Lajme

Isufi e Bulliqi: Zotëri kryeministër, përgjigje me fakte shkencore ndaj fyerjeve tuaja

Dy gjeografët më të zëshëm kundër mënyrës se si është demarkuar kufiri mes Kosovës e Malit të Zi, Florim Isufi e Shpejtim Bulliqi, i janë kundërpërgjigjur deklaratave që sot ka bërë kryeministri Isa Mustafa me mëngjes.

Ai ka thënë se ekspertët po bazohen në dokumente serbe, e të cilat sipas tij i konsiderojnë më të sakta se ato të Kosovës. Madje, Mustafa u “ka rekomanduar” atyre që të shkojnë te mjeku.

Këto i kanë konsideruar si fyerje të dy ekspertët, që në portalin Koha.net kanë adresuar reagimin, të cilin po e postojmë të plotë:

Falënderojmë kryeministrin e shtetit Z. Mustafa që me kujdes të shtuar po përcjell debatet shkencore në lidhje me demarkacioni (SHVK) e kufiri Kosovë – Mali i Zi. Edhe pse akademik dhe me një përvojë të gjatë universitare e me njohuri të paskajshme të procesit të zhvillimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që nga viti 1970, si për nga përgatitja e kuadrove ashtu edhe për nga infrastruktura fizike dhe ligjore është e pakuptueshme si i lejon vetes të nxjerrë nga konteksti pjesëza të fjalisë për t’i fyer kolegët e tij, dhe atë për interesa personale pa u bazuar në fakte shkencore.

Për të gjithë ata që kanë përfunduar më shumë se shkollën fillore dhe kanë dëgjuar leksione nga lënda e Gjeografisë po ofrojmë fakte të pamohuara dhe të përkrahura profesionalisht dhe ligjërisht në periudha të ndryshme kohore.

Harta e parë:

Kjo hartë është e sponsorizuar dhe e botuar nga organet qeveritare të KSA të Kosovës dhe nga organet udhëheqëse të KK të Pejës në vitin 1985. Protagonistët kryesorë politikë dhe profesionalë të kësaj harte ishin: Kryetar i Kuvendit të Komunës së Pejës, Ferid Gjikolli, Drejtori i Drejtorisë Gjeodete të KK Pejë, Magjun Hyseni (që të dy shqiptarë). I tërë materiali grafik dhe tekstual u bë nën mbikëqyrjen Mr. Bogdan Sekulloviq Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Komunës së Pejës dhe Lilana Toshiq gjeodet i diplomuar e bashkëpunëtor profesional (të nacionalitetit jo shqiptar). Qartazi duket se këta persona juridikë dhe politikë të asaj kohe kanë mbrojtur integritetin territorial të komunës së Pejës e bashkë me të edhe kufirin perëndimor të Kosovës.

Harta e dytë:

Harta e strukturave politike dhe profesionale të Kosovës dhe të komunës së Pejës pas vitit 1999. Të gjithë të nacionalitetit shqiptarë. Dallimi në territorin e Komunës së Pejës është i madh. Arsyeja pse nuk dihet. Le të vlerësojë opinioni.

Nga këto dy harta qartazi shihet se ka devijime të vijës kufitare mes tyre.

Harta e parë është legale sepse përfaqëson struktura politike dhe profesionale të vitit 1985, ndërsa harta e dytë po ashtu duket legale sepse përfaqëson struktura politike dhe profesionale të pas luftës së vitit 1999. Ku u tret territori?

Pyetjes se ku po humbim territor kur Kosova dhe Komuna e Pejës kanë të njëjtën sipërfaqe, përgjigjen duhet gjetur në të kaluarën. Nga praktika dhe nga Gjeografia Politike kemi mësuar se strukturat udhëheqëse shtetërore dhe lokale kanë për obligim të kujdesen për tërësinë territoriale të cilën e menaxhojnë, të përgatitin informata atributive dhe grafike dhe ato ti përcjellin te udhëheqësit pasardhës. Nga materiali tekstual dhe harta çart mund të konstatohet se nuk ka përputhje të vijës kufitare Kosovë – Mali Zi të vitit 1985 me kufirin e propozuar në vitin 2015. Këtu edhe mund të konstatohet sasia kuantitative dhe lokacioni gjeografik i sipërfaqes së humbur.

Politikisht dhe profesionalisht nuk mund të dyshohet se strukturat udhëheqëse dhe profesionale të Komunës së Pejës e që kanë vepruar nën lejen dhe mbikëqyrjen e Këshillit Ekzekutiv të KSA të Kosovës se kishin me tolerua një gabim aq të madh territorial dhe tekstual.

Edhe nëse tani nuk fitohet përgjigje në këto pyetje, jemi të bindur se aktivitetet shkencore të historisë do të arrin që me hulumtimet e tyre në të ardhmen do të shpjegoj në detaje se çka ka ndodhë dhe pse ka ndodhë.

Krejt në fund parashtrohet dyshimi i bazuar se:
Nëse me këtë gjuhë të urrejtjes debatohet edhe me 3 gusht 2016 në Kuvendin e Kosovës, qartazi mund të paragjykohet rrjedha e debatit.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*