Kulturë

Ja kur do të jepet premiera e komedisë “Republika e brekëve”: Flet regjisori Jeton Ahmetaj

Në Teatrin e Qytetit “Istref Begolli” të Pejës, më 24 nëntor shfaqet premiera e komedisë “Republika e brekëve”, në regjinë e prof. Jeton Ahmetaj dhe të asistentëve të regjisë, Flormend Shabaj dhe Agon  Bala.

Në një intervistë për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, regjisori Ahmetaj, tha se realizimi i komedisë “Republika e brekëve”, u ka marrë mjaftë kohë dhe se finalizimi i një vepre të till nuk është aspak e lehtë.

“Deri më tani gjithçka po ecën ashtu sikurse e kemi planifikuar në ditën e parë. Po, realizimi i kësaj komedie na ka marrë mjaftë kohë, gjë që është shumë normale për një vepër të nivelit të tillë”, tha regjisori Ahmetaj, duke e veçuar lartë punën dhe përkushtimin e aktorëve dhe atë të stafit teknik të teatrit “Istref Begolli” të Pejës.

“Duke e pasur parasysh se kam punuar me një ekip profesionistësh, aktorë të mrekullueshëm dhe një staf teknik shumë të mirë, nuk i kam ndier aspak sfidat e ndërtimit të një vepre teatrale, çfarë është kjo që e kemi realizuar në Pejë”, tha regjisori Jeton Ahmetaj, duke premtuar kështu se puna dhe bashkëpunimi me aktorët e teatrit të Pejës nuk do të ndalet asnjëherë, sepse siç tha ai, teatri “Istref Begolli”, ka aktorë të vërtetë të skenës.

Për fund, vlen të theksohet se aktorët e kësaj shfaqje janë: Flormend Shabaj, Fitore Broqi, Agon Bala, Herodita Ramshaj, Fisnik Sykaj, Luan Daci, Shpresa Salihaj dhe aktor mysafir Veton Osmani. /Zarfi Info/

Komentoni