Kosova

Jahjaga përkrah Hillaryn në Konventën e Demokratëve

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mbajtur një fjalim në Institutin Kombëtar Demokratik, të organizuar në kuadër të Konventës Demokratike në ShBA.

Fjalimi i saj i plotë:

Jam shumë e nderuar të jem sot këtu me ju, në këtë javë historike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjitha gratë. Çfarë momenti i paharrueshëm!

Është privilegji për mua të ulem pranë Sekretares Albright. Unë jam këtu me ju sot për shkak të lidershipit te saj. Ajo, bashkë me gjeneratën e saj të politikëbërësve ndaluan luftën në Kosovë dhe ne, 2 milionë qytetarët e Kosovës, falë tyre jetojmë dhe përparojmë në liri dhe paqe.

Ju ndatë të mirën nga e keqja. Ju në mënyrë të qartë u rreshtuat kundër padrejtësisë.

Saktësisht shtatëmbëdhjetë vjet më parë ju erdhët në Kosovë pasi intervenimi i NATO-s solli përfundimin e luftës në shtetin tim. Të gjithë dolëm në rrugë për të përshëndetur dhe falënderuar.

Atë ditë, duke iu adresuar turmës, ju thatë “Të mos gabohemi. Deri sa ju të vendosni dhe të doni, Kosova do të mbetet shtëpia juaj”. Ju na dhatë të ardhmen jo për shkak të interesave strategjike, por për shkak se ju besuat në vlera, për shkak të besimit tuaj se asnjë person nuk është i lirë derisa ka padrejtësi dhe represion.

Në Kosovë ka vajza që mbajnë emrin Madeline, sepse atyre vajzave ju dha një mundësi të jetojnë në liri dhe paqe; një mundësi që të bëhen kush dëshirojnë, për shkak të lidershipit të Sekretares Albright.

Para intervenimit të forcave të udhëhequra nga SHBA-të, ju po ashtu thatë “Historia është duke na shikuar”.

Mirëpo, historia është duke na shikuar përsëri.

Unë mund t’ju siguroj që secila grua dhe vajzë, në çdo cep të botës i ka sytë e drejtuar kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Teksa jemi mbledhur këtu të flasim për rolin e grave në politikë, sfidat me të cilat ato përballen pa marrë parasysh se prej nga janë, të gjitha mund të pajtohemi që jemi këtu edhe për të shënuar dhe festuar këtë arritje historike të gruas e cila na ka inspiruar të gjithave të marrim vendin që na takon.

Hillary Clinton! Gruaja që gjithmonë ka qenë e vendosur për të mbrojtur vlerat dhe ka vepruar në mbrojtje të tyre.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka mbrojtur të drejtat e njeriut, promovoi barazi, mbrojti grupet dhe komunitetet e margjinalizuara në vend dhe jashtë. Ajo madje edhe vallëzoi duke festuar liritë e fituara me vështirësi, me aq shumë njerëz nëpër gjithë botën.

Mbi të gjitha, ajo ndërtoi miqësi të vërteta. Miqësia jonë me të është më tepër se sa miqësi mes kombeve, është miqësi e njerëzve të cilët ndajnë ideale të përbashkëta të lirisë.

Unë ndihem me fat që jetoj në epokën e tyre, dhe që kam pasur mundësi si Presidente e Kosovës të ndjeki hapat e tyre. Të jem në gjendje t’i mbaj vlerat e shoqërive të lira dhe përparimtare, duke jetuar pa terror dhe pa dhimbje.

Geraldine Ferraro, të cilën e kujtojmë sot, njëherë na tha “disa liderë lindin gra”. Ajo nuk ka mundur të ketë më shumë të drejtë; të gjitha ne këtu sot, jemi dëshmi e gjallë e kësaj.

Për shkak të lidershipit të grave, shoqëritë tona janë transformuar, komunitetet tona kanë përparuar. Dhe vajzat në çdo vend kane gjetur zërin e tyre.

Për fund, dua të falënderoj Institutin Kombëtar Demokratik për mbështetjen që na ka dhënë të gjithëve për të ecur përpara, për të forcuar zërin tonë dhe për ta bërë praninë tonë të nevojshme.

Si rezultat i kësaj, demokracitë tona janë më të kompletuara. Ju jeni kujdesur aq shumë për ne. Ne nuk do ta harrojmë kurrë.

Në emër të grave lidere në këtë sallë, dua të jap një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat amerikane: Ju keni mundësinë të bëni histori. Ju nuk jeni duke zgjedhur vetëm presidentin e Shteteve të Bashkuara, ju jeni duke zgjedhur liderin e Botës së Lirë. Le të jetë ajo!

Komentoni