Sport

Këlni, gati rinovimi për Mërgim Mavrajn

Dy ndeshje si titullar në dy javët e para të Bundesligës gjermane. Mërgim Mavraj është kthyer në një prej shtyllave të Këlnit dhe drejtuesit e klubit dëshirojnë që mbrojtësi të vazhdojë të mbrojë ngjyrat e skuadrës.

Nëse në janar të vitit 2016, ku pas dëmtimit në gju cilësohej si zgjedhje e tretë në repartin difensiv dhe mendoi seriozisht largimin, tashmë Këlni kërkon ti rinovojë kontratën 30-vjeçarit, me akordin që përfundon në fund të këtij sezoni.

Me klasin dhe eksperiencën që zotëron, Mavraj cilësohet si një element tejet i rëndësishëm në një skuadër ku objektivi është promovimi i lojtarëve të rinj dhe rritja e vlerës së tyre në merkato.

Sipas mediave lokale të Këlnit, drejtuesit e klubit janë të gatshëm të përmirësojnë ofertën e tyre për kuqeziun. Sinjalet për rinovimin e kontratës së Mavrajt u dhanë prej muajit Gusht, mbi të gjitha pas interesimit të disa klubeve për shërbimet e shqiptarit, mes të cilave Sampdoria në Serinë A italiane dhe Besiktas në Superligën turke.

Nga ana e tij Mërgim Mavraj ka shprehur dëshirën të qëndrojë te skuadra e Bundesligës, ku vlerëson ambientin, tifozët dhe klubin, duke premtuar se Këlni do të mbetet gjithmonë prioriteti i tij për të ardhmen.

Gjithsesi 30-vjeçari konfirmoi se ende nuk ka bisedime kontrate për zgjatjen e kontratës dhe preferon të mos flasë rreth kësaj çështje deri në hedhjen e firmës në marrëveshjen e re.

Komentoni