Lajme

Jabllanoviq: Do të vetorganizohemi pas deklaratave të Kurtit për luftë

Ish-ministri për Kthim dhe Komuniteti në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq i ka quajtur të papranueshme deklaratat e deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ku ky i fundit ka paralajmëruar luftë në Kosovë nëse kalon versioni aktual i Demarkacionit me Malin e Zi.

Jaballanoviq, në një prononcim për “Indeksonline”, ka thënë se KFOR-i dhe Misioni i Bashkimit Evropian, EULEX-i, duhet të angazhohen maksimalisht pas këesaj deklarate të Kurtit.

“Lufta për të cilën flet Albin Kurti nuk do ti gjej të papërgatitur serbët, dhe në vend se ta arrestojnë Kurtin dhe ta ndalojnë “organizatën radikale” , ata polemizojnë me të nëse do të ketë apo nuk do të ketë luftë”, është shprehur ai.

Më tej, Jabllanoviq thotë se këto deklaratat e ish-liderit të LVV-së janë luftënxitëse. “Kërcënimet e hapura për luftë në Kosovë do të rezultojë me vetë-organizimin e serbëve edhe të një nivel më të lartë të vigjilencës në të ardhmen.

Ndryshe, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, insiston se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, sipas Murat Mehës, është formulë e luftës. “Unë mendoj që demarkacioni i Murat Mehës bën konfliktin, luftën dhe gjakderdhjet e reja me Malin e Zi”.

Këto komente Kurti i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se personalisht është kundër luftës me Malin e Zi, por, siç thotë ai, lufta ndodh ku është kontesti kufitar e territorial.

“Mos harroni se në vitin 1998 në Kosovë ka pasur luftë, por në Prishtinë ka mundur të mos ketë. E mbaj mend shumë mirë se në Prishtinë ka pasur paqe, por në Drenicë, Dukagjin e Llap ka pasur luftë. Kur po them luftë, nuk po them se lufta vjen në Prishtinë, por ajo ndodh atje ku është kontesti kufitar e territorial”, ka theksuar Kurti.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*