Lajme

Këshilli Prindërve shqetësohet me paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka shprehur shqetësim për paralajmërimin e SBAShKU-t lidhur me fillimin e grevës së mundshme të mësimdhënësve të nivelit para universitar të Kosovës të parapara për fillimin e tetorit.

Ky këshill ka vlerësuar se prindërit janë të vetëdijshëm për rolin që kanë luajt mësimdhënësit në vitet e nëntëdhjeta kur Kosova ishte nën okupimin e egër e ku mësimi u mbajt në kushte e rrethana mjaft të vështira dhe se për këtë pjesë të zhvillimit të Arsimit në Kosovë, mësimdhënësit meritojnë të trajtohen në mënyrë ligjore e pse jo edhe të shpërblehen nëse Shteti i Kosovës ka mundësi buxhetore.

“Shpresojmë se edhe Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës e ndanë këtë mendim dhe se në kuadër të kornizave ligjore dhe mundësive buxhetore do ta trajtojnë këtë çështje dhe se mësimdhënësve të viteve nëntëdhjeta do të ju jepet kontributi i merituar. Të gjithë ne kuptojmë kërkesat e Sindikalistëve të Arsimit dhe gjendjen e rënduar financiare të personelit arsimor”, thuhet në komunikatë.

Këshilli ka kërkuar nga Sindikata e Arsimit që ta shqyrton më me seriozitet paralajmërimin për ndërprerje të mësimit pasi që në këtë mënyrë, sipas prindërve, po i shkaktohet barrierë procesit edukativo-arsimor dhe në rend të parë po humbin nxënësit.

“Ne, Këshilli i Prindërve të Kosovës, kërkojmë nga ana e Kryesisë së SBASHK-ut që të jetë e matur në veprimet e tyre dhe mos të ndërmarrin veprime të ngutshme dhe të dëmshme për procesin mësimor dhe të kenë mirëkuptim për nxënësit sepse çdo ndërprerje e mësimit pavarësisht arsyes dhe rrethanave ndikon drejtpërsëdrejti në ngritjen e cilësisë në arsim. Po ashtu kërkojmë nga MAShT-i dhe Qeveria e Republikës së Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet ligjore ndaj mësimdhënësve dhe Shkollave në përgjithësi”, thuhet tutje në komunikatë.

Prindërit u kanë bërë apel të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve që ti përkushtohen mësimit dhe rritjes së cilësisë në arsim.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*