Kosova

Institucionet e Kosovës ngushëllojnë Qeverinë dhe popullin italian pas tërmeteve

Veseli: Jemi pranë Italisë mike në këto momente të vështira

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave nga tërmeti që ndodh sot në Itali.

Veseli në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se Kosova është pranë Italisë mike në këto momente të rënda.

“Në këto momente të vështira pas fatkeqësisë së rëndë natyrore në Itali, jemi pranë popullit mik italian. Shpreh dhembjen e qytetarëve të Kosovës dhe solidarizohemi me të afërmit e viktimave, ndërsa urojmë shërim sa më të shpejtë për të lënduarit”, ka shkruar Veseli.

Mustafa ngushëlloi Qeverinë dhe popullin italian pas tërmeteve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit italian, Matteo Renzi, pas tërmetit të fuqishëm që goditi Italinë Qendrore, duke shkaktuar pasoja të rënda në njerëz.

Në emër të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës, kryeministri Mustafa, i ka shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet më të sinqerta Qeverisë, popullit italian dhe familjarëve të viktimave të kësaj fatkeqësie të rëndë natyrore.

“Qeveria dhe populli i Kosovës bashkëndjen dhembjen dhe pikëllimin në këto momente të rënda për popullin dhe shtetin mik Italinë”, thuhet ndër të tjera, në telegramin e kryeministrit Mustafa.

Hoxhaj: Jam i tronditur nga humbja e jetëve të njerëzve në Itali

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka ngushëlluar popullin italian pas tërmetit që ndodhi në këtë vend ku vdiqën 37 persona, ndërsa u lënduan 150 të tjerë.

“Thellësisht i tronditur nga humbja e jetëve të njerëzve në Itali që u goditën nga tërmeti gjatë natës”.

“Ngushëllime shtetit mik të Italisë dhe familjeve të viktimave që humbën të afërmit e tyre. Shërim të shpejt të lënduarve”, ka shkruar kryediplomati kosovar në një postim në profilin e tij në Facebook. /KI/

Komentoni