Kulturë

Kënga Magjike thyen çdo rekord audience: 82% e shqiptarëve para Klan-it

Mesatarisht 65% e shqiptarëve ndoqën finalen e Këngës Magjike, por momenti i votimeve i gozhdoi të gjithë para TV Klan, duke kapur 82% të audiencës, më e larta regjistruar ndonjëherë në programet Prime Time. Tiranapost.al ka siguruar të dhënat bazuar në matësin e audiencës Telemetrix dhe nisur nga grafika, diferenca me televizionet e tjera kombëtare është dukshëm më e lartë.

Sipas të dhënave të Telemetrix katër vitet e fundit, kulmi i shikueshmërisë ka kapur shifra deri në 78% për segmente apo tema të caktuara të emisioneve seri, kryesisht “Portokalli”, “Opinion” apo “E Diela Shqiptare”.

Kënga Magjike u transmetua paralelisht me “Al Pazar” në Vizion Plus apo me “Shiko kush luan” në Top Channel, që kapën 9% të audiencës mbrëmjen e së shtunës. Në përfundim të emisioneve, pothuajse e gjithë vëmendja i kaloi TV Klan.

Me hyrjen e matësve të audiencës, sondazhet janë kthyer edhe në një burim “mburrjeje” apo “sherri” mes moderatorësh dhe emisionet e tyre konkurrente, kryesisht në TV Klan dhe Top Channel. Ermali dhe Luana drejtojnë emisionet Prime Time të së shtunës dhe në fillim publikonin të dhëna nga matës të ndryshëm audience, Ermali bazuar tek Telemetrix, ndërsa Luana tek një tjetër matës i quajtur ‘Tampral.com’.

Komentoni