Lajme

Jeta nën tension të lartë

Kishte dalë në bahçen me mjedra për t’i spërkatur, pasi kishin nisur t’i vyshken. Njësoj thotë se u është vyshkur edhe jeta e tyre. Dalja e tij në bahçe nuk nënkupton vetëm kujdesin ndaj këtyre pemëve të imëta. Por, edhe kujdes ndaj vetvetes së tij. I duhet t’i largohet pak zhurmës, qoftë edhe për pak metra tutje. Qoftë edhe për pak minuta.

Në të njëjtën kohë edhe rrezikut që u kanoset. Ai, bashkë me familjarët e fqinjët e tij e bëjnë jetën nën tension. Jetën nën tensionin e lartë fizik e psikik! Kjo është jeta nën telat e rrymës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Agim Sadiku (48) nuk e ka të vështirë të rrëfejë peripecitë që ka që prej 12 vjetësh me telat e tensionit të lartë të rrymës që kalojnë përmbi shtëpinë e tij. Sapo t’i afrohesh lagjes së tyre që shtrihet në një luginë në rrugën “Dëshmorët” në verilindje të qytetit të Podujevës, nis të dëgjohet edhe zhurma që krijojnë këta tela. Janë tetë fije nga katër në të dyja anët.

Sa më shumë i afrohesh shtëpisë së tij, aq më e madhe dhe e padurueshme bëhet ajo. Nëse hyn në oborrin e Agim Sadikut, që gjendet në të djathtë të rrugës, rreth 30 metra prej kur lëshon asfaltin, të krijohet përshtypja sikur po bien telat në tokë. Kjo, thotë Agimi, shkakton frikë e nervozë të vazhdueshme. Në të njëjtën shtëpi jetojnë trembëdhjetë anëtarë dhe Agimi është i bindur që të gjithë familjarët janë të sëmurë nga kjo gjendje.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*