Sport

Kampionët e Sportit në politikë

Janë të shumtë emrat e personazheve në botën e sportit që pasi kanë dhënë kontributin e tyre në fushat respektive sot gëzojnë një emërues të përbashkët siç është politika. Kështu në kapitullin tjetër të jetës post sportive mund të përmendim George Weah, që është favorit në garën Presidenciale që po zhvillohet në Liberi. Ish sulmuesi i Milanit njëherazi fitues i Topit të Artë pritet të zyrtarizohet si Presidenti i Liberisë.

Vitali Clitchko kampioni i Boxit në peshat e rënda konsiderohet si një ndër profesionistët më të suksesshëm në historinë botërore të Boxit. Ukrainasi ka nisur karrierën politike që në vitin 2014 dhe gëzon postin e kryebashkiakut në kryeqytetin e Kievit.

Fitues i Kupës së Botës në vitin’94 ish sulmuesi brazilian Bebeto, i cili momentalisht e ka zhvendosur punën e tij edhe në Shqipëri tek ekipi i Partizanit në rolin e këshilltarit për Amerikën Latine,  në vitin 2010 u aktivizua edhe në politikë duke u zgjedhur deputet.

Pasi bëri histori me Përfaqësuesen Turke të Futbollit ish sulmuesi i Interit, Hakan Shukur, vendosi t’i futej politikës. Pjesë e parlamentit turk në vitin 2011 u tërhoq në vitin 2013. Në vitin 2016 për të u lëshua edhe një urdhër arresti pasi u akuzua për terrorizëm pas grushtit të shtetit që iu bë Qeverisë së Erdogan.

Kampioni i Botës për plot 16 vite radhazi në shah sot rival politik i Vladimir Putin. Garry Kasparov, i cilësuar si shahisti më madh i të gjitha kohërave është ndër aktivistët më të njohur në Rusi. Është arrestuar 4 herë nga 2007 deri më sot për papajtueshmërinë e tij me Presidentin Putin.

Kakhaber Kaladze ish mbrojtësi i kuqezinjve të Milanit pasi vari këpucët në mur iu dedikua karrierës politike dhe nga vitit 2012 gëzon postin e Ministrit të Energjetikës dhe burimeve natyrore në Gjeorgji si dhe atë të Zëvendëspresidentit.

Pasi shkroi shifra historike në futbollin botëror me rekordet e tij, me më shumë se 1 mijë gola, Pele u fut në politikë me qëllim përmirësimin e sportit brazilian. Në vitin 1995 Presidenti Cardoso e emëroi  Ministër të jashtëzakonshëm për Sportin, detyrë që e mbajti deri në vitin 1998, kur u dorëhoq.

Cuauhtemoc Blanco një prej emrave më të spikatur në Kombëtaren Meksikane me pseudonimin “The King”. Nga 2016 ai është kryebashkiaku i qytetit të Cuernavaca, në Morelos të Meksikës.

Pas 80 golave në Serinë A me Bolonjën, Interin dhe Lazion, sulmuesi argjentinas Julio Cruz u angazhua në politikë duke garuar për postin e kryebashkiakut në Lomas de Zamora, të Argjentinës pa arritur fitoren.

Andriy Shevchenko deri para kohësh nuk i kishte idetë e qarta se çfarë do të vazhdonte të bënte pas largimit nga futbolli. Kandidoi në zgjedhjet e fundit parlamentare të Ukrainës, por pastaj vendosi të bënte pas duke u ulur në stolin e Kombëtares Ukrainase. /ss/

Komentoni