Lajme

Javën e Ardhshme Shqyrtohet Projekti i ‘Envidity’

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e radhës do të votojnë nëse qeveria do të ketë të drejtë të hyjë në negociata të drejtpërdrejta me kompaninë e lidhur me gjeneralin Wesley K. Clark

Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme do të shqyrtojë projektin e kompanisë “Envidity Energy”, në bordin e së cilës është edhe gjenerali Wesley Clark.

Kryesia e Kuvendit në takim e së hënës do të vendosë nëse projekti i “Envidity” do të jetë në rend të ditës në seancën e ardhshme plenare.

Qeveria e Kosovës në muajin gusht kishte vendosur që projekti i propozuar nga Kompania “Envidity” përbën interes dhe për të njëjtin duhet të shfrytëzohet neni 18 i Ligjit për Miniera dhe Minerale për të shmangur procedurat e konkurrimit për të mundësuar realizimin e projektit, njofton Kallxo.com.

Ligji për Miniera dhe Minerale kërkon edhe miratimin nga Kuvendi i Kosovës. Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e radhës do të votojnë nëse qeveria do të ketë të drejtë të hyjë në negociata të drejtpërdrejta me kompaninë e lidhur me gjeneralin Wesley K. Clark.

“Pas aprovimit të këtij vendimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës do të themelohet ekipi për përgatitjen dhe negocimin e marrëveshjes…”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës me numër 05/106.

“Envidity” ka kërkuar që të hulumtojë të gjitha rezervat e qymyrit në Kosovë, apo mbi 3 mijë kilometra katrorë. Kompania shpreson se do të prodhojë deri në 100,000 barelë të naftës në ditë, ose 15 milionë litra, duke përdorur teknika pak të njohura – proceset e gazifikimit nëntokësor të thëngjillit dhe gazit të kthyer në lëng. Deri në finalizim të projektit, kompania kishte premtuar një investim deri në 8 miliardë dollarë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*