Kosova

KMDLNJ kërkon që afati i largimit të banorëve të shtyhet

Banues të ndërtesës në lagjen “Dardania” në mëngjesin e datës 26 shtator 2016 kanë vizituar zyrën e KMDLNj – së në Prishtinë për t’i paraqitur shqetësimet e tyre rreth zhvillimeve të fundit me ç’rast janë nxjerrë në rrugë disa familje, pa iu siguruar  një vendbanim, qoftë edhe të përkohshëm , deri në një zgjidhje përfundimtare.

Ata kërkuan nga KMDLNj që të monitorojë procesin e dëbimit nga banesat në ndërkohë që monitorues të KMDLNj –së ishin aty.

KMDLNj ka kontaktuar komandantin e Policisë që asistonte në zbatimin e një vendimi të Gjykatës për lirimin e banesave të uzurpuara sikur edhe me banues të kësaj ndërtese.

KMDLNj e ripërsëriti kërkesën se largimin i banorëve nga këto banesa përkatësisht lirimi i 131 banesave me së paku 1000 banorë është në kundërshtim me të drejtat e njeriut sepse është e pamundur të bëhet zgjedhje të çështjes së banimit brenda 24 orëve.

KMDLNj mendon se është dashur dhe duhet të bëhet një zgjidhje edhe për nxënësit që vijojnë mësimet në shkollat e afërta, “Xhemajl Mustafa” dhe “Dardania” sikur edhe me persona të moshuar apo të sëmurë që nuk mund të lëvizin brenda një dite.

Pastaj, nëse pjesa dërrmuese e banuesve ka kaluar 17 vite në ato banesa është dashur të tregohet edhe një tolerancë 6 mujore që të bëhen përpjekje për zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. KMDLNj ka biseduar me banuesit e kësaj ndërtese dhe u ka bërë të ditur se vetëm dëshmia mbi pronsinë e banesave është ajo që mund të mbështetet në ndërkohë që asnjëri nga ata nuk kanë dëshmi mbi pronësinë prandaj edhe nuk janë pronarë të ligjshëm. Banorët e pranojnë këtë mirëpo e kontestojnë pronësinë e kësaj ndërtese nga ana Ndërmarrjes  Banesore Publike. Përkundër faktit se vendimet për lirimin e banesave u janë dorëzuar në vitin 2009, banorët këmbëngulin se ata duhet jenë adresa e parë e cila duhet t’i blejë këto banesa dhe se NBP po del me pronarë fiktiv të këtyre banesave në emër të KEK – ut, Postës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. KMDLNj insiston edhe një herë që afati i largimit të banorëve të shtyhet për së paku 6 muaj shkaku se është krijuar një situatë e tensionuar, e rëndë për banuesit dhe fëmijët e tyre që janë në ankth sikur edhe një situatë e rëndë për Policinë e Kosovës. Tensionimi i mëtejmë i situatës shkon në dëm të të gjithëve dhe askush këtu nuk ndahen fitues. KMDLNj kërkon edhe nga Ndërmarrja Banesore Publike të tregohet më tolerante, të ofrojë një mundësi për banorët e këtyre banesave dhe të mos insistojë ta zgjidhë problemin me dëbim të banorëve për një afat 10 ditësh.

KMDLNj e vlerëson këtë zhvillim të sotit si të qetë,  pa provokime  dhe vetëm me një provokim më serioz ndaj gjyqtarit të rastit pas së cilës u ndaluan dy persona.

KMDLNj kërkon nga Policia e Kosovës që t’iu krijojë më shumë hapësirë medieve të cilat nuk kanë pasur qasje të mjaftueshme për kryerjen e punëve të tyre.

Edhe monitoruesit e KMDLNj –së kanë qenë të kufizuar në procesin e monitorimit shkaku se nuk iu është lejuar të jenë të pranishëm gjatë hapjes së dyerve të banesave, zhvillimeve brenda banesave si dhe largimit të gjësendeve të konfiskuara në këto banesa. Për qytetarët është shumë e rëndësishme transparenca e këtij procesi prandaj është edhe interesi i Policisë së Kosovës të jetë më transparente dhe të bashkëpunojnë me OJQ – të dhe mediet që kanë mandat monitorues dhe informues. /KI/

Komentoni