta kur dikush nxirret nga banesa kurse banesat e shqipatarëve mbesin të uzurpuara në veri të Mitrovicës.

Riaktualizimi i Kishës Politike në hapësirën e Universitetit, nxjerrja me dhunë nga banesat e serbëve por jo edhe nga banesat e shqiptarëve në veri të Mitrovicës, ngjallin dyshime se Serbia po i imponon Kosovës bisedime për prona të “serbëve” ndonëse ato janë ndërtuar me ligje diskriminuese të cilat janë shfuqizuar pas përfundimit të luftës, me përjashtim kur palët kanë qenë serbë.

KMDLNj e njeh pronën private si diçka të patjetërsueshme dhe e drejtë e njeriut por jo kur ajo fitohet me ligje diskriminuese duke favorizuar serbët dhe duke diskriminuar shqiptarët sikur që është vepruar në kohën e Milosheviqit e që shembuj eklantë janë Kisha Politike, vendbanimet e pastra etnike dhe banesat e YU program që kanë pasur karakter dhe kolonizues. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*