Lajme

Karaxhiq: Droni në Beograd u lëshua me ndihmën e Serbisë

Tomislav Karaxhiq, dikur kryetar i Shoqatës së Futbollit në Serbi dhe ish-president i Federatës serbe të Futbollit, në një intervistë të dhënë për të përditshmen serbe “Informer” ka bërë një deklaratë shokuese: Droni në ndeshjen Serbi-Shqipëri, luajtur në stadiumin e Partizanit të Beogradit, është lëshuar me ndihmën e Serbisë.

Ish-bosi i Federatës serbe ka ngritur gjithashtu akuza edhe për ndeshjen e luajtur në Xhenova të Italisë, mes “axurrëve” dhe Serbisë, ku u dogj flamuri shqiptar nga huliganët serbë, një akt që çoi në ndërprerjen e ndeshjes dhe fitimin e 3-pikëshit në tavolinë nga kombëtarja italiane.

Të njëjtin fat pati edhe sfida Serbi-Shqipëri, me kuqezinjtë që morën fitoren në tavolinë 3-0 pas dërgimit të çështjes në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, transmeton Top Channel.

Sipas Karaxhiq, trazirat në Xhenova dhe lëshimi i dronit mbi stadiumin e Partizanit me hartën e Shqipërisë Etnike, shoqëruar nga portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, janë “gatuar” nga “kuzhina e tyre”.

Akti në stadiumin e Partizanit, që irritoi tifozerinë vendase dhe ndërpreu zhvillimin e ndeshjes, i kushtoi shtrenjtë kombëtares së Serbisë. Autor i kësaj vepre njihet se është Ismail Morina, edhe pse asnjë akuzë zyrtare nuk është ngritur ndaj tij për shkak të mungesës së provave, por Karaxhiç dyshon se pas gjithë asaj ngjarjeje qëndron dikush tjetër.
“Ndoshta edhe ai mund të ketë qenë një hallkë në këtë organizim, nuk e di me siguri. Por nuk ka dyshim se ka pasur mbështetjen nga Serbia. Nuk mundet kurrsesi, që të vijë dikush nga Shqipëria në Beograd, të ngjitet në kulmin e kishës dhe të lëshojë dronin, e për këtë askush të mos dijë asgjë. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Është diçka e pabesueshme”, ka thënë Karaxhiq.

Sipas tij, “është dashur një guxim i madh për të realizuar një operacion të tillë kundër vendit të vet, kombëtares dhe interesit kombëtar. Hallall i qoftë! Një gjë e tillë nuk ka mundur të kryhet pa mbështetjen e madhe të brendshme”, ka deklaruar Karaxhiq.

Më tej, ish-kreu i Federatës flet edhe për periudhën e pas dronit.

“E dini se çfarë ka ndodhur pas dronit e deri më sot? Jam i vetmi që jam dënuar me 70 mijë dinarë për shkak të organizimit të dobët të ndeshjes”, ka shtuar ai, në intervistën për “Informer”.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*