Lajme

KEDS largon nga puna 95 punëtorë, reagon BSPK

Kompania për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike ka marrë vendim që për arsye ekonomike, teknike dhe organizative të mbyllë Departamentin e Projekteve në Operim, dhe si rezultat të gjithë të punësuarve në këtë Departament u ndërpriten kontratat e punës.

Sipas Sindikatës së punëtorëve të KEDS-it fjala është për 95 punonjës.

Njoftimin për këtë vendim sindikata e ka pranuar dje.

Kryetari i Sindikatës, Hysni Gashi, në një intervistë për KALLXO.com tha se KEDS nuk po e respekton kontratën kolektive me arsyetimin se nuk është anëtar i Odës Ekomomike të Kosovës.

“Arsyetimi i tyre është se ata nuk i obligon marrëveshja e përgjithshme kolektive meqenëse nuk janë anëtar të Odës Ekonomike të Kosovës dhe se nuk janë nënshkrues të asaj marrëveshje. Mirëpo, duke e parë marrëveshjen e përgjithshme kolektive, duhet me ditë që çdo kompani që operon dhe vepron në Kosovë duhet ta aplikojë atë marrëveshje”, tha kreu i Sindikatës së punëtorëve të KEDS-it.

Po ashtu, Gashi thotë se këta 95 punëtorë për të cilët është marrë vendim të largohen nga puna kanë pasur kontrata të përhershme.

“Me këta 95 punëtorë, KEDS-i e shkel gjithsesi edhe Ligjin e Punës dhe nuk respekton asnjë ligj, as nuk e respekton Kushtetutën e Kosovës, ku thuhet që duhet të ruhet mundësia e angazhimit të njerëzve në punë”, u shpreh ai.

Kreu i sindikalistëve të KEDS-it u ka dërguar një letër krerëve të institucioneve shtetërore duke u kërkuar të angazhohen që këta punëtorë të mos përjashtohen nga puna.

Hysni Gashi tha po ashtu se Sindikata është duke e shqyrtuar mundësinë e organizimit të një proteste dhe greve.

“I lusim të gjitha institucionet tona, sidomos kryeministrin e ministrat përkatës që të ndërmarrin hapa, të mos lejojnë të vjen te ma e randa, ma e keqja, përndryshe do të detyrohemi t’i thërrasim punëtoret edhe në protestë e ndoshta edhe në grevë, që pasojat do të jenë mjaftë të randa për neve po edhe për popullatën”, u shprehë ai.

Gashi tha se e gëzojnë mbështetjen edhe të atyre punëtoreve që nuk janë të rrezikuar me largim nga puna.

I pyetur rreth këtij rasti, zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete, duke theksuar se çdo kompani bën rishikime dhe reforma brenda organizatës.

Sa i përket çështjes së Marrëveshjes Kolektive, Buzhala tha se KEDS nuk është në mesin e organizatave që e kanë nënshkruar atë.

Kompania KEDS ka filluar që një kohë të largojë punëtorë nga puna. Në gusht të këtij vitit ishin larguar disa punëtorë në distriktin e Pejës.

BSPK: KEDS ka larguar rreth 100 punëtorë me kontrata të përhershme

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, përmes një konferencë për media, ka shprehur shqetësimin e tyre lidhur me vendimin e KEDS-it, për mbylljen e departamentit të projekteve në operim, me ç’rast janë larguar rreth 100 punëtorë nga puna.

Në këtë konferencë u tha se punëtorët kanë pasur kontrata të përhershme të punës dhe se atyre u është bërë padrejtësi.

Kryetari i FSPE-së, Hysni Gashi tha se largimi i punëtorëve është i paligjshëm dhe përbën shkelje të Kushtetutës.

Ai ka kërkuar nga institucionet që ta zgjedhin këtë problem, meqë sipas tyre, kjo formë e largimit nga puna është diskriminuese.

Ai shtoi se mbyllja e këtij departamenti, është e papranueshme për BSPK-në.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*