Lajme

Kisha, mes legalizimit dhe “rrënimit”

Shkruan: Florim ZEQA

Ditë më parë ishte ndërmarr një aksion për “pastrimin” e Kishës Ortodokse në kampusin e Universitetit  “Hasan Prishtina”. Pjesë e këtij aksioni ishin priftërinjtë ortodoksë të Dioqezës serbe Rashkë-Prizren, të cilët gjetën  përkrahjen e disa qytetarëve serbë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës nga Lista Serbe, më saktësisht të zëvendës kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Branimir Stojanoviq, i cili ndër të tjera atë ditë u shpreh kështu: “Kisha Ortodokse serbe do të jetë tempull për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë”!

Në anën tjetër studentët shqiptar të Universitetit të Prishtinës gjatë protestës së tyre u shprehën ndryshe nga zv.kryeministri Stojanoviq; “Hapësira në oborrin e Universitetit i takon vetëm studentëve dhe askujt tjetër”,.. nuk jemi kundër institucionit të Kishës Ortodokse, por kundër uzurpimit të hapësirës sonë për të vendosur objekte fetare të cilës do fe”.

Paradoksalisht, disa prej deputetëve shqiptar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të ish nomenklaturës komuniste (titiste) i kanë dalë në mbrojtje kishës famëkeqe serbe me deklaratat e tyre të sëmura; “Kisha s’duhet rrënuar, është dëshmi e gjenocidit…”!

Sikur këtyre mjeranëve politik nuk po u mjaftojnë me dhjetëra lapidare të masakrave gjenocidiale serbe ndaj shqiptarëve anë e kënd Kosovës,…ky soj i keq pas vendosjes së shtatores së Millutinit, Car Llazarit dhe legalizimit të kishës serbe, nuk do të ndalen me kaq, do kërkojnë vendosjen edhe të shtatores së Millosheviqit në qendër të Prishtinës si “dëshmi e gjenocidit”. 

Marrëzia nuk përfundon me kaq, në mbrojtje të kishës famëkeqe doli edhe presidenti i vendit, zoti Hashim Thaçi, ish udhëheqës politik i UÇK-së, duke e ndërlidhur kishën e paligjshme me integrimet evropiane.

Çuditërisht dhe paradoksalisht, si atëherë në kohën e ndërtimit të saj, edhe tani po dalin shqipfolës në mbrojtje të saj!

Në drejtësi thuhet; “Qëllimi e arsyeton mjetin”, fillimi i ndërtimit të kësaj kishe nuk ka qenë i rastësishëm, por i qëllimshëm dhe me prapavijë politike.   

Ndërtimi i Kishës ortodokse serbe “Shën Nikolla” kishte filluar në vitin 1995, por ndërtimi i saj është ndërprerë gjatë luftës në vitin 1999.

Kisha Ortodokse Serbe “Sveti Nikolla” (Shën Nikolla) e ndërtuar brenda oborrit të Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit të Millosheviçit, përveçse ndërtim i  paligjshëm, është objekt që paraqet gjenocidin dhe aparteidin e një regjimi antinjerëzor dhe antikombëtar për shqiptarët.

Pasi të gjithëve na është i njohur motivi dhe prapaskenat e ndërtimit të kishës ortodokse serbe në pronën  e Universitetit të Prishtinës, mbetët e pajustifikueshme, pse askush nga ajo kohë e deri në ditët e sotme nuk u muar me çështjen e ndërtimit të paligjshëm të saj.

Për fatin e kësaj kishe, jo që nuk u “përkujdes” askush nga komandatët gjatë periudhës së luftës, por edhe 17 vjet pas saj, u hesht fati i saj nga të gjitha pushtetet komunale dhe qendrore, thuajse të ishte një objekt i padukshëm!

Mbijetesa e kësaj kishe dhe shumë objekteve tjera me prapavijë të errët dhe destruktive nga koha e Millosheviqit, janë rezultat i pakujdesisë sonë kolektive dhe hapësirës ligjore që lejon ekzistencën e objekteve të paligjshme,…kur në të njëjtën kohë rrënohen objektet dhe shtëpitë e banimit të shqiptarëve nga pushteti komunal i Prishtinës dhe më gjerë në gjithë Kosovën.

Me lejen e kujt erdhën klerikët fetar nga Dioqeza serbe e Rashkës në Prishtinë për “pastrimin” e kishës, dhe me urdhër të kujt u ushtrua dhunë ndaj studentëve protestues që kundërshtuan ekzistencën e kultit fetar brenda tempullit të dijës?

Duhet t’i bëhet e qartë opinionit publik, ndodhi kjo me urdhër të Shpend Ahmetit apo Shpend Maxhunit, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, kryeparlamentarit, kryeministrit apo presidentit.

Përfundimisht, për sqarimet e sipërpërmendura dhe për fatin e kishës ortodokse serbe në pronën e Universitetit të Prishtinës, duhet të debatohet dhe vendoset në Parlamentin e Kosovës,…e assesi nuk guxon të mbetët kisha famëkeqe “mollë sherri” për shkaktim të dhunës mes policisë dhe qytetarëve.

Vendimi për rrënimin e kishës nga kampusi i universitetit ose shndërrimin e destinacionit të saj në ndonjë lloj objekti i cili do t’u shërbente studentëve të Universitetit të Prishtinës për punët e tyre studimore, si për shembull bibliotekë, konvikt apo mensë studentore, duhet të merret në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e jo të mbetët çështje e hapur për konflikte të përhershme ndëretnike në hapësirat e universitetit.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*