Kosova

KFOR-i përkrah zhvillimin e FSK-së

Ministri Rrustem Berisha dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sot pritën në takime të ndara komandantin e KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci.

Ministri Berisha dhe gjeneral Rama, gjatë takimeve që zhvilluan me gjeneralin Cuoci, folën për bashkëpunimin e mirë dhe të ngushtë të MFSK/FSK-së me KFOR-in, si dhe u zotuan për vazhdimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

Ministri Berisha, komandantit të KFOR-it, i shprehu dëshirën e tij dhe të Ministrisë që ai drejton, për të rritur bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve në dobi të sigurisë në vend dhe në të mirë të gjithë qytetarëve.

Krahas kësaj, ministri Berisha foli edhe për kapacitetet operacionale të FSK-së, duke shprehur gatishmërinë e FSK që me disa nga kapacitetet e saj të kontribuojë për paqe në rajon dhe më gjerë. Po ashtu, foli për suksesin e arritur të FSK-së për sa i përket integrimit të komuniteteve në radhët e saj, në veçanti të komunitetit serb.

Më tej, ministri Berisha shpalosi idenë e planit të transformimit të FSK-së, i cili proces parashihet të ndodhë me ndryshime kushtetuese, me konsensus të plotë të faktorit të brendshëm dhe në koordinim me NATO-n dhe partnerët strategjikë të Kosovës.

Ndërsa, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Cuoci përgëzoi udhëheqësit e FSK-së për rezultatet e arritura deri më tani dhe shprehu përkrahje të parezervë dhe zgjerim të fushave të bashkëpunimit në të ardhmen.

Gjenerali italian në krye të KFOR-it, gjeneral Cuoci, në fund tha se KFOR-i do të vazhdojë të jetë këtu për aq sa do të ketë nevojë, ndërsa sa i përket transformimit të FSK-së, ritheksoi rekomandimin e NATO-s, se Kosova duhet të vendosë vet si një vend sovran mbi të ardhmen e Forcës së saj, dhe këtë duhet ta bëjë në harmoni me Kushtetutën dhe përfshirjen e të gjithëve në proces.

Komentoni